Mbështeten te Federata
Trajnerët e futbollit kosovar po ndihen shumë të diskriminuar për faktin se viteve të fundit nuk po ndihen aspak rehat e të sigurt nëpër klube, të cilat po bëjnë ndryshime shumë të shpeshta në shtabet teknike.
Kur ka kaluar vetëm gjysma e këtij kampionati, janë shënuar plot dhjetë raste të ndërrimit të trajnerëve dhe deri në fund ky numër pritet të rritet akoma më shumë. Ky fenomen po e përcjell futbollin kosovar tash e disa vite rresht. Njëra prej arsyeve kryesore është se trajnerët me klube merren vesh vetëm gojarisht – pa nënshkruar kontrata.
Megjithatë, trajnerët fajin më të madh ua hedhin klubeve, por pranojnë se një pjesë e fajit u takon edhe vetë atyre, pasi nuk po tentojnë të bëjnë asgjë për ta zbutur të paktën këtë fenomen.
Në fakt, ata kanë një ‘mburojë’ – Shoqatën e Trajnerëve. Por, kjo e fundit, sipas pedagogëve të futbollit, nuk po bën absolutisht asgjë rreth mbrojtjes së interesave të tyre, për çka edhe është themeluar.
Trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu thotë se bashkë me kolegët e tij do të vazhdojnë të diskriminohen, përderisa kjo shoqatë nuk koordinohet me Federatën e Futbollit të Kosovës për t’u dalë në ndihmë.
“Shoqata nuk ka funksionuar e as nuk po funksionon. Shoqata do të duhej ta hartonte një rregullore të detajushme, e cila do t’i mbronte trajnerët. Më pas atë rregullore do të duhej ta fuste në fuqi FFK-ja. Rregullorja do të duhej ta përcaktonte pagën minimale të trajnerit, do t’i obligonte klubet që kontratat me trajnerë t’i verifikonte në FFK dhe nëse trajneri shkarkohet siç po shkarkohen, t’i paguhet dëmshpërblimi nga ana e klubit, e do të definoheshin edhe shumë e shumë çështje tjera, të cilat do t’u shkonin përshtati edhe klubeve në raport me trajnerë”, ka deklaruar Sejdiu për Express.
“Ashtu siç mbrohen klubet e lojtarët nga Federata, duhet të mbrohen edhe trajnerët. Por, ne trajnerët nuk po e mbrojmë njëri-tjetrin, e atëherë normalisht që nuk mund të na mbrojë askush tjetër”, shtoi ai.
Njëjtë shprehet edhe strategu tjetër kosovar, Hysni Maxhuni. Madje, Maxhuni jep ide konkrete se si mund të eliminohet fenomeni i ndërrimit të shpeshtë të trajnerëve.
“Duhet të marrim shembuj nga vendet tjera, për shembull nga Maqedonia, ku një klub nuk mund t’i ndërrojë më shumë se dy trajnerë brenda kampionatit. Ose FFK-ja duhet të marrë vendim që klubet të obligohen t’i verifikojnë kontratat me trajnerët e tyre në FFK. Atëherë, nëse klubi e shkarkon trajnerin, ai klub nuk mund t’i vazhdojë garat, nëse paraprakisht nuk e kryen dëmshpërblimin ndaj trajnerit për gjithë muajt e kontratës”, tha Maxhuni.
Express ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Shoqatës së Trajnerëve, Ajet Shoshollin, por kjo ka qenë e pamundur.
Në anën tjetër, në FFK thonë se trajnerët duhet të bëhen më syçelë në mbrojtjen e interesave të tyre.
“FFK-ja është e gatshme t’i mbrojë trajnerët, kontratat e të cilëve janë të verifikuara në FFK. Por, trajnerët duhet që t’i nënshkruajnë kontratat dhe nëse shkarkohen, mund të kërkojnë dëmshpërblim me gjyq, pasi janë në marrëdhënie pune. Por, ata nuk po i nënshkruajnë kontratat dhe FFK nuk mund t’i obligojë”, tha sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.