S’plotësojnë standardet, 13 shkolla rrezikojnë mbylljen
FIER/ MAJLINDA RAMA
Tri shkolla në Qarkun e Fierit pritet të mbyllen ditën e sotme pas urdhrit të dhënë nga Drejtoria e Shëndetit Publik, ndërsa edhe 10 të tjera paralajmërohen për mbyllje. Shkolla e mesme profesionale “Petro Sota”, shkolla e mesme “Kafaraj” dhe ajo e ciklit të ulët në Kallm të Vogël në Fier, sipas specialistëve të kësaj drejtorie nuk plotësojnë asnjë standard që nxënësit të mund të mësojnë në ambientet e tyre. Pak kohë më parë, Drejtoria e Shëndetit Publik bëri një inspektim në këto shkolla. Pas këtij inspektimi rezultoi se 13 godina ishin jashtë çdo kushti dhe standardi minimal, në mënyrë që të garantohej ecuria normale e vitit akademik. Këto shkolla nuk kanë asnjë kusht higjenik, tavanet janë gati në të rënë, ndërsa kanë mungesa të theksuara në infrastrukturë, si banka, xhama, dyer etj. Këtë fakt e bën të ditur përfaqësuesja e Drejtorisë së Shëndetit Publik, Lirika Dano. Sipas saj, sot ekspertë të kësaj drejtorie do të shkojnë dhe të mbyllin tre shkollat e mësipërme, të cilat u paralajmëruan më parë se nëse nuk do të rikonstruktoheshin, do të mbylleshin për shkak se ato janë jashtë standardeve. Gjithashtu, pritet të vendoset nëse do mbyllen edhe për 10 shkolla të tjera në Qarkun e Fierit. Ndonëse në masë më të vogël se tre shkollat që do mbyllen, sërish ato kanë probleme në infrastrukturë dhe higjienë. Këto ambiente janë plotësisht në lagështirë, duke rrezikuar edhe shëndetin e nxënësve, që do të mësojnë në të për këtë vit akademik. Një situatë e tillë është si në qytetin e Fierit ashtu edhe në Patos, Roskovec, por edhe në zona të tjera rurale. Drejtoria e Shëndetit Publik akuzon për këtë situatë pushtetin vendor, i cili sipas saj nuk ka marrë asnjë masë për rikonstruktimin e godinave, përveç lyerjes. Ndonëse situata dihej, sërish prindërit nuk i kanë ndaluar fëmijët të shkonin dje në tre shkollat për të cilat drejtoria kishte dhënë alarmin dhe paralajmëruar mbylljen e tyre.
Protestë tek “4 Dëshmorët” për kushtet
LUSHNJE- Shkolla 9-vjeçare “4 Dëshmorët”, në qytetin e Lushnjës e filloi dje ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik me vonesë. Shkak është bërë protesta e prindërve dhe mësuesve të kësaj shkolle, të cilët kërkojnë rikonstruktimin e kësaj godine. Sipas tyre, ambientet e kësaj shkolle nuk plotësojnë kushtet dhe standardet e duhura, që procesi mësimor të zhvillohet në normalitet. Në këtë godinë nuk ka asnjë kusht higjenik, ndërsa tavanet janë gati në të rënë.
Pollo: Brenda 2008-ës gati 11 konvikte të reja
Investim 200 mijë euro për konviktin e shkollës profesionale në Golem të Qarkut të Kavajës. Ky është investimi më i ri i projektit “Konvikte për të gjithë”. “Rreth 250 nxënës të kësaj shkolle historike të themeluar nga “Harry Fultz” në periudhën e paraluftës, sot do të strehohen në këtë konvikt modern me ngrohje qendrore”, deklaroi dje zëvendëskryeministri Genc Pollo. Sipas tij, projekti “Konvikte për të gjithë” synon që të gjithë nxënësit e zonave rurale të ndjekin arsimin e mesëm në qendrat urbane dhe për këtë shteti u siguron strehë dhe ushqim në konviktet, që tashmë po përfundojnë. “Ne jemi duke e rritur thithjen e nxënësve nga arsimi bazë në arsimin e mesëm, por e rëndësishme është që edhe fëmijët e familjeve që banojnë në zonat rurale, të kenë një arsim të mesëm cilësor dhe kjo realizohet në qytete, sepse përveç cilësisë së shkollës, merret një kulturë urbane që është e nevojshme për qytetarët e ardhshëm të këtij vendi”, tha Pollo. Për vitet 2007-2008 është parashikuar që të kryhen investime për ndërtimin e 11 konvikteve, 7 konvikteve të rinj në Tropojë, Krujë, Shkodër, Dibër, Durrës, Kukës, Sarandë, si edhe shtesë të konvikteve në Tiranë, Burrel, Golem e Pukë me një vlerë në total prej 4 milionë eurosh të buxhetit të shtetit.
