Temperaturat e larta, shtohet numri i pacientëve
Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë sjellë shtim të problemeve shëndetësore. Një numër i madh pacientësh, të cilët janë të detyruar të qëndrojnë në diell apo vuajnë nga sëmundje kronike, janë paraqitur për ndihmë në qendra shëndetësore e spitale. Temperaturat e larta kanë bërë që të rritet numri i të sëmurëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit të Kukësit. Dje, në qytetin e Kukësit temperaturat e regjistruara nga shërbimet e sinoptikës kanë qenë rreth 39 gradë Celsius. Sipas meteorologëve, deri tani ka qenë dita më e nxehtë e regjistruar për këtë verë. Kjo ka sjellë si pasojë shtimin e vizitave në spital, ku brenda 24 orëve paraqiten nga 35 deri në 50 persona në ditë për konsultë mjekësore. Vetëm në 24 orët e fundit ka shkuar në rreth 80 numri i personave me shqetësime shëndetësore. Shumica e të sëmurëve që kërkojnë ndihmë janë fëmijë të vegjël, të cilët paraqesin probleme të frymëmarrjes, të vjella, kollë dhe temperaturë. Mjekë thonë se këto ditë, me shtimin e qytetarëve që kanë shqetësime të shëndetit, është rritur edhe gatishmëria e personelit, ndërsa të sëmurëve u shërbehet kryesisht në mjediset e urgjencës ditore. Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë sjellë shqetësime edhe në aspektin e intoksikacioneve, helmimeve. Sipas mjekut infeksionit, Mark Nufi, kjo është një periudhë ku pavijoni i infektivit ka më tepër raste të shtruarish sesa sezonet e kaluara. Sipas tij, situata është nën kontroll të plotë. Specialistët e shëndetit i kanë porositur qytetarët që të shmangin qëndrimin në diell gjatë orëve të pikut të diellit, në mënyrë të veçantë punëtorët e bujqësisë dhe ata të ndërtimit.