E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Partia Demokratike, si Partia Komuniste kineze

Kreu i qeverisë ka vlerësuar linjën e ndjekur nga Kina dhe ka dënuar shkëputjen e marrëdhënieve me këtë shtet, nga diktatori Hoxha

"Kur Kina, nën doktrinën e Deng Hsiao Pin-it, filloi të ndërtonte Shenzhenin, diktatori shqiptar ndërtonte mijëra bunkerë"


Shkëputja e marrëdhënieve me Kinën nga ish-drejtuesi komunist, Enver Hoxha, gati 30 vjet më parë solli, sipas Kryeministrit aktual, Sali Berisha, varfërimin e skajshëm të Shqipërisë.

Ky është vlerësimi që ka shprehur edhe një herë brenda një harku kohor prej afro një viti, Kryeministri Sali Berisha, në lidhje me marrëdhëniet e ndërprera mes Kinës dhe Shqipërisë, duke dënuar në këtë mes veprimin e njëanshëm të qeverisë së atëhershme shqiptare kundrejt superfuqisë së kohës, Kinës komuniste, e cila sipas kreut të qeverisë shqiptare, kishte investuar jo pak për prosperitetin e popullit shqiptar.

Deklarata është bërë gjatë takimit që ai ka patur dje me Presidentin kinez Hu Jintao, në kuadër të vizitës së tij disaditore që po zhvillon në Kinë.

Kryeministri Berisha teksa ka vlerësuar ndihmën e madhe që Kina i ka dhënë Shqipërisë për dekada me radhë, u shpreh se ai dhe qeveria që kryeson, e konsiderojnë një thesar shumë të çmuar miqësinë e popullit kinez. "Kina i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe popullit shqiptar në momente shumë të vështira të historisë së tij dhe për këtë shqiptarët u janë shumë mirënjohës.

Pikërisht atëherë kur Kina, nën doktrinën e Deng Hsiao Pin-it, filloi të ndërtonte Shenzhenin, diktatori shqiptar ndërtonte mijëra bunkerë dhe e çonte popullin e tij drejt varfërisë së thellë", - është shprehur Kryeministri Berisha gjatë fjalës së vet.

Madje, gjatë këtij takimi, kreu i ekzekutivit shqiptar nuk ka nguruar që të heqë vijë paraleleje mes kontributit që ka dhënë Partia Komuniste kineze dhe Partia Demokratike shqiptare në zhvillimin dhe ndryshimin që kanë sjellë në dy vendet e tyre respektive.


Sipas Berishës, të dyja këto forca politike, pra Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste kineze, morën përsipër dhe realizuan ndryshime të mëdha epokale në vendet e tyre.

"Kryeministri u shpreh se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste kineze kanë realizuar ndryshime të thella në vendet respektive, ndërkohë që ndihma e Kinës gjatë këtyre viteve të ndryshimit të Shqipërisë, ka qenë shumë e çmuar", - tha më tej Berisha.

Duke u ndalur në investimet në vend, Kryeministri Berisha mësohet të ketë thënë në takimin me Presidentin e vendit më të madh në botë, se Shqipëria është një vend i vogël, por që ofron potenciale shumë të mëdha për biznesin kinez.

Qeveria shqiptare, ka siguruar Kryeministri Berisha, nisur edhe nga miqësia e gjatë mes tyre, është e gatshme t'i ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, e cila ka një pozicion gjeografik kyç në Ballkan dhe Europë.

Ndërkohë, Presidenti Hu Jintao, vlerësoi se vizita e delegacionit shqiptar do të shërbejë si një shtysë e mëtejshme për zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë, si dy vende me një miqësi tradicionale 60-vjeçare. Miqësia e dy popujve tanë, vijoi ai, përbën një pasuri të vyer për marrëdhëniet midis dy vendeve.


Kreu i qeverisë shqiptare ka thyer rekordin, duke ngjitur 1500 shkallë në Murin e Madh Kinez

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›