E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cardin: Mali i Zi dhe Kosova të shkëmbejnë ambasadorët

Uashington -Kryesuesi i Komisionit amerikan të Helsinkit, senatori Benjamin Cardin ka vlerësuar se Mali i Zi mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në rajon. Pas kthimit nga një vizitë në Podgoricë në krye të një delegacioni të Senatit amerikan, Cardin është shprehur për "Zërin e Amerikës" se "Mali i Zi mund të luanjë një rol shumë të rëndësishëm kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës".

Senatori Cardin ka çmuar faktin se Mali i Zi e ka njohur Kosovën duke thënë se "kjo paraqet një hap të madh drejt përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara". Por ai porositi që Mali i Zi dhe Kosova duhet të shkëmbejnë edhe ambasadorët.

"Sinqerisht do të doja që Podgorica dhe Prishtina ndoshta duhet të shkëmbejnë ambasadorët. Mendoj se kjo do të ishte një hap pozitiv", theksoi senatori Cardin, duke shtuar se ndërmjet SHBA-ve dhe Malit të Zi nuk ka çështje kontestuese.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›