E Diel, 1 Nëntor 2026

Sten Dragoti në Durrës

Regjisori dhe producenti i njohur, Sten Dragoti, mbërrin në Shqipëri. Ftesa për të qenë në krye të jurisë së Festivalit Veror të Filmit dhe pamundësia për t‘iu përgjigjur pozitivisht asaj, duket se kanë qenë shtysa kryesore që amerikano-shqiptari Dragoti të takohet me autoritetet e qytetit bregdetar, bashkorganizatorë të Festfilmit në verë. Gjatë takimit, kryebashkiaku Vangjush Dako i ka shprehur gatishmërinë e bashkisë për një bashkëpunim të ngushtë me Dragotin për Festivalin e ardhshëm Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, por edhe keqardhjen që, për arsye shëndetësore, ai nuk mundi të jetë i pranishëm në këtë ngjarje kinematografike. Dako i ka bërë të ditur Dragotit edhe arritjet e këtij aktiviteti në këndvështrimin personal, duke deklaruar se festivali do të kthehet në traditë dhe do të zhvillohet çdo vit. Regjisori Sten Dragoti ishte zgjedhur president i jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit që u zhvillua në Durrës një muaj më parë, por nuk mundi të merrte pjesë. Ai iu përgjigj me kënaqësi ftesës së dytë për të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të aktivitetit të filmit ndërkombëtar, jo vetëm për të qenë pjesë e jurisë, por edhe për të shkëmbyer përvojën e tij në lidhje me filmin dhe cilësinë e tij. Ndonëse tingëlloi e çuditshme, Dragoti u shpreh se, pavarësisht se nuk erdhi në Durrës, e kishte ndjekur me shumë vëmendje festivalin që e vlerësoi si të arrirë, duke shprehur bindjen se do të kthehet në një traditë të bukur ballkanike dhe evropiane për sa i përket konkurrimit në zhanrin e filmit. "E kam ndjekur festivalin, pavarësisht se në një gjendje jo të mirë shëndetësore dhe mendoj që ai ishte mjaft i mirë dhe do të ketë një të ardhme të rëndësishme në konkurrimin e filmit për rajonin tuaj, por edhe për Evropën. Cilësia e filmave ishte e mirë. I kam ndjekur punët e disa prej regjisorëve pjesëmarrës në këtë festival dhe mund të them që ata janë tepër të mirë, ku do të veçoja regjisorin çek. Po kështu u interesova edhe për filmin shqiptar në konkurrim dhe mendoj se cilësia e tij ishte për t‘u lavdëruar". Gjithsesi interesimin e tij për filmat pjesëmarrës në Festfilmin Veror të Durrësit e kanë pohuar edhe shoqëruesit e tij. Gjatë takimit, kryebashkiaku Dako e njohu regjisorin e njohur me vlerat e qytetit bregdetar dhe në emër të qytetarëve durrsakë i dhuroi atij edhe simbolet e Durrësit. Takimi ka vijuar me vizita të regjisorit të njohur në ambientet historiko-kulturore të qytetit dhe në Muzeun Arkeologjik. Dragoti vjen në Shqipëri pak ditë pasi ka festuar 76-vjetorin e lindjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›