Carlos Tevez: Unë mbipeshë? Sa për të qeshur
Sulmuesi: Nuk kthehem më në kombëtare, ja e vërteta për Mesin
Carlos Tevez nuk është aspak një tip që mund të frenojë gjuhën. Këtë gjë e dinë mirë në Manchester ku në të kaluarën sulmuesi argjentinas nuk ka hezituar të hyjë në polemika me Alex Ferguson dhe Roberto Mancinin dhe është e qartë se edhe në Itali nuk është se do të ndryshojë sjellje dhe nuk do ti kursejë polemikat në rast se kërcënohet figura e tij.
Mbipesha
Ja përse përpara se të hipte në avionin e linjës direkt për në Torino për të filluar aventurën me fanellën bardhezi ka dashur të sqarojë zërat e ditëve të fundit që ai është mbipeshë. “Nuk kam arritur akoma tek Juve dhe ka nga ata që pretendojnë se jam mbipeshë dhe duhet të dobësohem 6 kilogramë. Por nëse nuk jam peshuar akoma? Më vjen për të qeshur kur dëgjoj të tilla gjëra. Juventus nuk më ka thënë asgjë për këtë çështje”, ka thënë sulmuesi argjentinas.
Kombëtarja
Sulmuesi i Juventusit i është përgjigjur edhe pyetjeve për përfaqësuesen e Argjentinës ku ai e konsideron kapitull të mbyllur këtë çështje sigurisht jo për një zgjedhje të tij. “Të gjithë e dinë se sa shumë e dashuroj fanellën e kombëtares por sigurisht që nuk më mungon. Portat e Seleciion për mua janë të mbyllura, kjo dihet, dhe nëse doni arsyet atëherë duhet të pyesni stafin teknik aktual që nuk më ka grumbulluar asnjëherë. Unë e di përse jam lënë jashtë por nuk më takon mua ta them. Me sa duket trajnerit Sabella i pëlqejnë më shumë sulmuesit e tjerë. E di mirë se nuk do të shkojë në Botërorin e vitit të ardhshëm edhe sikur të bëjë mrekullira këtë sezon, tashmë jam dorëzuar. Do të kënaqem duke bërë tifozin”, deklaroi Tevez. Në fund Tevez ka dashur të mohojë zërat për një zënkë të tij me Lionel Messin që mund të jetë edhe shkaku i lënies jashtë përfaqësueses argjentinase. “Është e vërtetë që ka tifozë të Tevez dhe tifozë të Messi, por midis nesh nuk ka patur asnjëherë asnjë problem, kemi patur gjithnjë raport të mirë në dhomat e zhveshjes”.
Manchester City në sulm për Stevan Jovetiç
Stevan Jovetiç është një hap larg Manchester City-t. Klubi anglez ka gjetur gjuhën e përbashkët me agjentin e sulmuesit malazez, Fali Ramadani, i cili do të informojë edhe Chelsea-n e Manchester United për ndërprerjen e bisedimeve. Ndërkohë, “Citiziens” janë duke biseduar me Fiorentinën për uljen e klauzolës prej 30 milionë euro të vendosur nga presidenti, Andrea Della Valle. Britanikët kanë ofruar 5 milionë më pak dhe tashmë presin një përgjigje zyrtare. Duhet theksuar se Fiorentina ka marrëdhënie shumë të mira më City-n pasi sezonin e kaluar finalizoi marrëveshjen e transferimit të Nastasiç për 18 milionë euro. Me afrimin e malazezit te City, mbyllet dera edhe për Juventusin që shpresoi në rikthimin e bisedimeve me presidentin e skuadrës toskane pas blerjes se Mario Gomez. Megjithatë Juvja kurrë nuk do ti ofronte paratë që kërkonte Fiorentina.
Juve blen Ogbonën, gati të marrë Diamantin nëse shet Xhakerinin
Pas shumë tentativash dhe diskutimesh ka marrë fund telenovela e mbrojtësit Angelo Ogbona, i cili do të kalojë nga skuadra e Torinos drejt Kampionëve të Italisë. Pas disa tratativash me shumë ulje e ngritje mes klubeve të të njëjtit qytet, Zonja ka arritur të sigurojë shërbimet e mbrojtësit Ogbona. Ky i fundit pritet të mbërrijë në ambientet e klubit të Juventusit për të kryer vizitat mjekësore dhe pastaj për tu prezantuar nga drejtuesit e skuadrës si blerja më e fundit pas Tevez dhe Loriente pak ditë më parë. Për sa i përket akordit të arritur, Juventus do ti paguajë kushërinjve të Torinos 15 milion euro për kartonin e qendërmbrojtësit Italian. 12 milion do të derdhen në arkat e klubit Granata, ndërsa 3 milion të tjera do të shlyhen më vonë. Sipas mediave italiane thuhet se shumën që Juventus do të paguajë në muajt e ardhshëm mund ta shlyej edhe me kalimin përfundimtar të sulmuesit në radhët e Torinos. Vetë qendërmbrojtësi Italian, Ogbona, pasi të bëjë prezantimin me skuadrën e Juventusit pritet të nënshkruajë me bardhezinjtë një kontratë 4-vjeçare me një përfitim prej 1.8 milion euro në sezon ku nuk përjashtohen edhe bonuse në lidhje me paraqitjet e tij në radhët e kampionëve të Italisë. Përveç afrimeve, vëmendja e drejtuesve të skuadrës pritet të drejtohet edhe në shitjen e lojtarëve të panevojshëm në skuadër. Sipas mediave italiane bëhet e ditur se përveç largimit të një ose dy sulmuesve nga skuadra e Juventusit mund të largohen edhe lojtarë të tjerë. Një ndër ta është edhe mesfushori Xhakerini. Për mesfushorin italian së fundmi një interes të veçantë ka shprehur skuadra e Sandërlend e cila ofron 8 milion euro për të marrë kartonin e mesfushorit. Por nëse Juvja shet beniaminin e Kontes, atëherë në skuadër do të afrohet Alessandro Diamanti. Deri në mbylljen e merkatos mund të kemi ndonjë surprizë përsa i përket largimeve që mund të vijë nga Vidal, Vuçiniç Matri apo Kualiarela. Gjithsesi një gjë është e sigurtë, nëse ndonjëri prej tyre do të largohej, do të sillte të ardhura të mjaftueshme për të sjellë në Torino lojtarin e dëshiruar nga Konte, Stefan Jovetiç.