Kalo: Spitalet publike e private të akreditohen
Spitalet publike dhe ato private duhet t’i nënshtrohen procesit të akreditimit, i cili duhet të jetë sa më shpejt, pasi vetëm kështu pacientët shqiptarë do të mund të bëjnë zgjedhjen e duhur për shërbimin shëndetësor që kërkojnë. Kjo deklaratë vjen nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo. Ai thotë se procesi nuk po fillon, pasi po zvarriten disa procedura administrative nga strukturat e Shëndetësisë. “Ligji presupozon që të gjitha institucionet shëndetësore publike apo private, duhet t’i nënshtrohen këtij procesi të akreditimit, bazuar në standarde”. Pritet një vendim i qeverisë që do të legalizojë ose do të rregullojë mënyrën se si do të zhvillohet ky proces, sa ditë do të zgjasë vëzhgimi, sa njerëz do të shkojnë, si do të bëhet procesi i marrjes së vendimit”, thotë Kalo. Drejtori i Qendrës së Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore thotë se këtë verë do të përfundojnë dhe monitorimet mbi eficencën e të gjitha spitaleve, ku do të përcaktohen se cilat shfrytëzojnë maksimalisht kapacitetet dhe nuk djegin fondet. “Faza e parë e projektit është që të bëjë një fotografim analitik dhe pastaj analizë të gjendjes se ku janë spitalet, çfarë bëjnë, çfarë njerëzish kanë, çfarë pajisjesh, si funksionojnë, pse nuk funksionojnë, kush është cilësia, etj., dhe kjo duhet të çojë në një fazë reflektimi”, thotë Kalo. Vetëm disa ditë më parë, strukturat e shëndetësisë kanë deklaruar se janë spitalet rajonale ato që nuk shfrytëzojnë maksimalisht shtretërit e tyre, ndërkohë që fondet alokohen në masën e kërkuar.
#