E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet kërkesa për largimin e gjyqtarit të "Altin Dardhës"

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës i rrëzoi shokut të Altin Dardhës kërkesën për përjashtimin e gjykatësit, që do gjykojë çështjen e tij. Gëzim Kasemi, ish-anëtar i bandës së Beratit, do të vazhdojë të gjykohet nga i njëjti gjykatës, pasi togat e zeza e vlerësuan si të pambështetur në ligj kërkesën e tij për ndryshimin e trupit gjykues. Mbrojtësi i të pandehurit, pretendoi se arsyeja e largimit të gjykatësit, ishte fakti që nëna e tij ishte nga Berati, nga i njëjti vend me viktimat, për të cilat akuzohet i pandehuri Kasemi. Tashmë nga banda e Altin Dardhës, e cilësuar si më e tmerrshmja e vitit 1997, ka mbetur vetëm një prej anëtarëve, Gëzim Kasemi, i cili një vit më parë u ekstradua nga Milano ku u prangos për llogari të drejtësisë shqiptare. Tashmë, 31-vjeçari rezulton të jetë dënuar me 23 vjet burg nga Gjykata e Tiranës në vitin 2001, pasi është gjetur fajtor si bashkautor me Altin Dardhën, Altin Isufin dhe Agron Balliun, në ekzekutimin e Burhan Tomorrit, Abdyrrahim Tomorrit, Behar Eskiut dhe Kastriot Bejkos, ndërkohë që Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti, i shpëtuan vdekjes pasi morën disa plumba. Ngjarja që tronditi Beratin ka ndodhur më 25 shkurt 1998, kur kapobanda Dardha bashkë me vlonjatin Isufi, Balliun dhe Kasemin qëlloi për t'u hakmarrë për vrasjen e të atit nga viktima Tomorri. Atentati ndodhi pranë stadiumit të qytetit, vetëm disa metra larg derës së Drejtorisë së Policisë, në kohën që gjashtë viktimat po pinin kafe në një lokal. Atentatorët u larguan drejt fshatit Uznovë, ku vranë një të moshuar për t'i tërhequr vëmendjen policisë. Pas kësaj policia mundi të arrestonte Bilalin dhe Kasemin, ndërsa kapoja Dardha dhe Isufaj morën peng një oficer policie dhe u larguan rrugëve të fshatrave të zonës. Isufaj, u vra ndërsa i bëri rezistencë policisë, ndërsa Dardha mundi të largohej, por tre ditë më vonë u vra në rrethinat e Janinës nga Arjan Paja, killer nga Kuçova. Dy të arrestuarit u liruan pak muaj më vonë, pasi gjykata argumentoi se ata ishin thjesht pengje të Dardhës dhe se ishin lënë në rrugë që të arrestoheshin me qëllim që të çorientonin policinë. Tre vjet pas lirimit Kasemi u dënua me 23 vjet burg, ndërsa pas ekstradimit kërkoi të rinisë gjykimi i çështjes së tij. Tashmë në këtë gjykatë do të nisë pyetja e dëshmitarëve të kësaj çështjeje.                               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›