E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carla del Ponte duhej hetuar edhe më herët

Në një artikull të gazetës prestigjioze “The Guardian” thuhet se ish-kryeprokurorja e TPI-së, zonja Del Ponte do të hetohet për lejimin e frikësimit dhe të dhënies së ryshfetit për dëshmitarët, si dhe për shkatërrimin dhe dëmtimin e provave të ndryshme. Gjykata e OKB-së, në këtë tribunal, gjithashtu ka urdhëruar të bëhen hetime të pavaruara, dhe me këtë do të merren dy prokurorët kryesorë, Hidelgard Ulitz Reetzzlaff dhe Daniel Saxon.
Ky hetim filloi për shkak se ka dyshime se dëshmitarët ishin kërcënuar, paguar dhe keqtrajtuar, duke bërë që të dëmtohen provat e proceseve gjyqësore. Carla del Ponte, e cila sa ishte si kryeprokurore shumë pak ka bërë në arrestimin e kriminelëve serbë, para 17 vjetësh, dukej se do të ishte parimore në proceset gjyqësore. Por, ka gjasa, që më vonë të jetë e korruptuar nga serbët, të cilët edhe kishin bërë më së shumti krime, me rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Del Ponte dy herë radhazi kishte refuzuar edhe kërkesat e Haris Silajigjiqit, bërë TPI-së, që Serbia të dënohet për gjenocid. Mospranimi i një kërkese të tillë nga Gjykata e Hagës i kishte irrituar myslimanët, e veçmas ata të qytetit të Srebrenicës, ku serbët kishin kryer masakrën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Kryeprokurorja Del Ponte, gjatë mandatit prapa grilave, kishte dërguar vetëm disa prej drejtuesve të luftës në Ballkan, por jo edhe shumë kriminelë të tjerë, të cilët sot sillen lirshëm. Kjo padi që do t’i ngrihet Del Pontës, e vërtetojnë edhe dy fakte të tjera. I pari, po del si e vërtetë deklarata e vitit 2007, e prokurorit të Tribunalit të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice, i cili kishte thënë se kryeprokurorja Ponte ka arritur marrëveshje me Beogradin, që t’ia mundësojë Serbisë që t’i fshehë dëshmitë për përzierjen e saj në krimet e luftës në BH dhe në Kroaci. Pastaj kjo, në librin “Gjahu, lufta ime dhe kriminelët e luftës” kishte bërë përpjekje për ta manipuluar opinionin botëror, se gjoja pjesëtarët e UçK-së, paskëshin rrëmbyer civilë serbë etj, e se gjoja na i paskëshkan dërguar në Burrel të Shqipërisë, të cilët medemek i kishin vrarë dhe marrë organet për t’i shitur ato! është qesharake fakti se zonja në fjalë e kishte dënuar një kriminel të luftës, si Sheshelin, vetëm me 15 muaj burgim!
Dihet se bandat e Sheshelit, Arkanit, kapiten Draganit dhe shumë kriminelëve të tjerë, me emërtime të ndryshme, kishin bërë masakra çnjerëzore në Kosovë. Të dënohej një kriminel i tillë aq pak, është qesharake! Të gjitha këto kryeprokurorja Del Ponte i ka bërë me paramendim, që Serbia të mos dënohet për gjenocid. Kryekrimineli Millosheviq, në rrethana të pasqaruara, vdiq në qelitë e Hagës, krimineli Mulutinoviq u lirua, siç u liruan edhe disa kriminelë të tjerë!
Një hetim i tillë është dashur të niset fill pas largimit misterioz të Karla Del Pontes nga posti kryesor në TPI. Ajo nuk hezitoi të burgosë edhe shqiptarë, të cilët e mbrojtën pragun e shtëpisë, pa vrarë civilë serbë. Të barazohet viktima me xhelatin, siç e bëri këtë punë Del Ponte, nuk justifikohet me asgjë. Sips gazetës The Guardian hetimet ndaj Del Pontës Tribunali i ka marrë seriozisht. Dhe mirë ka bërë se kjo zonjë ishte e njëanshme, dhe shumë pak ka bërë për arrestimin e mijëra kriminelëve të luftës, të cilët as që po hetohen…

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›