E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carlos Santana

Këngët e mia më ndjekin kudo, madje edhe në taksi Ishte një lavdi e vjetër, pastaj, falë një disku kult, që tani do të publikohet në versionin e ri, mbreti i kitarës ka pushtuar sërish radiot e botës. Më në fund Santana ka hapur portat e botës së tij të përbërë nga tingujt qiellorë, takime të papritura dhe kthime të pabesueshme

“Tridhjetë fansa të Marilyn Manson dhe... unë që gjendesha në njërin trotuar e në tjetrin ata, të veshur me xhupa lëkure, kishin piersing, me flokë të gjatë dhe fytyra prej vampirësh. Po më shihnin dhe po i shihja pa ua ndarë sytë, deri sa më i frikshmi guxoi të kalonte rrugën, natyrisht për të më shtrënguar dorën dhe për të më thënë: ‘Hej, je i madh’”. Atë natë në Gjermani, Carlos Augusto Alves Santana nuk do ta harronte lehtë atë që ndodhi: “Respekti i shefit të atyre ‘njerëzve të frikshëm’ e përforcoi edhe më shumë bindjen time që muzika e bukur ‘i flet’ zemrës së çdo njeriu, të gjithëve pa përjashtim. Mendoj se ky është sekreti i ‘Supernatural’, ‘bestselleri’ im i shitur në 27 milionë kopje”, nënvijëzon kitaristi meksikan.

Dhjetë vjet pas atij triumfi, kitaristi meksikan feston kulmin e karrierës së tij, duke publikuar “Supernatural” (Legacy edition), albumin e tij origjinal, të zgjeruar nga një CD tjetër e mrekullueshme me këngë të papublikuara më parë dhe mjaft të rralla.

“Tani ishte çasti të dëgjonim të gjithë atë që kishim incizuar në një moment gëzimi dhe krijimtarie timen e të muzikantëve që kanë punuar me mua: Eric Clapton, Lauryn Hill, Eagle Eye Cherry dhe të gjithë të tjerët. Babai im José, një violinist nga Autlán de Navarro, thoshte gjithmonë: muzika që ka shpirt ngulet më thellë se një thikë e mprehtë. Pjesa tjetër janë vetëm tinguj dhe zhurma, shpeshherë të bezdisshme”. Në fakt Santana nuk mbështetet diku kur flet për artin e tij. Për të, të dredhë kordat e kitarës është një akt shpirtëror, një moment ndriçues në errësirën e jetës nëntokësore. “Për të kuptuar sensin e historisë sime, më është dashur të lë mënjanë arsyetimin. Mjafton të mendosh për ‘Woodstock’: unë dhe muzikantët e mi shfaqemi para pesëqind mijë personave pa incizuar asgjë, madje asnjë disk, si një grup krejtësisht i panjohur. Shkuam në festival më këmbë, sepse të gjitha rrugët ishin të bllokuara. Deri në një farë pike, në mes të një kaosi total, u gjendëm në shkallët që të çonin në skenë. U ngjitëm dhe filluam të luanim pa verifikuar volumin e instrumenteve dhe katastrofa që shkaktuam u transformua në një spektakël të çmendur me publikun e ngritur në këmbë duke na duartrokitur”.

Për jetën dhe karrierën e tij Santana flet sikur të jetë zhytur në ndonjë përrallë, në një univers të bërë nga kujtimet e ëmbla dhe meloditë “prej mëndafshi”. “E shoh babanë tim të ulur përpara shtëpisë me violinën mes duarve. Sodiste qiellin dhe pastaj fillonte të luante me të duke mbledhur në oborr të gjithë zogjtë e zonës. Nuk luante ndonjë pjesë të saktë, por nuk ishte as një zhurmë e thjeshtë. ‘Ky është një ton universal, që të lejon të komunikosh me pjesën tjetër të botës përmes një instrumenti’, thoshte babai. ‘Dhe ajo që e bën të pavdekshme muzikën e Bob Marley, apo John Coltrane’, shtoj unë. Sapo babai im fillonte të luante, njerëzit dilnin nga shtëpitë dhe uleshin rreth e rrotull tij. E adhuronin. Sa herë që ngjitem në skenë, sjell ndërmend atë moment dhe shpresoj që publiku të më rrethojë me të njëjtën shpejtësi dhe dashuri”.

