Fajet i kanë klubet
Trajnerët do ta mbajnë në mend për një kohë të gjatë edicionin 2011/2012. Kjo pasi sivjet ata janë ndërruar aq shpesh nga ana e klubeve të Superligës, saqë një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e futbollit kosovar.
Asnjëra prej dymbëdhjetë skuadrave të Superligës sot nuk udhëhiqet nga i njëjti trajner me të cilin e kishte nis kampionatin. Madje, deri më tani, disa nga to i kanë bërë nga tri, katër, por edhe pesë rokada në shtabet teknike të tyre.
E për këtë, ‘viktimat’ e këtij fenomeni – trajnerët - fajësojnë klubet. Madje, ata nuk hezitojnë të thonë se klubet kosovare udhëhiqen nga njerëz që nuk kanë lidhje me futboll, prej të cilëve ndihen të nënçmuar. E këtë e arsyetojnë me faktin se sikur ta njihnin siç duhet futbollin, krerët e klubeve nuk do t’i provonin nga tre, katër e pesë trajnerë brenda një sezoni.
I këtij mendimi është edhe strategu kosovar Skender Shëngyli, i cili para disa ditëve u shkarkua nga Liria, derisa fat të njëjtë kishte pasur edhe te Vëllaznimi, udhëheqësit e të cilit e kishin larguar pak para përfundimit të sezonit vjeshtor.
“Assesi nuk po mund t’i kuptoj. Udhëheqësit e klubeve kërkojnë menjëherë rezultate pozitive nga trajneri me t’ia besuar detyrën. Kjo nuk ndodh askund. Ata nuk kanë durim t’i presin rezultatet, por i duan menjëherë dhe kështu shkarkojnë trajnerin”, deklaroi Shëngyli për Express.
“Ka edhe arsye tjera, për shembull raportet jo fort normale mes trajnerit e disa lojtarëve bëjnë që kryesia ta shkarkojë trajnerin, sepse këtë e ka më të lehtë sesa t’i largojë katër apo pesë lojtarë, ani pse ata ndoshta veç e dëmtojnë objektivin e klubit”, shtoi ai.
Shëngyli i bëri thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e posaçërisht Shoqatës së Trajnerëve, ta luftojnë këtë fenomen, e nëse është e nevojshme ta jetësojnë rregullin që një klub mos të ketë të drejtë t’i provojë më shumë se dy trajnerë brenda një kampionati.
“Shoqata e Trajnerëve dhe Federata duhet t’i kërkojnë kontratat e lidhura mes klubeve dhe trajnerëve për t’i vërtetuar ata, në mënyrë që ai që e prish padrejtësisht kontratën të paguajë dëmshpërblim”, vazhdoi Shëngyli.
Edhe Ajet Shosholli kohë më parë ka paralajmëruar se Shoqata e Trajnerëve, të cilën ai e udhëheq, do të bëjë çmos që t’i jetësojë rregullat e lartpërmendura nga edicioni i ardhshëm, me qëllim që të mbrohen trajnerët nga ‘stuhia e shkarkimeve’.