E Diel, 1 Nëntor 2026

Titujt e diplomave, sipas ligjit të ri

Diploma Bachelor, ekuivalent me çdo vend që ka aderuar në marrëveshjen e Bolonjës

Edhe Matura Shtetërore do të “kurorëzohet” me një diplomë. Ndërkohë që diploma shqiptare Bachelor do të jetë “ambicioze” deri në atë pikë sa të jetë e barasvlefshme me diplomat e universiteteve perëndimore. Këto kanë qenë deklaratat e ministrit të Shkencës dje, në renditjen e ndryshimeve që do të përfshihet arsimi shqiptar. Aktualisht ndodhemi në vitin e pestë të Maturës Shtetërore. Në maturën e këtij viti, siç është përcaktuar në ligjin e kornizës shqiptare të kualifikimeve, do të lëshohet Diploma e Maturës Shtetërore. Në maturën e vitit 2012 kjo diplomë do të përmbajë jo më katër provime si deri tani, por plot pesë provime. Testimi i pestë do të jetë provimi i detyruar i gjuhës angleze ose i një gjuhe tjetër të parë për shkollat bilinguale.

“Kësisoj ne kemi një pikënisje të barabartë me çdo vend tjetër europian, pra një maturë me standarde të tilla. Në këtë mënyrë studentët që në ditën e parë të pranimit në shkollën e lartë janë krejtësisht të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në çdo vend të Europës”, sqaroi ministri Myqerem Tafaj, gjatë procesit të prezantimit të ndryshimeve të propozuara për ligjin e arsimit të lartë. Bachelori me kohëzgjatje 3 vite akademike është forma më frekuente që zbatohet në shumicën e vendeve që kanë aderuar në procesin e Bolonjës. Kështu që arsimi shqiptar premton se do të garantojë ekuivalencën e krediteve dhe të kësaj diplome, me çdo vend tjetër që ka aderuar në marrëveshjen e Bolonjës.

Bachelor në filozofinë e tij, sipas Bolonjës, mund të jetë i dy natyrave ose tipave. Ai mund të jetë një Bachelor i orientuar ngushtësisht me një profesion dhe kjo ka kuptim veçanërisht për shkencat teknike. Në shumë fusha ekzistojnë mundësi të plota që të zhvillohet një Bachelor i orientuar ngushtësisht në një profesion me shanse shumë të mëdha për t’u thithur nga tregu i punës.

Ekziston një grup tjetër i fushave të shkencës, ku integrimi në tregun e punës me një diplomë Bachelor nuk është e lehtë. Për këtë qëllim, universitetet duhet të zhvillojnë një Bachelor, i cili ka një bazë shumë më të gjerë teorike dhe u krijon mundësi studentëve që në ciklin e dytë të studimeve të kenë mundësi të zgjedhin jo një master në atë fushë ku kanë kryer Bachelorin, por të paktën në 5-6 apo 10 fusha të afërta.

“Këto janë forma të njohura në të gjitha shkollat e huaja, edhe në disa shkolla në vendin tonë. Ky është një nga parimet kryesore të Bolonjës, i njohur si fleksibiliteti i studimeve, për të transferuar kreditet nga një drejtim studimi në një tjetër”, theksoi kreu i Shkencës.

Zhvillimi i një Bachelori të orientuar ngushtësisht në një profesion kërkon një bashkëpunim të universiteteve me tregun e punës dhe me sektorin privat.

Shumica e vendeve europiane kanë përkrah universiteteve kolegje ose institute teknike. Ndërkohë që sipas ligjërimit të Tafaj, Shqipëria i ka ende këto cikle studimi në fazën fillestare të zhvillimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›