E Diel, 1 Nëntor 2026

Candeloro: Frymëzohemi nga njerëzit që njohim

Me "Krijimin" e Jozeph Haydn-it, artisti italian, Toni Candeloro, realizon koreografinë mbi fabulën e gjenezës. Solistët e TOB-it, Hoxha-Vaso, ngjitin në skenë edhe djalin e tyre 2-vjeçar

Mbi temën e krijimit të botës në shtatë ditë, kompozitori Joseph Haydn, shkroi "Krijimi" (gjermanisht Die Schöpfung) në vitet 1796-1798. Kjo pjesë vjen më 25-27 prill, në orën 19:00, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit edhe si një variant koreografik, realizuar nga artisti italian, Toni Candeloro.

Rreth 100 artistë, instrumentistë, këngëtarë dhe balerinë tregojnë gjatë dy orëve historinë e krijimit, ashtu si është përshkruar tek "Zanafilla" në Dhiatën e Vjetër. Pjesa do të ketë balet klasik për protagonistët dhe modern për trupën.

Dy njerëzit e parë të Zotit, Eva dhe Adami, janë Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, të cilët kësaj here interpretojnë së bashku me djalin e tyre 2-vjeçar, Roan. Koreografi Candeloro tregon për "Krijmin" e Haydn-it dhe të tijin.

Haydn-i është një emër që nuk përmendet shumë kur flitet për balet. Çfarë mund të bëni ju me muzikën e tij?


Haydn-i është një kompozitor i rëndësishëm për kulturën muzikore të fundshekullit të 18-të. Ky "Krijim" i Haydn-it nuk është i rëndësishëm vetëm për subjektin, por edhe për cilësinë e muzikës.

Duke dëgjuar këtë muzikë ndiejmë që gjërat e bukura nuk kanë kohë, gjërat me vlerë nuk humbasin me kalimin e viteve. Ekziston vetëm bashkëkohësia e të jetuarit një moment artistik apo njerëzor.


Pata frikë kur Zhani Ciko më propozoi të realizoja koreografinë për "Krijimin". E njihja mirë muzikën dhe i thashë që është përgjegjësi e madhe, duhet ta bëjmë në një mënyrë të thjeshtë dhe konceptuale.

Shpresoj që të jetë një spektakël ku edhe fëmija të jetë në gjendje të zgjedhë Zotin, engjëllin e tij, mënyrën sipas së cilës mund të vizatojë në një copë letër qenien e tij në tokë. Përpara një gjeniu si Haydn-i, duhet të ndalemi dhe të biem në gjunjë, një njeri që edhe pas disa shekujsh arrin të ndriçojë botën.

Dhe si mendoni t'i sillni këto gjëra në skenë?


Nuk e di, sepse unë jam mësuar që ta lë veten të më marrë përpara frymëzimi. Është njësojë sikur bën dashuri.

Nuk mund ta dimë atë që do të bëjmë. Fillojmë nga një puthje, nga një përkëdhelje, prekim flokët dhe dashuria të merr, të përpin. Natyrisht që dashuria nuk është seksi, flas për të ndjerit. Me të gjithë balerinët e TOB-it kemi bërë një punë të ditëve të sotme.

Kjo do të thotë që balerina ose balerini do të përdoret në bazë të karakteristikave që ka. Do të interpretojë engjëllin, kryeengjëllin, Adamin, Evën, por me personalitetin e tij. Duke mos imituar asgjë dhe askënd, por duke qenë engjëj çdo ditë.

Si mund ta përshkruani këtë mënyrën tuaj të krijimit?


Piktoreske. Unë, përpara se të merresha me balet, pikturoja. Shpesh, ne që bëjmë teatër harrojmë artet e tjera. Për shembull, që një balerin të dijë të ndriçohet në skenë, është një teknikë.

Një balerin që kërcen dhe nuk ndjen dritën, nuk po projektohet. Baleti klasik është një formë arkitekturore. Ne duhet të arrijmë të japim pasione hënore, që janë në qenien njerëzore, por që janë shumë të largët dhe të veçantë. Ja pse edhe baleti klasik është një art elitar në njëfarë kuptimi, por që është afruar shumë me publikun.

Në këtë "Krijim" do të ketë më shumë balet klasik apo modern?


Stili im bazohet në baletin klasik, por duke pasur bashkëpunime me koreografë modernë, automatikisht ka momente, në të cilat e lë veten më të lirë me baletin modern (unë e urrej këtë përcaktim).

Mund të them që kush interpreton rolet e të përzgjedhurve, engjëjve apo Evën, do të jenë në majë të puanteve, ndërsa gjithë trupa do të jetë këmbëzbathur, sepse përfaqësojnë retë, detin, natyrën.

A keni punuar herë të tjera me këtë pjesë?


E kam kërcyer në operën e Zyrihut, me koreografi të Uwe Scholz. Kjo është hera ime e parë si koreograf i kësaj pjese dhe kam një përgjegjësi të madhe, sepse ngjis në skenë gjithçka, po marr paksa edhe rolin e regjisorit.

Ju sillni "Krijimin" që keni kërcyer në Zyrih?


Jo, kjo është komplet gjë tjetër. Ne frymëzohemi nga njerëzit që njohim. Edhe kur jetojmë një dashuri të re, gjithmonë mendojmë për dashurinë e shkuar dhe përpiqemi të mos bëjmë të njëjtat gabime. Duhet të kërkojmë me përulësi frymëzimin dhe jo të kopjojmë.

Ku qëndron vështirësia për të kërcyer muzikën e Haydn-it?


Në këtë rast nuk ka vështirësi. Ka momente muzikore të bukura, me ngarkesë të madhe emocionale dhe melodi të bukur dhe ke mundësi të krijosh momente lirike. Pastaj ka momente kur muzika arrin një dimension hyjnor, të paeksplorueshëm, ku duhet të lëvizësh duke respektuar këtë patos që krijon muzika.

Ndonjëherë, të kërcesh do të thotë të qëndrosh pa lëvizur, të ndjesh muzikën e, madje, edhe të vështrosh. Janë dy orë të mbushura me muzikë të madhe, ku përfshihet kori, orkestra dhe trupa e baletit.

Do të jetë një shfaqje tokësore apo hyjnore?


Është, të themi, aq tokësore sa shpresoj të prekë hyjnoren. Brenda çdo njeriu ka një engjëll.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›