Cate Blanchett tregon muskujt
“Honda Italia” dhe “Universal Pictures Italia”, në bashkëpunim me “The Culture Business”, kanë zhvilluar një projekt promovimi për “Robin Hood”, filmin-event të pranverës 2010, drejtuar nga Ridley Scott. Filmi me protagonistë Russell Crowe dhe Cate Blanchett, do të shfaqet më 12 maj, si dhe do të hapë edicionin e 63-të të Festivalit të Kanës. Ky film shënon edhe rikthimin e trupës së aktorëve që shkëlqeu në filmin mitik, “Gladiatori”. Një “Oscar” të fituar për filmin “The Aviator”, një tjetër për “Elizabeth”, përkrah aktores australiane Cate Blanchett. Aktorja e famshme pohon se gjithmonë ka ëndërruar të interpretojë Lady Marion. Më në fund ajo do të realizojë dy ëndrra, falë filmit “Robin Hood” të regjisorit Ridley Scott, i cili tregon se si Robert Longstride (Russell Crowe në film), i kthyer në vendlindje nga kryqëzata në Tokën e Shenjtë, bëhet shigjetari mitik i Sherwood-it, anti-monarkist dhe mik i ngushtë i të varfërve. “Mariana jonë i ngjan më shumë Xhuljetës së Shekspirit, se sa vajzës bionde bukuroshe të shumë versioneve kinematografike të realizuara deri tani”, shpjegon
Blanchett, 41 vjeçe, e cila njëkohësisht është e impenjuar edhe në xhirimet e një filmi tjetër, “Hannah”, një triller psikologjik me regji të Joe Wright. “Nuk dëshironim një Marion të ngathët, të egër dhe jo të zonjën. Personazhi ynë është një grua e fortë dhe guximtare, që ndihet kudo. Nuk ka shumë ndryshim nga unë. Si unë, dhe ajo, kemi provuar çdo gjë”, thotë aktorja.
Në film Marion bën gjithçka: punon me shat, plugon, gjuan shigjeta. Edhe ju, Cate Blanchett, jeni kështu?
Sigurisht (qesh), sidomos me shigjetën, sillem vërdallë nëpër qytet me harkun dhe shigjetën në dorë... Forcën e kam “nxjerrë” nga situatat e ndryshme të jetës sime dhe duke u frymëzuar tek ata persona të cilët kanë ditur t’ia dalin mbanë në situata të vështira. Them që kam pasur edhe fat: për shembull, nuk jam një ato aktore që ëndërroja të aktroja që kur isha e vogël, por menjëherë kur m’u dha mundësia nuk e lashë më të më shpëtonte nga duart.
Si ka qenë të punonit përkrah aktorit të madh, Russell Crowe, shumë i frikshëm në filmat e tij, dhe me regjisorin Ridley Scott?
Të them të drejtën edhe unë jam trembur, dhe a e dini përse? Russell ka një sens të çuditshëm humori, që mua më pëlqen. Gjithashtu ai është i preferuari i regjisorit Scott, kështu që, nëse do të punosh me njërin, nuk ka dyshim që do të jetë edhe tjetri. Së bashku janë një forcë e madhe e natyrës. Mua më pëlqejnë meshkujt “e stuhishëm”, sidomos kur janë kreativë dhe bujarë si Russell. Gjithashtu kam shumë simpati për femrat profesioniste si unë. Ndërsa për sa i përket Ridley-t, gjithmonë kam ëndërruar të më drejtojë një regjisor si ai. Një nga filmat e mi të preferuar të drejtuar prej tij është “Thelma and Louise”, aq sa ka ndikuar jashtëzakonisht tek unë para se të bëhesha aktore. Me Ridley-n si regjisor mund të jesh e qetë, mund të improvizosh në skenë, të ndihmon që të krijosh. Nuk është maniak i perfeksionit, por është shumë i zoti në profesionin dhe punën e tij. Në këtë rast, nuk dua të hedh poshtë regjisorët e tjerë, sepse secili ka të veçantat e tij. Por Ridley është i veçantë jo vetëm si njeri, por edhe në punën e tij, sepse ka aftësi të spostojë kuaj sikur të ishin figura dhe të konfigurojë gjithçka në sfonde dixhitale brenda kompjuterit, pa e humbur fillin e tregimit dhe tonin vizual me një shpejtësi të paimagjinueshme e pa bërë shpenzime të kota. Edhe pse të tjerët e përnderojnë për skenat e tij të aksionit, për mua është i jashtëzakonshëm për mënyrën se si e trajton personazhin dhe psikologjinë e tij”.
Ju jeni një aktore e madhe, megjithatë nuk i përbuzni rolet me aksion dhe angazhimin fizik...
I pranoj këto lloj rolesh, kur kam besim te regjisori, si në këtë rast, dhe nëse në skenar është e shkruar, siç është e theksuar për skenat në ujë të ftohtë në filmin e “Robin Hood”. Nuk jam nga ata persona që tërhiqen pas sepse u lagen duart, apo u thyhet një thua.
çfarë mund të na thoni për filmin tuaj të ri, “Hannah”?
është skenari më i frikshëm që kam lexuar ndonjëherë. E kam mbyllur pasi kam lexuar 30 faqe. Pastaj i telefonova regjisorit dhe i thashë “Po”. Joe Wright e vlerësoj shumë, kemi luajtur së bashku teatër në Londër. Bashkëshorti im dhe unë drejtonim një kompani teatrale në Australi dhe kemi punuar shumë si në Londër, ashtu dhe Nju Jork. Kam shumë miq aktorë dhe që merren me kinemanë, të cilët vijnë nga teatri, si aktorë, ashtu dhe regjisorë. Joe është njëri prej tyre. Gjithashtu doja të theksoja se jemi shumë të lidhur, të gjithë për një dhe një për të gjithë, pikërisht si Robin Hood dhe fshati i tij.
#