E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kashari", rrëfehen komunarët

Faik Fejza dhe Naim Karaj, dy prej të pandehurve të dosjes "Kashari" pretenduan dje në Gjykatën e Tiranës, se janë të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre. 

Fatos Mahmutaj

 Para trupit gjykues, një seancë pas pranimit të gjykimit të shkurtuar, ata deklaruan se ishin të pafajshëm dhe se persona të tjerë kishin falsifikuar dokumentet për të cilat ata akuzohen. Po dje, Alfred Sula, ish-kryekomunari i Kasharit i arrestuar në detyrë tha se do t'i jepte deklarimet seancën e ardhshme më datë 1 tetor ku do të argumentonte pafajësinë e pretenduar prej tij. Të akuzuarit e tjerë në procesin për vjedhjen e pronave në Kashar, thanë se do të jepnin deklarime bashkë me konkluzionet përfundimtare, pasi organi i akuzës të ketë paraqitur pretencën. Dy ish-krerët e komunës, pretenduan se firmat e tyre në dokumentet e abuzimeve mund të jenë falsifikuar nga persona të tjerë, të cilët janë përfituesit e vërtetë të pronave të vjedhura. Fejza dhe Sula u shprehën se një provë e fortë e paraqitur prej tyre në proces për të vërtetuar pafajësinë ishte fakti, se ata nuk kishin përfituar asnjë metër tokë nga sipërfaqet e trojeve për të cilat i akuzon Prokuroria. Deklarimet e dhëna nga të pandehurit u administruan nga gjykata dhe iu bashkëngjitën dosjes hetimore të organit të akuzës. Trupi gjykues pohoi pas kësaj, se në lidhje me pretendimet e të pandehurve do të shprehet në vendimin përfundimtar.
Procesi
Seancën e kaluar të procesit trupi gjykues u pranoi shtatë prej të pandehurve kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në këtë proces. Pasi dëgjoi kërkesat paraprake së të pandehurve gjykatësi Sokol Tona vendosi që gjykimi ndaj të pandehurve: Alfred Sula, Faik Fejza, Islam Shera, Ismail Sula, Naim Karaj, Shefqet Alikaj dhe Xhevair Hyka të shqyrtohet me procedura të përshpejtuara. Ndërsa tre të pandehurit e tjerë: Ismail Bakalli, Naim Karaj dhe Ruhi Valisi do të gjykohen me procedura normale gjykimi, pasi këta pretendojnë për pafajësi. Ky vendim i ndërmjetëm i gjykatës bëri që dosja voluminoze me 17 fashikuj të ndahej në dy pjesë, ndërsa u shpall se procesi, ku do gjykohen Bakalli, Karaj dhe Valisi, do e shqyrtojë një tjetër trup gjykues. Të akuzuarit Naim Karaj dhe Ruhi Valisi, përveç faktit që pretendojnë se janë të pafajshëm, kërkojnë lirimin e menjëhershëm nga qelia. Ndërsa dosja për Ismail Bakallin iu bashkëngjit asaj të Karajt dhe Valisit për shkak se ai nuk gjendet dhe gjykata i ka caktuar një avokat. Po kështu, është veçuar nga dosja kryesore edhe padia civile që i dëmtuari Nexhmi Valisi ka paraqitur në gjykatë, ku kërkon rikthimin e pronës për grabitjen e së cilës akuzon të pandehurit Shefqet Alikaj, Naim Karaj dhe Ruhi Valisi. Gjatë hetimit dhe gjykimit të çështjes të akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës duke pretenduar se Prokuroria ka mbledhur prova të falsifikuara në ngarkim të tyre. 10 të pandehurit e të dy dosjeve "Kashari" akuzohen të kenë konsumuar 23 akuza në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të gjitha kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronave të bashkëfshatarëve të tyre.

Komunarët pajisën të afërmit me superprona të falsifikuara

TIRANE - Duke falsifikuar praktikat e ndarjes së tokës në fshatin Kashar, tre ish-komunarët e Kasharit, Alfred Sula, Faik Fejza dhe Naim Karaj iu kaluan sipërfaqe të konsiderueshme toke në zonat më të lakmuara, të afërmve të tyre. Arrestimi i tyre u bë në shkurt të vitit të kaluar, pasi Prokuroria nisi çështjen penale në bazë të disa denoncimeve të bërë nga banorët e zonës, të dëmtuar nga veprimet e të pandehurve. Hetimet e mëtejshme të Prokurorisë së kryeqytetit nxorën se në këtë çështje ishin përfshirë edhe Islam Shera, ish-kryeplaku i këtij fshati; Shefqet Alikaj, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës; Xhevair Hyka; Ismail Sulaj, punonjës i Kadastrës; Ruhi Valisi, punonjës në këtë komunë, si dhe Ismail Bakalli, i akuzuar si përfitues i tokës me dokumente false. Prokuroria pohon se të akuzuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në episode të ndryshme kanë dhënë certifikata pronësie duke i bërë të afërmit e tyre dhe persona të tjerë, në këmbim të ryshfeteve pronarë të tokave në Kashar. Lëshimi i disa certifikatave të pronësisë ka sjellë më pas edhe mbivendosjen, duke e bërë një truall me më shumë se dy pronarë. Pas kësaj pronarët e ligjshëm që i kishin përfituar sipërfaqet nga ligji 7501 kanë denoncuar në Prokurori, duke vënë në pranga 10 persona, proceset në ngarkim të tyre kanë filluar të shqyrtohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›