Aksidenti, vdes një grua, plagosen katër
KURBIN - Një person mbeti i vdekur dhe katër të tjerë u plagosën si rezultat i një aksidenti të ndodhur mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Fushë Krujë-Lezhë. Burime të policisë bënë të ditur se, aksidenti ku humbi jetën Liza Preçi, nga Miloti i rrethit të Kurbinit ndodhi rreth orës 20:00 në këtë aks rrugor pranë fshatit Derven. Sipas burimeve, viktima ishte duke udhëtuar në një automjet që drejtohej nga bashkëshorti i saj Sandër Preçi. Ata sapo ishin kthyer nga një dasmë dhe po udhëtonin në drejtim të Kurbinit. Në momentet që po kalonin pranë fshatit Derven automjeti i dy bashkëshortëve është përplasur me një tjetër tip "Benz" me targa të huaja, ku udhëtonin tre persona. Mësohet se prej aksidentit humbi jetën Liza Preçi, u plagos bashkëshorti i saj dhe tre persona që udhëtonin në automjetin tjetër. Drejtues të tjerë automjetesh të ndodhur pranë në momentin e aksidentit kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Me automjete të rastit është bërë i mundur dërgimi i të lënduarve në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar i njërit prej automjeteve. r.n