Beja: Tani çdo klasë me internet
Në ditën e parë të shkollës, ministri Beja viziton kabinetin e informatikës dhe bibliotekën në shkollën 9-vjeçare “Pjetër Budi”. “Libri dhe interneti do të jenë shokët tuaj të përditshëm”, tha Beja duke u uruar nxënësve një vit të mbarë. Ministri i Arsimit inauguroi kabinetin e informatikës që është një nga 453, të cilët janë hapur gjatë këtij viti. Nga sa bën me dije MASH, në sajë të bashkëpunimit midis qeverisë shqiptare dhe PNUD-it, në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare janë sot në funksionim 739 kabinete informatike. “Në dy vitet e fundit, për herë të parë në buxhetin e arsimit, u parashikua në zë më vete pajisja e bibliotekave të shkollave me libra plotësues. Mbi 60 milionë lekë u përdorën për këtë qëllim në arsimin bazë”, sqaron ministria.
Topi uron nxënësit nga Elbasani
Kreu i shtetit, Bamir Topi, vizitoi dje shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri” në Elbasan. Në ditën e parë të shkollës ai u uroi të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve një vit të mbarë shkollor. Kreu i shtetit theksoi se, zgjodhi këtë shkollë me rastin e 100-vjetorit të krijimit të saj. “Me shumë kënaqësi dëshiroj të përshëndes vogëlushët, që ulen për herë të parë në bankat e shkollës e që sot me siguri, janë të shoqëruar nga prindërit. Përshëndes edhe nxënësit më të rritur që janë në vazhdim të procesit të tyre të nxënies për t’u bërë qytetarë të denjë të Shqipërisë”, u shpreh Topi. Në fund të vizitës së tij, presidenti Topi ndoqi një koncert të shkurtër të përgatitur nga grupi artistik i nxënësve. Më tej, ai u njoh nga afër me muzeun e shkollës, sallën e internetit, klasën e piktorëve të vegjël, si dhe u takua me nxënës të klasave të para.
Berisha, Ramës: Arsimi s’është vetëm tre topa
“Për fat të keq në vend që të falënderoja këtu kryetarin e Bashkisë së Tiranës, më duhet të them se nga 7 shkolla të reja që duhet të ishin ndërtuar, janë ndërtuar vetëm dy apo tre dhe nga 12 që duhet të ishin rikonstruktuar janë rikonstruktuar vetëm gjysma, duke kërcënuar kështu edhe me djegien e fondeve. Ndaj dua t`i them këtu ta marrë me seriozitetin më të madh çështjen e arsimit. Nuk është arsimi vetëm tre apo pesë topa”, këtë deklaratë bëri dje kryeministri i vendit, Sali Berisha. Sipas tij, arsimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe qeveria ka vendosur 2.2 miliardë lekë për të vetëm në kryeqytet. “Në rast se do të ishin investuar ato, Tirana do të kishte një nivel dy herë më të lartë pajisjesh dhe shkollash më moderne, ndaj le t`i shërbejë kjo ditë si një detyrim madhor ndaj fëmijëve dhe prindërve të kryeqytetit për t`i dhënë sa më shpejt asaj shkollat më të mira”. tha Berisha. Ndërkaq kryetari i bashkisë, Edi Rama, i uroi dje nxënësit nga shkolla e Yzberishtit, e cila tashmë ka ambiente tërësisht të reja. “Falë një pune të jashtëzakonshme, ne këtë vit i presim fëmijët në mjedise jashtëzakonisht të përshtatshme, jashtëzakonisht të mira, që padyshim do të jenë kushte që do të bëhen të zakonshme jo vetëm në shkollat e reja të Tiranës, jo vetëm në ato që kemi rindërtuar nga e para, por në çdo shkollë të kryeqytetit”, vijoi Rama.
Mësim natën për nxënësit e klasës së nëntë
Grafiku i mësimit me turne është afishuar dje në pjesën më të madhe të shkollave të kryeqytetit.
