E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbrojtje të trashëgimisë kulturore

Në muajin maj të këtij viti, ka nisur funksionimin në varësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Ky institucion dukej se i kishte munguar sistemit të trashëgimisë kulturore në vend. Agjencia e Shërbimit të Arkeologjisë, si institucion qendror, lindi si nevojë e mbrojtjes dhe ruajtjes së objekteve arkeologjike, të trashëgimisë kulturore, të cilat dalin në pah në rast ndërtimi të veprave të infrastrukturës ndërtimore, apo gjatë kohës që kanë nisur gërmimet ndërtimore.

Roland Olli është drejtor i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, i cili vjen në krye të kësaj qendre pas një karriere të gjatë në fushën e ndërtimit. Ai është inxhinier ndërtimi dhe për shumë vite ka punuar në veprat e infrastrukturës së madhe, më pas, në ndërtimin e banesave e kështu me radhë deri në detyrën e tij aktuale si kreu i ASHA-s.

Pavarësisht profesionit, duket se njohuritë e tij për monumentet e trashëgimisë kulturore janë të mira, edhe pse ai thotë se ato janë kryesisht të formimit të përgjithshëm. "Njohja me monumentet e kulturës vjen nga formimi im i përgjithshëm në radhë të parë, por besoj se është shumë afër edhe me profesionin e ndërtuesit, arkitektit, fusha që i afrojnë më tepër monumenteve", shprehet drejtori, siç do të ishte e natyrshme të bënte. Për të, detyra e re është një sidë më vete, të cilën dëshiron ta çojë suksesshëm deri në fund. Olli drejton një staf prej 14 vetash, mes të cilëve specialistë të arkeologjisë. Ka besim te stafi dhe tek aftësitë e tyre. Ai mendon se skuadra që drejton e ka nisur punën e re në mënyrë të suksesshme. "Falë punës dhe lidhjeve tona edhe me drejtoritë rajonale të kulturës në qytete të vendit, ne kemi arritur të shmangim ndërtime në zona të një rëndësie arkeologjike, që kur këto janë ndërtime vetëm në tentativë", tregon Roland Olli, me një zë të qetë e të pjekur, i cili rrëfen për një njeri që dëshiron të bëjë gjithçka mirë e në bazë të rregullave përkatëse. Rasti më i fundit është ai i kërkesës për të nisur ndërtimet pranë teqesë së Melanit në Gjirokastër, e cila gjithsesi mbeti në tentativë. "Mbrojtja e monumenteve të trashëgimisë kulturore i ishte lënë pak a shumë në varësi institucioneve shkencore, siç ishte Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, por ka qenë jashtë mundësive reale dhe ligjore të tyre, pasi janë të profilizuara drejt shpjegimit dhe studimit të monumenteve më shumë se sa të ruajtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore", shprehet Olli. Në këtë kuadër, lindi nevoja e një institucioni në mbrojtje të trashëgimisë kulturore nga të gjitha veprat e infrastrukturës ndërtimore. "Vendimi i qeverisë ka përcaktuar edhe rolin që do të ketë ASHA për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Detyrë themelore e ASHA-s është mbikëqyrja e të gjitha gërmimeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. E thënë më thjeshtë, ASHA do të integrohet në ndërtimin dhe punët publike që në momentin e hartimit të projektit. Firmat duhet të bëjnë një konsultim paraprak në ASHA dhe ajo orienton nëse në atë zonë ku do të ndërtohet ka momente të evidentuara, gjetje arkeologjike apo të dhëna për mbetje arkeologjike në këto territore. Më pas, në momentin që bëhet miratimi edhe në strukturat përkatëse, ASHA asiston në procesin e ndërtimit, gjithmonë kur ky proces ndodh pranë zonave arkeologjike", vazhdon më tej Roland Olli, duke shpjeguar rolin e institucionit që drejton.

Ndër të tjera ai shprehet se Agjencia e Shërbimit Arkeologjik ndjek të gjithë situatën, si procesin e zbatimit të rregullave nga subjektet ndërtuese në këto zona. Përveç Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, është ngritur edhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë. Bëhet fjalë për një zyrë, e cila është struktura më e lartë në hierarkinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, këshilli kryesohet nga vetë ministri, drejtori i ASHA-s, ai i trashëgimisë kulturore, tre ekspertë të Qendrës së Studimeve Albanologjike të cilët përkasin Institutit të Arkeologjisë etj. Roland Olli thotë se Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë nis të funksionojë në momentin që fillon ndërtimi i veprave të mëdha publike. "Këshilli u themelua në të njëjtin moment me ASHA-n, ndërkohë që është funksional prej vetëm dy muajsh. Ky është një institucion i mbrojtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore", komenton ai. "Ndërkaq, ndër detyrat kryesore të ASHA-s, si institucion i ri, është edhe përgatitja e rregullave për gërmim shpëtimin në Shqipëri. Kjo është detyra jonë kryesore, pasi gërmimet e shpëtimit janë ato që vijnë si pasojë e infrastrukturës së ndërtimit. Në ndryshim nga gërmimet me karakter shkencor që ti ke mundësi t‘i planifikosh, këto janë gërmime që vijnë si pasojë e ndërtimeve, ose punëve publike. ASHA ka për detyrë të shpëtojë të gjitha gjetjet arkeologjike që vijnë si pasojë e këtyre ndërtimeve", shprehet më tej Roland Olli.

Në këtë mënyrë, kuptohet se ASHA është një institucion i varur prej projekteve të mëdha të punëve publike. Për agjencinë, puna e vërtetë fillon në momentin kur asaj i paraqitet një kërkesë nga subjektet, ndërtues privatë, apo të veprave me koncesion ose atyre nga shteti. Sipas drejtorit të agjencisë, kur qeveria miraton lejet e ndërtimit, paraprakisht është detyruar të presë një herë raportin paraprak nga ASHA, e cila përcakton nëse në zonën që do të nisë ndërtimi ka objekte të trashëgimisë kulturore, ndërsa përcakton objektet për nga rëndësia. Është detyrë e ASHA-s, e cila të gjitha zbulimet arkeologjike "rastësore" pas studimit përkatës, t‘i evidentojë dhe restaurojë për t‘i dërguar më pas për ekspozim në muzetë arkeologjike sipas vendndodhjes së tyre.

Me pak fjalë, nuk mohohet fakti se para ngritjes së këtij institucioni, ka pasur shumë raste të abuzimit me zonat arkeologjike nga subjektet private, siç është ai i ndërtimeve në zonën arkeologjike të Durrësit, apo edhe rasti i ngritjes së antenave të telefonisë celulare në zona të rëndësishme të monumenteve të kulturës shpesh të kategorisë së parë siç janë kështjellat.

Edhe pse një zyrë tepër e re në Ministrinë e Kulturës, ASHA ka nisur të funksionojë për të lënë pas boshllëkun ligjor që u jepte hapësira ndërtuesve të ngrinin pallate a lokale në dëm të monumenteve, trashëgimisë e pasurisë sonë kulturore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›