E Diel, 1 Nëntor 2026

Magath, lavdëron talentin e Hasanit

Trajneri i Wolfsburgut, Felix Magath, e ka lavdëruar njërin nga tre përforcimet që i bëri së fundmi. Bëhet fjalë për futbollistin shqiptar Ferhan Hasani, i cili e la ekipin nga Maqedonia, Shkëndija, për t’iu bashkuar klubit gjerman.

Ai nënshkroi për tri vjet e gjysmë dhe do të jetë pjesë e klubit nga Bundesliga nga janari.

“Ishim të interesuar ta sillnim atë këtu, mirëpo nuk është qartësuar ende gjithçka. Sa i përket kualitetit, nuk kemi dyshim. Ai është talent i madh. Angazhimi ynë është që t’ua japim mundësinë talentëve të rinj si ai që të zhvillohen me ne”, deklaroi ish trajneri i Bayern Munichut dhe i Schalkes për mediat gjermane.

Magath shpreson që Hasani së bashku me dy përforcimet tjera, Jiranek dhe Pilar, do ta ndihmojnë ekipin e tij në pranverë.

“Me ta kemi menduar të përforcohemi. Duhet ta përmend faktin se me këta lojtarë shpresojmë ta rrisim kualitetin dhe që të na ndihmojnë”, shtoi trajneri gjerman.

Magath ndihet mirë që arriti t’i bëjë tri përforcime ekonomike, tek të cilat beson shumë. Në fund, ai thotë se do të ketë më shumë qartësi rreth tyre kur të fillojë faza përgatitore dimërore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›