Edhe tre kosovarë në Kombëtare
Selektori i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, e ka shpallur të enjten listën e futbollistëve, të cilët do t’i përfaqësojnë Kuqezinjtë në dy takimet miqësore, ndaj Katarit në Spanjë më 22 maj dhe Iranit në Turqi më 27 maj.
Ndër të ftuarit, për herë të parë shihen emrat e tre futbollistëve kosovarë; Mërgim Mavraj, Etrit Berisha dhe Mërgim Brahimi. Mbrojtësi Mavraj, i cili luan në Gjermani me Greuther Furthin, e kishte refuzuar dy herë Kombëtaren. Mirëpo, ai është penduar dhe mezi pret ta veshë fanellën kuq e zi në miqësoret e këtij muaji.
“Jam shumë i emocionuar, është një situatë mjaft delikate për mua. Unë e di se tifozët janë pak të mërzitur me mua dhe nuk e di se ç’efekt mund të ketë kjo. Por, do të kërkoja nga tifozët të më mirëkuptojnë. Unë kudo ku kam shkuar, e kam fituar respektin dhe besimin e tyre. Jam i sigurt se do t’ia dal edhe këtë herë dhe premtoj se do të bëj gjithçka që ta kem respektin e tyre”, theksoi ish futbollisti i Bochumit, i cili e falënderoi Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila është treguar gjithnjë e vëmendshme dhe ka pasur gjithnjë konsideratë për të.
Ndërkohë, portieri i Kalmarit, Etrit Berisha ndihet i lumtur që më në fund do t’i realizohet ëndrra për ta përfaqësuar Shqipërinë. “Normalisht, jam shumë i kënaqur dhe i emocionuar njëkohësisht, pasi kjo është hera e parë që ftohem. E kam pritur këtë ftesë që një kohë të gjatë, pasi ka qenë ëndërr fëmijërore për mua. Shpresoj që të më shkojë mirë kjo eksperiencë”, deklaroi portieri kosovar për Express.
Ai do të mungojë në ndeshje me Katarin, pasi që ka obligime me klubin, ndërsa pritet të jetë i gatshëm për duelin e dytë, atë ndaj Iranit. “Shpresoj të më jepet rasti në ndeshjen e dytë, pasi në të parën nuk mund të vij. Me rëndësi që trajneri dhe Federata e Shqipërisë më kanë ndjekur dhe janë në dijeni për mua. Kjo ftesë është një motiv shtesë për mua. Do të mundohem ta jap maksimumin sa herë të më jepet rasti të luaj”, vijoi Berisha i cili ndihet mirë dhe në formë, pas lëndimeve që e përshkuan kohëve të fundit.
Kënaqësinë për ta shijuar fanellën e Kombëtares në këto dy ndeshje pritet ta ketë edhe futbollisti tjetër kosovar Mërgim Brahimi, i cili aktualisht luan në ekipin zviceran Grasshoppers. Deri tash, ai ishte pjesë e ekipit U-21 të Shqipërisë, por këtë muaj do ta nisë eksperiencën me ekipin A të Kombëtares.
Aktualisht, fanellën e Shqipërisë e bartin: Samir Ujkani, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, derisa pas një pauze, ekipit mund t’i bashkohet edhe Besart Berisha. Këto dy ndeshje do të jenë një test i mirë për selektorin De Biasi, para fillimit të eliminatoreve për Botërorin 2014.
Grumbullimi, sot në Durrës
Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet ditën e premte (sot) në Durrës për t’u përgatitur për ndeshjet miqësore kundër Katarit dhe Iranit, të cilat do të luhen në Madrid dhe Stamboll. Skuadra do të grumbullohet të premten në Durrës dhe të dielën do të niset drejt Spanjës.
Lojtarët e ftuar:
Shpëtim Moçka (Apolonia)
Etrit Berisha (Kalmar)
Orges Shehi (Skënderbeu)
Tefik Osmani (Teuta)
Lorik Cana (Lazio)
Armend Dallku (Vorskla Poltava)
Admir Teli (Qaraback)
Franc Veliu (Flamurtari)
Mërgim Mavraj (Greuther Furth)
Andi Lila (PAS Jannina)
Mërgim Brahimi (Grasshoppers)
Ervin Bulku (AZAL Baku)
Sabien Lilaj (Lok. Zagreb)
Gjergj Muzaka (Skënderbeu)
Jahmir Hyka (Luzern)
Emiljano Vila (PAS Jannina)
Ansi Agolli (Qaraback)
Elis Bakaj (Chernomorets)
Erjon Bogdani (Siena)
Edgar Çani (Polonia Varshava)
Armando Sadiku (Locarno)
Hair Zeqiri (Rizespor)