Carlos Ernesto Garcia dhe vëllimi poetik Unë nuk kam shtëpi
Poeti i njohur latin vitiziton Tiranën
Në harkun e kësaj jave, për herë të parë, një përfaqësues i poezisë amerikano- latine është duke vizituar Shqipërinë. Ai ka lindur më 1960, në Santa Tecla, në El-Salvador dhe që prej vitit 1980 punon dhe jeton në Barcelonë të Spanjës. Emri i tij është Carlos Ernesto Garcia dhe vepra me të cilën i prezantohet publikut shqiptar është vëllimi poetik Unë nuk kam shtëpi. Ky vëllim është sjellë për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese Dita 2000 dhe përfaqëson një përmbledhje të poezive të tij të marra nga tre librat: Derisa kolera të kalbet (Barcelonë, 1994); Një pikënisje për dashurinë (Barcelonë, 1996) dhe Valixhja në papafingo(Jaen, 2009). Antologjia me titullin Unë nuk kam shtëpi është botuar në El Salvador në vitin 2009. Gjithashtu, Carlos Ernesto Garcia ka botuar një libër me novela, të titulluar Ëndrra e dragoit, në të cilin rrëfen për udhëtimin e tij përgjatë lumit Jance, në Kinë. Mbështetur mbi librin e tij, Nën hijen e Sandinos, bazuar në intervistat e marra nga ish-komandantët e Frontit të Sandinëve për çlirimin kombëtar të Nikaraguas, është duke u realizuar një film dokumentar, i cili do të shfaqet këtë vit në TV. Vepra poetike e Garcias është përkthyer në gjuhë të ndryshme, si angleze, kineze, arabe, italiane, holandeze, në promovimin e të cilave ai ka qenë i pranishëm si i ftuar në qytetet kryesore të SHBA-së, Amerikës Latine, Azisë dhe Evropës. Carlos Ernesto Garcia është poet, intelektual dhe aktivist shoqëror që jep kontribut të madh për fëmijët në vendet e varfra, në ndihmë të edukimit të tyre, duke bashkëpunuar me UNICEF-in. Vepra e Garcias është njohur e vlerësuar nga personalitete të njohura të shkrimeve në shumë vende të botës. Në një koment të bërë prej kritikes dhe pedagoges se Letërsisë në Universitetin e Granadës, Ana Gallega Cuinas, thuhet: Carlos Ernesto Garcia shkruan për të kujtuar, për të fiksuar (si një imazh, si një fotografi) një ndjesi, në një mënyrë të atillë që arrin të transformojë poezinë e çasteve të eksperiencës, në çaste të absolutes. Vazhdimësia e poetikës të këtij poeti bëjnë thirrje me transparencën e formës, ashpërsisë gjuhësore, shkurtësinë, densitetin e gjuhës dhe paralelizmin si për të thënë amen dhe fiksimin me saktësi të imazhit që do të shkëpusë. Poezi e imazh. Një e shtënë, një ndjenjë përfshirëse dhe një grusht vargjesh, - shkruan ajo. - Janë të paktë ata, si Carlos Ernesto Garcia që vazhdojnë të imagjinojnë vargje, të cilat kthejnë shikimin, duke vënë bast deri në pafundësi, për një poezi analogjike. Gjate vizitës së tij në Shqipëri, botuesit bëjnë të ditur se poeti do të marrë pjesë në takime me lexues dhe të rinj të disa qyteteve të vendit, si me të rinj të shkollave në Pogradec, me shkrimtarë dhe studentë e pedagogë në Elbasan, me të rinj dashamirës të Letërsisë në Shkodër. Në qytetin e Durrësit do të organizohet një konkurs recitimi ku do të interpretohen poezitë e tij. Mbyllja e vizitës së poetit në Shqipëri do të bëhet në Tiranë, më 27, në një takim të organizuar nën kujdesin e ambasadës spanjolle.