E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët, të paktën 5 ankesa në ditë për mjekët

Jo të gjithë pacientët të cilët trajtohen apo marrin mjekim në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" janë të kënaqur nga pritja që u bëhet atje. Në drejtorinë spitalore, çdo ditë paraqiten nga 3 deri në 5 raste ankesash nga të sëmurët. Kryesisht ankesat janë për mungesë kulture dhe etike në komunikim mes pacientëve dhe personelit mjekësor, për mungesë kujdesi apo xhentilese, si dhe për mungesë të materialeve apo pajisjeve specifike. Shpesh herë të afërmit e pacientëve apo vetë ata shkojnë në Drejtorinë e spitalit "Nënë Tereza" dhe kërkojnë sqarime lidhur me qëndrimet e mjekëve, arsyen e përgjigjeve të tyre harbute. Por vlen të theksohet këtu se ka edhe nga ato raste, të rralla por të vërteta, kur të sëmurët apo të afërmit e tyre bëjnë letra falënderimi për kujdesin e marrë në spital apo për trajtimin njerëzor e mjekësor që u ka bërë personeli shëndetësor.

Ankesat

Ankesat që depozitohen pranë drejtorisë kryesisht janë në mënyrë verbale, por ka edhe nga ato kur ata paraqesin sugjerimet dhe ankimimet me shkrim. Të pakta janë rastet kur qytetarët shkojnë për të drejtuar një ankesë me shkrim të argumentuar me të gjitha detajet, me të dhënat personale, emër, mbiemër, firmë, ku të lënë dhe kontaktet e tyre për vazhdim të mëtejshëm të çështjeve.

Po ashtu, pacientët kërkojnë që nëpërmjet ankesës së tyre për personelin mjekësor të merren masa disiplinore. Veç të tjerash, kërkohet zgjidhja për ato çështje të cilat, sipas ankimuesve, janë të drejta dhe duhet të marrin zgjidhje sipas kërkesave të tyre. Ankesë apo falënderim, me letër apo në mënyrë gojore, të gjitha këto mbahen në dosjet e drejtorisë spitalore. Në fund të javës bëhet bilanci i rasteve dhe në fund të muajit jepen të dhënat për sa u takon pikave të shqyrtimit të mëtejshëm të problemeve apo thjesht ruajtjes së tyre në arkiva.

Denoncimet

Pas ankesave, pacientët mund të denoncojnë apo ta ngrenë çështjen e tyre më lart, duke kërkuar të drejtën e tyre pranë strukturave të tjera përkatëse. Urdhri i Mjekëve është një institucion i cili pret e përcjell ankesa të qytetarëve. Më pas, këshilli drejtues i këtij institucioni përzgjedh rastet më të rëndësishme për t‘i shqyrtuar dhe çuar deri në fund, madje edhe në prokurori.

Por sipas urdhrit të mjekëve, shumica e pacientëve i lënë në gjysmë këto procese, duke mos u shkuar deri në fund, duke mos u paraqitur në ballafaqime, apo edhe duke mos kërkuar vijueshmëri të çështjes, për të dalë në konkluzione, për të përmirësuar situatën dhe për të arritur në përfundim të diskutimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›