Kupa UEFA, fati u buzëqesh të mëdhenjve
Shorti i Kupës UEFA për fazën e grupeve ka qenë me fat për ekipet e mëdha, teksa do të ndeshen me ekipe të kalueshme. I hedhur në Nion të Zvicrës, ai ka prodhuar një grup të kënaqshëm edhe për skuadrën e përfaqësuesit të vetëm shqiptar në këtë kompeticion, sulmuesin Besart Berisha dhe Rozenborgun e tij. Kundërshtari më i fortë i norvegjezëve në grupin G do të jetë Valencia, e cila është edhe pretendetja kryesore për vendin e parë. Ndërkohë që Berisha me shokë do të luftojnë për vendin e dytë me belgët e Klub Bruzh. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe danezët e Kopenhagen dhe francezët e Saint Etien. Një short i kënaqshëm edhe për Milanin, i cili do të jetë pjesë në grupin E, ku përballë do të ketë skuadra të lehta dhe me jo shumë përvojë në arenën ndërkombëtare, holandezët e Herenven, portugezët e Braga, debutuesit e Portsmouth dhe gjermanët e Volfsburg. Një nga grupet më të vështira pritet të jetë A, ku bëjnë pjesë skuadra me emër: Shalke, Mançester Siti apo dhe PSG. Spanjollët e Sevilla, që do të kërkojnë fitoren e kësaj kupe për të tretën herë në këto katër vitet e fundit, bëjnë pjesë në grupin C me Stuttgart, italianët e Sampdoria, Partizanin e Beogradin dhe Standard de Liezh. 40 ekipet pjesëmarrëse në këtë kompeticion janë ndarë në 8 grupe me nga 5 skuadra. Ndeshjet e para në grupe do të startojnë më 23 tetor për të vazhduar më pas me 6-27 nëntor. Në grupe skuadrat do të zhvillojnë 4 ndeshje, 2 në fushën e vet dhe 2 në transfertë, ndërkohë që 3 ekipet e para në grupe do të kalojnë në turin e dytë. Finalja e madhe do të luhet më 20 maj 2009 në Stamboll, në stadiumin "Shykry Saracollu".