Në botën magjike të Santana-s, rasti nuk ekziston. Ka gjithmonë të përgatitur një plan, diçka shpirtërore që vë në lëvizje veprimet e njeriut dhe mbështetet pikërisht në këtë pikë për të treguar se çfarë i ka ndodhur me albumin “Supernatural”: “Nga viti 1972 deri më 1999-n, muzika ime injorohej pothuajse krejtësisht nga radiot. çdo gjë që bëja nuk kalonte në eter. Falë ‘Supernatural’ gjithçka ndryshoi. Sa herë që hipja në ndonjë taksi, në radio transmetohej minimalisht një këngë nga albumi im. Dhe kjo ishte e mrekullueshme, sepse më bëri të ngjitesha shpesh nëpër skenat muzikore. Gjatë regjistrimeve të albumit “Supernatural”, mbi kokën time fluturonin shumë engjëj dhe më sugjeronin se çfarë të bëja”.

Në fakt ishte fati që e ndihmoi, sepse asnjë nuk e imagjinonte suksesin në vitet ’90 të burrit nga Autlán de Navarro. Si shumë figura të tjera karizmatike të viteve ’70, edhe Santana ishte i vendosur ta provonte fatin e tij në muzikë. Për këtë arsye surpriza ishte e madhe kur nisi një lloj gare mes kolegëve për të marrë pjesë në incizimin e “Supernatural”. “Të parët u paraqitën në studio Eric Clapton, Wyclef Jean i grupit ‘Fugees’ dhe Rob Thomas i ‘Matchbox 20’ (një grup roku mjaft popullor në Amerikë), dhe çdo njëri me theks të ndryshëm, tregoi të njëjtën gjë: ‘Prej javësh nuk bëj gjë tjetër veçse dëgjoj muzikën tënde në televizor, aeroport, palestër; mesa duket ishte fati ai që dëshironte të luanim diçka së bashku’”.

Vala e madhe e suksesit diskografik e shtyu Santana-n të përballej sërish me preferencat e publikut në tërë botën. “Ka dy lloje koncertesh, ato normale dhe ato të mrekullueshme. Te kategoria e parë është një shkëmbim ndjesish dhe emocionesh mes atij që luan dhe tjetrit që dëgjon. Të tjerat janë momente ekstaze: dy orë gjatë të cilave nuk llogaritet më koha dhe forca e gravitetit. Në këtë pikë të karrierës, hamendësoj që pas pak sekondash më pret një spektakël i madh. Më mjafton të prek telat e kitarës sapo ngjitem në skenë. Dridhja e kordave më ngre adrenalinën. Në muzikë gjithçka është e kopjueshme, si një CD ashtu edhe një mp3. E vetmja gjë e papërsëritshme është shfaqja, që asnjë teknologji në botë nuk do të arrijë ta kopjojë”.

“Unë vij nga koha e sinjaleve të tymit, nga magnetofonat me kaseta. Kam një kasetë që e ruaj prej një dekade. është një përmbledhje që e kam titulluar: ‘Këngë për një botë më të mirë’, me këngët e Bob Dylan, John Lennon, Miles Davis, John Coltrane, Jimi Hendrix. Megjithatë një ëndërr teknologjike e kam edhe unë: të kem një televizion satelitor të gjithin për vete. Do t’i hapja programet me pamjet e një lindje, sepse në televizor shihet vetëm se si vdes, rrallëherë ka hapësirë për gjënë më të bukur në botë: një fëmijë që lind”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›