15 vjet gërmime, restaurime dhe vizitorë
Butrinti mbetet gjithnjë tërheqës si për vizitorët edhe për ata që shtojnë vlerat e zbuluara në qytetin më të famshëm antik në Jugun shqiptar. Shqiptarët dhe grekët, italianët dhe anglezët janë partnerë pothuaj të përvitshëm në kërkime e gërmime arkeologjike, por edhe me punime restauruese në Butrint. Ekspeditat e sivjetme kanë shënuar vitin e 15-të të konkretizimit të këtij bashkëpunimi në ekspedita kërkimore, studimore e restaurim. Ato që u kanë interesuar ekspertëve të huaj dhe shqiptarë këtë vit janë tre drejtime. Gërmimet arkeologjike janë përqendruar në Bazilikën e Akropolit, të eksploruar më parë nga italianët, shqiptarët dhe grekët. Restaurimi i dyshemesë së mozaikut dhe dyshemesë me suva, ka qenë objekt i punës së mozaicistit Agron Islami nga Instituti i Monumenteve, në mbështetje të të cilit ishin edhe specialistë të Parkut Kombëtar të Butrintit. Të tjera gërmime, të drejtuara nga shqiptarët janë realizuar në muret mbrojtëse perëndimore mesjetare. Ndërkohë, një program trajnimi, i drejtuar nga prof. i asociuar, Dhimitër Çondi, dhe arkeologu anglez, prof. Hodges, kishte në objekt gërmime në fushën e Vrinës. Gjatë gërmimeve, u mundësua zbulimi i një vile romake dhe një mauzoleumi në fushën e Vrinës. Kjo u bë e mundur me pjesëmarrjen e specialisteve dhe studentëve shqiptarë nga Universiteti i Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Gjirokastrës e Elbasanit, që kanë pasur në krah edhe studentë nga vende të ndryshme europiane. Prof. Hodges thotë se paralelisht me gërmimet dhe gjetjet, ka vijuar studimi i materialit të zbuluar në fushën e Vrinës, si në vilën romake edhe në mauzoleum. "Me gjithë numrin në rritje të vizitorëve në park, puna restauruese në këtë qytet në mbrojtje të UNESCOS-s mbetet e një rëndësie të veçantë", tregon ai. Qeramika dhe kockat e kafshëve të zbuluara gjatë gërmimeve të këtij viti dhe të disa viteve më parë, janë vënë në objektin e punës arkeologjike të një skuadre të përbashkët të specialistëve shqiptarë dhe të huaj. Pritet që rezultatet e kësaj pune dhe përfundimet që do të nxirren nga gërmimet shumëvjeçare të publikohen në punë studimore, të cilat do të plotësojnë më tej përfytyrimin për pasurinë dhe rëndësinë e Butrintit si pjesë e trashëgimisë botërore arkeologjike. Ajo që nënvizon prof. Richard Hodges lidhet me nevojën që mendon se kanë monumentet dhe territori i Butrintit për një monitorim dhe punë restauruese të përhershme. Për momentin, një program intensiv i konsolidimit të mureve dhe ndërtesave është në proces, duke u përqendruar kryesisht në muret rrethuese, në bazilikën e madhe dhe zonat përreth. Menaxhimi i bimësisë përbën një pjesë të rëndësishme të këtij programi dhe pemët janë duke u pastruar nga degët e tepërta dhe rrënjët e dala jashtë që rrezikojnë rritjen e pemëve të reja. Jo më pak i evidentuar është fakti që në Butrint tashmë janë disa pemë të prekura nga ajo që njihet si sëmundja e Dutch Elm. Specialistët thanë se nga kjo sëmundje janë prekur disa nga pemët e parkut ca vite më parë. Për rehabilitimin e tyre, pemët e infektuara kanë nevojë për monitorim dhe shërbim. Gërmimet arkeologjike në Butrint vazhdojnë që prej vitit 1994, si një bashkëpunim midis Institutit të Arkeologjisë, Parkut Kombëtar Butrinti, dhe Fondacionit "Butrinti". Gjatë këtyre 15 vjetëve listohet një numër i madh gërmimesh, programesh restaurimi dhe trajnime studentësh dhe specialistësh, mjaft prej të cilave janë realizuar si një bashkëpunim mes ekspeditave shqiptare e atyre të huaja.