ZIRINA LLAMBRO
Nxënësit më të rritur janë ata që do të vijnë pasdite, ndërsa më të vegjlit do të zhvillojnë mësimin paradite. Në këtë mënyrë drejtoritë kanë alternuar oraret. Gjithçka pasojë e fluksit të madh të nxënësve në shkollat tashmë 9-vjeçare. Kanë mbetur edhe për një vit të gjithë bashkë pa kaluar në gjimnaz. Ndryshimi i vetëm për ta kanë qenë tekstet dhe mësuesit e rinj. Ndonëse është premtuar se brenda këtij viti në një klasë nuk do të kishte më shumë se 35 nxënës, panorama e djeshme dëshmon të kundërtën. Mesatarja në shkollat e Tiranës, duke nisur që nga klasa e parë i kapërcen 40-45 nxënës. Pasojat janë po ato. Nxënësve u vjen radha një herë në tre javë për t’u ngritur në dërrasë të zezë. E vetmja mënyrë me të cilën mësuesit mund të testojnë njohuritë e tyre janë provimet e shpeshta. Duke pasur prioritet internetin në shkolla, Ministria e Arsimit ka bërë me dije se për herë të parë në kurrikulën e sistemit arsimor 9-vjeçar, do të implementohet edhe lënda e informatikës në klasat 6-9, me mësues të trajnuar posaçërisht për këtë qëllim. “Në këtë mënyrë nxënësit do të kenë mundësi që më herët të zhvillojnë njohuritë e tyre në këtë fushë. Më parë informatika është bërë si lëndë e veçantë në vitet e gjimnazit”, ka sqaruar Ministria e Arsimit. Ndërkaq, me tjetërsimin e viteve të studimit në gjimnaze nuk ka më vite të para. Mbetësit do të mbeten një vit pushim. Më tej do të hidhen direkt në vit të dytë. Deri vjet ata që nuk merrnin provimet përsërisnin nga e para vitin e parë, ndërsa bashkëmoshatarët hidheshin në vitin e dytë. Mbetësit në gjimnaze, por edhe në shkollat profesionale do të japin provimet e mbetura vitin e ardhshëm. Ata duhet të mësojnë në mënyrë autodidakte, pasi nuk mund të përsërisin vitin. Dje nisën vitin e ri shkollor 560 mijë nxënës në shkollat e arsimit parauniversitar të të gjitha kategorive, publike dhe private. Plot 50 mijë vogëlushë u ulën për herë të parë në bankat e shkollës. Ndërkaq janë rreth 57 mijë të tjerë që i shtohen arsimit bazë për shkak të ndryshimit të sistemit nga 8-vjeçar në atë 9-vjeçar. Sa u përket ambienteve me qira që janë parë si zgjidhja e vetme për të lehtësuar fluksin në shkolla, akoma nuk është bërë asgjë. Drejtuesit e MASH-it u kanë lënë detyrë drejtorive arsimore të bashkëpunojnë me pushtetin vendor, për gjetjen e godinave me qira. Ministria e Arsimit ka pranuar problemet, duke i cilësuar ato normale si për vitin e parë të zbatimit të reformës.
Transferohen nxënësit,Gërdeci pa shkollë
Ditën e parë të fillimit të shkollës nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Gërdec”, nuk kanë mundur dot ta nisin si mijëra bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë vendin. Ata s’janë ulur në bankat e klasave si çdo 15 shtator. Shkolla e fshatit është tërësisht e shkatërruar, në të njëjtën gjendje si pas shpërthimit të depove më 15 mars. Drejtori i saj, Vullnet Hato, shprehet se restaurimi nuk është kompetencë e tij. Mure pa suva, tavane të rëna, klasa pa dritare dhe dyer, karrige të thyera. Me këtë panoramë përballesh pasi hyn në oborrin e shkollës nëntëvjeçare “Gërdec”. Sipas drejtorit të shkollës, për vonesat në rikonstruksionin e saj është sinjalizuar Drejtoria Arsimore e Qarkut Tiranë, si edhe Bashkia e Vorës. Deri në përfundimin e rregullimit të godinës së shkollës 9-vjeçare “Gërdec”, nxënësit e kësaj shkolle do të transferohen në dy shkolla të tjera në Marqinet dhe Marikaj. Të gjitha shkollat e dëmtuara nga shpërthimi i Gërdecit do të jenë gati për fillimin e vitit të ri mësimor në muajin shtator. Ndërkaq nga Ministria e Arsimit u premtua dy muaj më parë se të gjitha shkollat e dëmtuara nga shpërthimi i Gërdecit do të ishin gati për fillimin e vitit të ri mësimor. Premtimi u bë nga ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, i cili asokohe inspektoi punimet që po kryheshin në godinat e shkollave të Vorës, Gërdecit, Marikajt, Marqinetit dhe Mucajt. Nga shpërthimi në Gërdec u dëmtuan 17 objekte arsimore në fshatrat e Tiranës dhe Durrësit.