E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vilat qeveritare, përleshje e gardistëve me pronarët e tokës

KONFLIKTI/ Gratë e familjeve kanë zgjedhur vetë radhën e parë, çka ka bërë dhe përfshirjen e tyre


VLORË - Konflikti që ekziston ndërmjet pronarëve të tokave te rezidencat qeveritare në Ujë të Ftohtë me përfaqësues të Gardës, është thelluar edhe më tej ditën e djeshme. Ndërsa vijojnë punimet nga ana e vilave qeveritare për ndërtimin e një gardhi rrethues, pronarët nuk kanë lejuar ecurinë e këtyre punimeve.

Rreth 40 familjarë, të cilët prej kohësh pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm të zonës pranë vilave qeveritare, kanë protestuar, duke akuzuar drejtoren e vilave qeveritare në Tiranë, Elsa Meksi, drejtoren e degës rajonale të Vlorës, Bahrije Isufi, si dhe deputetin Ardi Kollozi. Autoritetet institucionale, si dhe deputeti janë akuzuar se po veprojnë në mënyrë të tillë për grabitje të pronave.

Banorët kanë treguar edhe foto të viteve të kaluara, ato të viteve '30, duke demonstruar vendosjen e pronave si i kanë pasur, po kështu iu janë referuar edhe dokumenteve që disponojnë, si dhe fitimin e gjyqeve, sipas tyre, në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Punëtorët e vilave qeveritare të shoqëruar nga ushtarët e Gardës së Republikës kanë rinisur punën për vijimin e gardhit rrethues, çka ka bërë që pronarët t'iu përgjigjen me rezistencë.

Konflikti në këtë pikë është ashpërsuar, pasi në zonë kanë ardhur forca shtesë nga ana e policisë dhe ka nisur përleshja, ku gardistët janë përleshur me gra, fëmijë dhe të moshuar.

Gratë e familjeve kanë zgjedhur vetë radhën e parë, çka ka bërë dhe përfshirjen e tyre në këtë konflikt. Përleshja ka vijuar për rreth dy orë, ndërsa ka ndërhyrë më pas policia, duke mos i lejuar pronarët të rihyjnë në rrethimin e bërë nga Garda. Në ambientet e komisariatit janë shoqëruar pas kësaj tre persona nga ana e pronarëve.

Banorët janë shprehur të vendosur për vijimin e protestave. Sipas tyre, po iu dhunohet e drejta e pronës që atyre u përket me ligj, çka duhet të mos i lërë indiferente strukturat, por të ndërhyhet në vendosjen e së drejtës. Konflikti te vilat në Ujë të Ftohtë ka nisur prej vitit të kaluar, teksa është konkretizuar rrethimi i zonës pranë rezidencave qeveritare, për t'u njohur si zonë ushtarake.

Disa herë në muajin shtator për disa orë rresht në zonë ishin të gatshme patrulla policie. Nga brenda rezidencave nuk u bë asnjë prononcim, ndërsa ushtarët e Gardës vijuan shërbimet në disa pika brenda zonës së vilave në Ujë të Ftohtë.

Familjarët edhe atëherë pretenduan për dhunë të ushtruar ndaj tyre. Po kështu ata janë shprehur se nuk ka drejtësi dhe ligj, por shteti po funksionon sipas interesave, dhe jo bazës ligjore. A.Peçi

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›