E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana, në historinë e Marsejës si lojtari me më shumë kartonë

Lorik Cana, kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, tashmë e ka shënuar emrin në historinë e klubit francez. Të dielën, në ndeshjen e fituar 2-1 kundër Kanës, futbollisti i Kombëtares kuqezi ka fiksuar rekordin e kartonëve në të gjitha kohërat nga një lojtar i skuadrës franceze. Pikërisht në minutën e 79 të takimit, mesfushori shqiptar ka marrë kartonin e verdhë, i cili jo vetëm e pezulloi për ndeshjen e radhës kundër Valencien, por edhe i dha mundësinë të arrinte rekordin në fjalë. Është plot 49 numri i kartonëve të marrë nga mesfushori i klubit nga Velodrom. E gjitha kjo, e koleksionuar në një periudhë gati katërvjeçare, që nga viti 2005, kur u transferua nga PSG për te Olimpiku i Marsejës, dhe që përfshin sezonet 2005/2006, 2006/2007, 2007/2008 dhe këtë fillim të edicionit aktual 2008/2009. Mesfushori shqiptar në sezonet e mëparshme shquhej si lojtari që ndëshkohej gati në çdo ndeshje, ndërsa kohët e fundit ka marrë më pak kartonë. Pas vetëm 146 ndeshjesh me këtë klub, ai arriti kuotën e 49 kartonëve të verdhë. Rekordi i mëparshëm i kartonëve mbahej nga futbollisti Bernard Kasoni me 48 kartonë në 221 ndeshje. I treti në renditjen e kartonëve është Erik Di Meko me 47 në 276 ndeshje. Kasoni, i cili aktualisht është trajner Bastias, ishte ndëshkuar me 8 kartonë të kuqë. Ndërkohë që Loriku nuk ka marrë asnjë karton të kuq gjatë kohës që ka luajtur për fanellën e Marsejës. Cana futet te lojtarët potentë dhe me një grintë të jashtëzakonshme gjatë lojës, një gjë e tillë e bën shpesh pre të ndëshkimeve të gjyqtarëve, të cilët nuk ngurojnë t‘i nxjerrin kartonin para syve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›