E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana rrëmben Lazion

Lorik Cana po e rrëmben dalëngadalë besimin te Lazio. Mesfushori kosovar vazhdoi me paraqitje pozitive edhe në ndeshjen me Chievon. Ai ndihet mirë fizikisht dhe shpreson ta ndihmojë ekipin Biancocelesti në arritjen e objektivave. 28 vjeçari është i bindur se e ardhmja e tij është në Itali.

Lorik Cana shfaqi një tjetër paraqitje pozitive në fanellën e Lazios. Mesfushori kosovar ishte i vetmi që doli me kokën lart, ndër vërshëllimat që i rezervuan tifozët ndaj lojtarëve në stadiumin Olimpico.

Së pari, 28 vjeçari u vendos në pozitën e gjysmë-alos për t’u rikthyer më pas në qendër të mesfushës, ku e bëri atë që pritej nga ai. Cana dha gjithçka duke e përdorur forcën fizike dhe aftësinë mentale, duke bërë presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarëve.

Në fund të ndeshjes, ish futbollisti i PSG-së, i Marseilles, i Sunderlandit dhe i Galatasarayt ka folur për ndeshjen e vështirë në të cilën u përballën Biancocelestët ndaj Chievos.

“Ishte ndeshje mjaft e vështirë për ne, ndaj një kundërshtari që erdhi te ne me besim të plotë, duke i mbyllur të gjitha hapësirat dhe duke luajtur mjaft mirë. Në pjesën e parë pa Bizzarrin mund të shkonim në disavantazh me dy gola. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë, me mentalitetin e duhur, të ndryshëm. Na mungoi forca për shkak të lodhjes”, deklaroi Cana për ueb faqen lalaziosiamonoi.it

Përfaqësuesin shqiptar nuk e kënaq shumë paraqitja e mirë individuale, duke e pasur parasysh se Lazios i mungoi fitorja në duelin e fundit të vitit.

“Pasi nuk fituam në shtëpi, është vështirë të thuash diçka për paraqitjen time. Ndihem më mirë fizikisht dhe mendoj se kjo po shihet edhe në fushë. Janë shumë gjëra për t’u ndryshuar, por ndihem mirë në kokë”, vazhdoi ai.

Cana shpreson të luajë në rolin e mesfushorit qendror në të ardhmen, pasi që ai vendoset nga Edy Reja në krah. Sidoqoftë, ai e jep gjithmonë maksimumin nga vetja.

“Unë punoj gjithmonë për skuadrën. Natyrisht, dy barazimet e fundit në shtëpi nuk shkuan mirë, por më parë arrinim rezultate të mira dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Do të bëjmë gjithçka për të dalë mirë në fund të sezonit”, nënvizoi Cana.

Kohëve të fundit flitet për një largim të mundshëm të Canës nga Italia për t’u rikthyer në Francë. Mirëpo, futbollisti gjakovar i ka idetë e qarta sa i përket së ardhmes së tij.

“Nuk e di se përse flitet për mua. Sigurisht, kur një lojtar nuk luan shumë, flitet gjithmonë për transfer, kjo është normale. Mirëpo, unë dëshiroj të mbetem në Lazio dhe kam besim në një të ardhme të suksesshme këtu”, shtoi ai.

Në fund Cana thotë se shpreson që Djibril Cisse të mos largohet nga Lazio, përkundër periudhës së vështirë që po kalon në ekipin italian, pasi që po i mungojnë golat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›