E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botuesja Arlinda Dudaj ndez debatin mbi botimin e Vargjet Satanike të Selman Ruzhdie

Share

Botuesja e njohur e shtëpisë botuese Dudaj, po provokon një debat publik mbi botimin e librit Vargjet Satanike të Selman Ruzhdie. Në një intervistë për Shqiptarja.com ajo jep arsyet e veta, të cilat kundërshtohen nga Komuniteti Myslyman.

Ja arsyet që sipas Dudaj duhet botuar ky libër

-Sepse është një nga romanet më të madhërishme të fundshekullit të njëzetë. Një roman i rëndësishëm plot vitalitet, dëshpërim e shpresë.
-Rushdie nuk fyen Muhamedin dhe Kuranin. Romani është një produkt fantazie, dhe ta shfaqesh në këtë dritë, do të thotë ta shmangësh krejt nga natyra e vërtetë. Po përtej kësaj, reagimet që dolën pas daljes së këtij libri njëzet vjet më parë dhe fatëa e Komeinit që e detyruan Salman Rushdie të jetonte si eremit, shtrojnë disa pyetje të rëndësishme, apo jo?
-Thirrja e Salman Rushdie për liri nuk është kundër Islam-it, por kunder Islamizimit politik, që pretendon të qeverisë çdo aspekt të jetës duke e nënshtruar të gjithë shoqërinë nën interpretimin e vet.
-Çdo autoritet, qoftë ky fetar, politik, kulturor, ekonomik mund të jetë një objekt për t’u kritikuar. Ky është kuptimi i një shoqërie moderne dhe të çliruar nga autoritarizmi. E nëse duam të bëhemi pjesë e saj, duhet ta kemi parasysh.
- Paranoja për të censuruar nuk mundet kurrsesi të shkatërrojë krijimtarinë letrare apo trashëgiminë kulturore botërore. Po të qe kështu duheshin censuruar edhe Dante apo Shekspiri.
- Para se të kritikojnë do të doja t’i ftoja kritizerët e Vargjeve Satanike ta lexojnë romanin, rresht pas rreshti. Do të apasionohen pas ngjarjeve të dy protagonistëve, do të shijojnë letërsinë e gjuhën e mrekullueshme e do ta kuptojnë që nuk ka asnjë element blasfemie.
- Rushdie është një shkrimtar që e dashuron lirinë dhe urrehet nga fanatikët. Këtu feja hyn pak do të thoja, në raport me urrejtjen që ka shkaktuar te ekstremistët e rinj totalitarë. Të mos harrojmë të përmendim romanin tjetër të tij, “Fëmijët e mesnatës”, i cili u pa si një kritikë ndaj dinastisë së Nehru-Gandhi dhe nga kërcënimet e të cilëve u detyrua të braktisë Indinë.

Pas deklaratës së bërë dy ditë më parë nga Dudaj, për të sjellë në shqip librin, i cili ka ngjallur reagime të forta nga myslimanët në të gjithë botën dhe madje në disa raste u ka kushtuar edhe jetën botuesve të këtij libri, “Shqiptarja.com” u interesua pranë komunitetit mysliman për të marrë një përgjigje se si do të pritej ky libër nëse do të botohej në shqip. Në fakt, zyra e shtypit e këtij komuniteti na shpjegoi se ende nuk ishin të gatshëm të jepnin një përgjigje zyrtare për këtë çështje, pasi duhet ta diskutonin, para se të dilnin me një qëndrim zyrtar në media.

ERMIR GJINISHI :Ai është një libër krejtësisht provokativ”

“Ai është një libër që deformon të vërtetën islame. Në Shqipëri gjenden gjithmonë shkaqe që të bëhen debate apo diskutime që nuk janë të nevojshme për Shqipërinë, por ky është problemi i tyre. Natyrisht që botimi i këtij libri nuk do të ishte diçka pozitive. Në botë ka pasur shumë reagime, nëse ju kujtohet, atëherë Irani, nxori edhe një çmim ekstra për kokën e Salman Rushdisë. Ne nuk kemi nevojë të krijojmë kështu situatash, nuk janë pozitive. Në fund të fundit pse duhet ta bëjmë?
Ai libër përveç konfliktit që mbolli në botën myslimane për shkak të pasaktësive dhe manipulimeve që i bënte librit tonë të shenjtë, nuk është se ka ndonjë vlerë shkencore të veçantë që po e drejton në kah tjetër botën. Ai është një libër krejtësisht provokativ”, – ka deklaruar Gjinishi.

FORUMI MYSLIMAN :Ne nuk jemi për djegie të librit, por as normale nuk është

“Normal që ne nuk jemi dakord që ky libër të përkthehet dhe të botohet në shqip. Përveç faktit që ai është një shkrimtar mediokër dhe nuk ka pasur asnjëherë asnjë lloj impakti, sepse Arlinda Dudaj e ka përkthyer Salman Rushdinë edhe më përpara. Sigurisht jo “Vargjet Satanike”, por ka përkthyer një libër të tij në 2003 ose në 2004. Ai libër nuk duhet të përkthehet sepse janë shumë gjëra ofenduese që i bëhen profetit tonë, dhe njëkohësisht, në gjithë këtë qetësi dhe në gjithë këtë tolerancë të harmonisë fetare që mbizotëron në pjesën më të madhe, të bësh një botim të tillë do të thotë të prekësh ndjenjat dhe sensibilitetet e të gjithë myslimanëve. Këtu nuk e kam fjalën për ne si forum, por për të gjithë besimtarët myslimanë që jetojnë në trojet shqiptare. Ne e kuptojmë që ajo do të fitojë pikë në kurrizin tonë me botimet e veta, ashtu siç ndodhi vetëm pak kohë më parë me libra të tjerë të saj, ne e kuptojmë që kjo është pjesë e marketingut të Arlinda Dudajt, por kjo nuk është gjë hiç e ndershme”, – na thotë Roald Hysa. Sa i përket pyetjes sonë që “nëse përkthehet a do të ketë reagime”, ai nuk e mohon një gjë të tillë. “Reagime të natyrës ekstreme ne nuk jemi dakord. Ne nuk jemi për reagime ekstreme, por edhe ajo zonja duhet të na kuptojë. Nuk mund të shkelësh këdo që të mundesh. Ne nuk marrim përsipër të themi që nuk do të ketë reagime të tilla, ose që do ta mbrojmë atë apo do i bëjmë ndonjë gjë. Ne thjesht reagojmë me fjalën. Ne nuk jemi as për djegie të librit, ne nuk jemi inkuizicioni që të djegim librat, por as normale nuk është. Të paktën unë kështu mendoj, por ndoshta mund të ketë edhe ndonjë person që mund të ketë reagime ekstreme, nuk garantoj dot gjë”, – na thotë përfaqësuesi i Forumit Mysliman Shqiptar, Roald Hysa

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›