E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët kërkojnë zbatimin e 6-pikëshit në polici

Autoritetet kosovare konsiderojnë se pushimi me pagesë i policëve serbë nuk mund të zgjasë edhe shumë. Ndërkohë, përfaqësues të serbëve në Kosovë kërkojnë zbatimin e planit gjashtëpikësh të OKB-së për zgjidhjen e kësaj çështjeje.Disa muaj pas bojkotimit të punës, mbi 300 pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të suspenduar me pagesë, ndërkohë thirrjeve të autoriteteve kosovare për rikthim në vendet e punës, gjer më tani, u janë përgjigjur rreth 20 policë serbë.Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit (EULEX) pritet që, në kuadër të angazhimeve në sektorin e policisë, të fillojë konsulta me pjesëtarët serbë të policisë, për t'i bindur ata që të rikthehen në vendet e tyre të punës.Përfaqësuesit serbë të Kosovës kërkojnë që bisedimet për policët serbë të suspenduar të bazohen në kriteret e planit 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare. Kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, sqaron këtë kërkesë:"Në mënyrë që në harmoni me gjashtë pikat dhe në harmoni me realitetin në terren dhe me bisedat dhe kërkesat, të cilat i ka parashtruar ana serbe, të gjendet një zgjidhje për kthimin e policëve serbë në Policinë e Kosovës", deklaroi Veliq.Veliq precizon kushtet, të cilat, sipas tij, duhet përmbushur për të mundësuar rikthimin e policëve serbë në policinë kosovare. Ai thekson se edhe më tej janë në fokus tri kërkesat themelore të bashkësisë serbe."Disa janë pika thelbësore të kërkesave tona - rritja e numrit të nënstacioneve dhe stacioneve të policisë në vendbanimet serbe, të mos ketë konsekuenca ndaj atyre që e kanë lëshuar policinë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe që zinxhiri komandues për policët serbë të jetë Policia e UNMIK-ut", shtoi ai.Qeveria e Kosovës pohon se ka sinjale pozitive nga një numër i policëve serbë. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë se këtyre policëve nuk u janë dhënë limite kohore për t'u kthyer në polici, por, sipas tij, suspendimi me pagesë nuk mund të zgjasë edhe shumë gjatë."Bashkë me EULEX-in do të bëjmë angazhimet tona adekuate që policët serbë të jenë të inkuadruar rregullisht në punën e tyre. Kjo është një fazë kur ne presim reflektim pozitiv nga ata; në të kundërtën, askush që nuk do të jetë pjesë e institucioneve tona, nuk do të paguhet", tha ministri Pajaziti. Pajaziti konfirmon një interes të shtuar të pjesëtarëve të komunitetit serb për rekrutim në strukturat policore të Republikës së Kosovës, por hedh poshtë zëvendësimin e policëve të suspenduar me pjesëtarë të rinj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›