E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portretet e socializmit

Zef Shoshi prezanton në GKA 50 vitet e pikturës së tij realiste: peizazhi i fshatit, figura statike e gruas dhe heronjtë.


Gjithçka që censura e lejonte. Femra e pas 90-ës, ende punon në arë, me shat në brez, e mbuluar me shami


Në Galerinë Kombëtare të Arteve është hapur, deri më 9 prill, ekspozita personale e piktorit Zef Shoshi, një përmbledhje e krijimtarisë së tij 50-vjeçare. Në mure janë varur 66 punë, ku dominojnë portrete burrash dhe gra malësore, portrete figurash historike, peizazhe fshati në veri të vendit, të realizuara ndërmjet viteve 1956-2010.


Edhe pse një kohë të gjatë në art, është ekspozita e parë që Zef Shoshi ka në sallën e madhe të Galerisë së Arteve, të gjithën për vete.


Portreti "Gjyshja" është i pari që del përpara, puna e parë që ai ka ekspozuar në Galeri, e realizuar në vitin e fundit në Liceun Artistik të Tiranës, "Jordan Misja", 1956.


Një vit më vonë Zef Shoshi u nis për në Shën Pjetërburg, Leningradi i dikurshëm, ku studio 4 vjet (1957-1961) në Akademinë e Arteve të qytetit rus.
Vetë artisti, i pranishëm në ditët e para të ekspozitës në GKA, na shpjegon se këtij shkollimi ia dedikon zanatin.


"Prandaj bëhet ajo shkollë, që të zotërosh mjetet shprehëse, të japësh me vërtetësi figurën e njeriut, psikologjinë, karakterin, situatat kompozicionale. Për të marrë formimin e duhur kulturor, dhe të krijosh kontaktet me galeritë e artit.


Edhe ato janë të rëndësishme", pohon Zef Shoshi, duke zënë në gojë edhe emrin e një prej galerive të qytetit rus, muzeumin "Hermitage". Nudoja e vetme e ekspozitës është bërë në kohën e studimeve.


Shoshi qëndroi në Shën Pjetërburg deri më 1961, dhe nuk mundi të përfundonte studimet, pasi ishte koha kur Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik. Ai u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Kësaj kohe i takojnë edhe portrete të tjera të realizuara në vaj, "Portret vajze", "Tors plaku", "Karvani", "Pushim pas pune".


Këto punë dallojnë prej të tjerave, për nga shprehitë, ngjyrat e mbyllura, dora më e çliruar në përvijimin e tipareve. Tiparet e "Gjyshes" (1956), fytyra me vraja dhe rrudha, sytë e menduar, qafa e vyshkur, duken më konkrete se ato të "Plakës Mirditore" (1995). Po ashtu Portreti i Vajzës (1957), shpreh më shumë se "Gjimnazistja"(1973).


Edhe vetë artisti na shpjegon se për një dhjetëvjeçar, që nis qysh me vitin '60 dhe mbërrin deri tek Plenumi IV, 1974, artistët ishin më të lirë në punën e tyre dhe "kanë krijuar vepra dinjitoze"


"Nuk kanë pasur ngarkesë psikologjike, pengesë, sforcim. Vetëm pas Plenumit të Katërt u bë një situatë më e rënduar, e kërkesave, e ngushtësimit. Mendohej sikur artistët po ndikoheshin nga rrymat e huaja, mikroborgjeze, siç quheshin në atë kohë. Nga vitet '70 deri në '73 kam bëra disa vepra interesante, më të çliruara. Për shembull veprën "Toka jonë", me një karakter më dekorativ, më e thjeshtëzuar në formë, me një farë prirje për të stilizuar", pohon Shoshi.


Model për ndikimin e ideologjisë në artin e kohës, duket se është "Vjelësja e Duhanit", (1971), punëtorja tipike, me shpatulla të gjera dhe llërë të mëdhaja.


Edhe pse vetë nuk është ndjerë i kufizuar, temat që ai realizonte nuk binin "ndesh" me ideologjinë e kohës, ka pasur për të një moment kur ka provuar për një art ndryshe dhe nuk i është lejuar.


Bëhej fjalë për vitin 1961, kur ndjeshmëria e tij artistike u tërhoq prej kubizmit. Ka bërë një skicë, që e realizoi vetëm pas vitit 1991. Edhe në ekspozitë, shihet diku tendenca e kubizmit, tek "Katër figura në këmbë", vaj, 2006.


