Cana sfidon Torresin: Luajmë për të fituar
Kapiteni i Marsejës, shqiptari Lorik Cana, ka paralajmëruar kundërshtarët e Liverpulit dhe ka motivuar shokët e tij para përballjes me skuadrën angleze. Në një intervistë për mediat franceze, asi ka thënë se Marseja mund të fitojë sot kundër skuadrës së Benitezit.
Do të përballeni sërish me Liverpulin. Do luani për të marrë hak për atë humbje 4-0?
Jo, aspak. Ne do të zbresim në fushë për të fituar dhe mund t’ia dalim mbanë. Do kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, por do të jemi kompaktë në lojën tonë dhe do të marrim një rezultat pozitiv.
Pse e keni këtë bindje? Çfarë ndryshimi ka ekipi me vitin e kaluar?
Jemi më të fortë. Kanë ardhur futbollistë mjaft cilësorë dhe tashmë ka dy lojtarë për çdo pozicion. Kjo na jep shansin për të pasur mundësinë e zgjedhjes së taktikave që do përdorim.
Liverpuli ka emra të mëdhenj të futbollit. Mendoni se do arrini t’i ndalni?
Është e vërtetë që ka futbollistë shumë të mirë dhe këtu mjafton të përmendësh Torres apo Xherrard, por e thashë dhe më parë që ne do luajmë kompakt. Jo vetëm ata, por edhe ne kemi futbollistë mjaft cilësorë dhe nëse luajmë të bashkuar, atëherë mund t’i bëjmë ballë çdo kundërshtari.