Cana, lojtari me më shumë kartonë

Të dielën, në ndeshjen e fituar 2-1 kundër Kanës, futbollisti i Kombëtares kuqezi ka fiksuar rekordin e kartonëve në të gjitha kohërat nga një lojtar i skuadrës franceze.
Pikërisht në minutën e 79 të takimit, mesfushori shqiptar ka marrë kartonin e verdhë, i cili jo vetëm e pezulloi për ndeshjen e radhës kundër Valencien, por edhe i dha mundësinë të arrinte rekordin në fjalë.
Është plot 49 numri i kartonëve të marrë nga mesfushori i klubit nga Velodrom. E gjitha kjo, e koleksionuar në një periudhë gati katërvjeçare, që nga viti 2005, kur u transferua nga PSG për te Olimpiku i Marsejës, dhe që përfshin sezonet 2005/2006, 2006/2007, 2007/2008 dhe këtë fillim të edicionit aktual 2008/2009.
Mesfushori shqiptar në sezonet e mëparshme shquhej si lojtari që ndëshkohej gati në çdo ndeshje, ndërsa kohët e fundit ka marrë më pak kartonë.
Pas vetëm 146 ndeshjesh me këtë klub, ai arriti kuotën e 49 kartonëve të verdhë. Rekordi i mëparshëm i kartonëve mbahej nga futbollisti Bernard Kasoni me 48 kartonë në 221 ndeshje.
I treti në renditjen e kartonëve është Erik Di Meko me 47 në 276 ndeshje. Kasoni, i cili aktualisht është trajner Bastias, ishte ndëshkuar me 8 kartonë të kuqë.
Ndërkohë që Loriku nuk ka marrë asnjë karton të kuq gjatë kohës që ka luajtur për fanellën e Marsejës. C
ana futet te lojtarët potentë dhe me një grintë të jashtëzakonshme gjatë lojës, një gjë e tillë e bën shpesh pre të ndëshkimeve të gjyqtarëve, të cilët nuk ngurojnë t’i nxjerrin kartonin para syve.