Zef Shoshi ka pikturuar në qetësi këto vite. Nuk ka pasur ndonjë shtysë të brendshme për një lloj tjetër arti dhe kjo është piktura që formimi i tij i diktonte.


"Këtë formim kam pasur", përgjigjet ai kur e pyesim përse gruaja, nëna, vajza, në pikturat e mëvonshme të tij, nuk ndryshon në portret, në veshje, në mënyrën e jetuarit. Edhe në koleksionin e pikturave të pas viteve '90, "Kokë portret Zadrimore" (1993), "Pushim pas korrjeve" (1994), "Në bisedë" (2005), "Grup portret" (2005), "Gratë me shtamba" (2006), shihen malësoret e veshura me fustane të gjata me ngjyra të ndezura, pantallona poshtë tyre, një futë të hedhur sipër, me shami të mbështjella rreth kokës, që kanë të njëjtën prerje flokësh, shkurt deri tek nofulla.


"Është tërheqëse në figuracionin e saj, në linjat e saj, prandaj ka qenë një objekt i admirueshëm për mua në të gjitha kohërat që nga fillimi i krijimtarisë sime e deri më sot", pohon Shoshi për femrën, që e ka shumë prezent në këtë ekspozitë, sidomos Zadrimoren. Kjo tërheqje shpjegohet me origjinën e tij, Malësia e Dukagjinit. Gruaja e Shoshit nuk ndryshon as edhe në 2009-ën.


Në pikturën


"Mjedis fshataresk" 2009, ajo shihet ende me shami në kokë, me fustan të gjatë, e poshtë tyre pantallonat. Është përsëri në arë, me drapër në dorë, duke korrur grurin, dhe tutje shihen shtëpitë e fshatit.


Shpesh e shohin zhvillimin e artistit të lidhur me perspektivën, ndryshimet që kanë shoqëruar artin e tij, si e projekton ai të renë. Por ky nuk është rasti i Zef Shoshit. Ai ngelet fanatik i stilit dhe temave të njëjta: fshati, gruaja socialiste, dhe figurat e heronjve. Në ekspozitë prezantohet piktura "Në mbrojtje të qeverisë së Vlorës" (1982), boceti i "Kuvendit të Lezhës" dhe portreti i Pashko Vasës.


Piktori Zef Shoshi i përket pjesës së artistëve që bën art dhe u vlerësuan në kohën e socializmit si: Sali Shijaku, Skënder Kamberi, Ksenofon Dilo, Vilson Kilica, Guri Madhi, Fatmir Haxhiu, Danish Jukniu, Ismail Lulani, të cilët nga ana tjetër, duhej të bënin gjithmonë vepra dinjitoze.


"Përgjegjësia ishte, jo vetëm të punoje vazhdimisht, por të punoje me cilësi", thotë Shoshi, që në atë kohë i është besuar edhe "Portreti i shokut Enver" (1974). Artisti na thotë se krijimtaria për figurën e Enver Hoxhës, me tablo, portrete, gravura dhe vizatime, kërkon një ekspozitë më vete. Kjo është arsyeja që nuk ka asnjë gjurmë në këtë ekspozitë.


Po përse pëlqeheshin veprat e Shoshit? "Për vërtetësinë e karaktereve, ambienteve, situatave. Në përcaktimin e karaktereve, vërtetësisë së jetës"
Viti '90, hapja e tregut, lëvrimi i rrymave të reja, nuk mund të ishin të lehta për artistët që kishin krijuar para këtyre viteve.


Befas janë pa një treg të sigurt, të zhveshur nga privilegjet, ishin thjesht të lirë për të krijuar. Kurse Shoshi pohon se nuk ka bërë ndonjë ndryshim të madh, "realist ka qenë atëherë, realist vazhdon të jetë". 20 vitet pas përmbysjes ai i sheh më të mira për artin, artisti vlerësohet më shumë materialisht. Por është i pasigurt. "Fill pas demokracisë për arsye se m'u hoq krijimtaria e lirë, ngela pa vend pune. Kështu që m'u desh të punoja.


Pasi dola në pension pata një farë stabiliteti sepse filluan të vinin biznesmenë dhe të huaj që të blinin punë" e kujton Shoshi këtë kohë, duke shpjeguar, se kjo situatë vazhdon ende, në pritje të të huajve dhe biznesmenëve.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›