E Diel, 1 Nëntor 2026

Cape Verdes premton njohje të shpejtë të Kosovës

Në kuadër të angazhimit lobues për shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës, zv/kryeministri Behgjet Pacolli, ka vizituar shtetin e Cape Verdes.

Pacolli, siç njofton zyra për informim e tij, është pritur në një takim nga kryeministri i këtij shteti José Maria Neves me të cilin ka diskutuar për fillimin e ndërtimit të marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet dy vendeve

“Zëvendëskryeministri Pacolli ka njoftuar kryeministrin Neves me progresin demokratik të shënuar në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë me 2008 dhe në veçanti për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së”.

Sipas Pacollir, fakti që Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog për normalizimin e marëdhënieve, nënkupton pranimin e realitetit të ri dhe fillimin e një faze të re të raporteve ndërfqinjësore në rajonin e ballkanit.

Në këtë kontekst, Pacolli – siç njofton Zyra e tij - ka kërkuar nga autoritetet e Cape Verdes që të procedojnë me njohjen formale të Republikës së Kosovës.

“Në anën tjetër, kryeministri Neves ka vlerësuar angazhimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe ka premtuar se shteti i tij, shumë shpejt do të rreshtohet në radhën e vendeve që kanë njohur shtetin e Kosovës, duke pasuar me lidhjen e marëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve”, thuhet në komunikatë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›