E Diel, 1 Nëntor 2026

Cani: Ekonomia shqiptare në krizë, qeveria duhej ta kishte pranuar me kohë

Ish-guvernatori i Bankes se Shqiperise, Shkelqim Cani

Pavarësisht se qeveria këmbëngul se në Shqipëri nuk ka krizë, disa tregues të ekonomisë së saj flasin për të kundërtën. Treguesit në fjalë janë shenja të rënies së ekonomisë shqiptare për 3-mujorin e parë të 2012-s, pas ngadalësimit dy vitet e fundit. Një shkrim i publikuar në faqen SETimes bën një pasqyrë të ekonomisë shqiptare, duke cituar ekspertë vendas, të cilët flasin për krizë në ekonominë shqiptare dhe parashikime të zymta për vitin në vijim.

Inflacioni arriti në 0.6 gjatë shkurtit, sipas INSTAT, çka konfirmon rënien e kërkesës dhe konsumit. Gjithashtu, rënie janë shënuar edhe në investimet publike dhe private. Sektori i ndërtimit dhe ai i industrisë janë më të goditurit. Shqiptarët konsumojnë më pak, ndërsa importet kanë shënuar një rënie prej 21 për qind në dy muajt e parë të vitit. Remitancat, një nga burimet kryesore të të ardhurave për ekonominë shqiptare, kanë rënë me 9 për qind gjatë viti 2011 në krahasim me vitin paraardhës, sipas INSTAT-it.

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, thotë se qeveria duhej ta kishte pranuar krizën kohë më parë. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë dhe ekonomia shqiptare vuan tashmë pasojat e paditurisë, manipulimit të gjendjes reale dhe pasivitetit të saj, thotë Cani për SETimes.

Madje, Cani parashikon një vit akoma më të vështirë për ekonominë shqiptare. Borxhi publik ka arritur nivele alarmante, thotë ai. Në kushtet kur borxhi qëndron në rreth 60 për qind të GDP-së, pritet që ai të rritet akoma më shumë gjatë vitit elektoral 2013.

SETtimes citon edhe drejtorin e institutit Axhenda, Gjergj Filipi, i cili ngre të njëjtin shqetësim.

Konsumatorët janë investitorët më të mëdhenj në vend. Qeveria dukshëm ka shpenzuar më pak në 2010 e 2011 dhe shifrat e muajve të parë të 2012-s flasin për zhytje të vendit në krizë, thotë ai.

Ndërsa Sherefedin Shehu i PD në Komisionin e Ekonomisë ka një tjetër shpjegim për këtë. Sipas tij, rënia e konsumit ka ardhur si pasojë e tendencës së qytetarëve për të kursyer, të shqetësuar nga kriza ekonomike në Europë.

Banka Qendrore ka ulur disa herë normën e interesit për monedhën shqiptare në një përpjekje për të rritur konsumin, por reagimi i tregjeve ka qenë i dobët. Politikat monetare duhet të kishin qenë më agresive, thotë ish-guvernatori Cani.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje prej 0.5 për qind në Shqipëri për këtë vit, 0.2 më pak se rritja e rajonit në tërësi. Ndërsa parashikimi optimist i qeverisë mbetet në nivelet 4.3 për qind.

Faqja në internet e SETimes (Southeast European Times) është burimi kryesor i informacioneve mbi Europën Juglindore në 10 gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe shqipen. /  G. Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›