Çaktivizohet eksplozivi në "Printemps"

Pesë kallëpë eksplozivi janë çaktivizuar mëngjesin e së martës në dyqanin e madh "Printemps", në qendër të Parisit. Lajmi është bërë i ditur nga burime policore. Ende nuk dihet natyra e saktë e eksplozivit që u çaktivizua midis katit të parë e të dytë. Një grup misterioz, "Fronti Revolucionar afgan", në një letër për agjencinë e lajmeve AFP, kërkoi tërheqjen e trupave franceze nga Afganistani përpara fundit të shkurtit të vitit 2009, duke marrë përsipër vendosjen e disa bombave në dyqanin e madh të Parisit për artikuj të pranverës 'Printemps'. Një kordon policor u vendos rreth dyqanit, që u evakuua. Sipas policise franceze në letrën e këtij grupi nuk përmendej Islami. Policia shtoi se sulmet e fundit në Europë të lidhura me Irakun dhe Afganistanin, ishin bërë pa ndonjë paralajmërim. Franca ka më shumë se 2 mijë e 600 trupa në Afganistan që luftojnë kundër talebanëve. Muajin e kaluar, një grup militant paralajmëroi me anë të një videoje të transmetuar në televizionin Al Arabia, se do të sulmonte Parisin, nëse ushtarët francezë nuk do të ktheheshin në atdhe. Ndërkohë, Presidenti Nikolas Sarkozi kërkoi maturi në reagimin ndaj eksplozivit të gjetur në dyqanin në qendër të Parisit, duke theksuar se po priste rezultatet e një hetimi të policisë. "Gjithçka që mund të bëjmë është të tregohemi të matur", deklaroi Sarkozi në një konferencë për shtyp në Parlamentin Europian. "Policia po analizon në këtë moment eksplozivin", u shpreh ai.