E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekët mbështesin Klausin për traktatin

Pjesa më e madhe e çekëve e mbështesin kërkesën e presidentit euroskeptik Vaclav Klaus për përjashtim të vendit të tyre nga një pjesë e Traktatit të Lisbonës, por kryeministri deklaroi se veprimet e tij po e dëmtonin vendin.

Klaus është i vetmi lider në BE që nuk e ka nënshkruar ende Traktatin e Lisbonës, një dokument me rëndësi të veçantë për të ardhmen e BE-së. Kërkesa e tij i ka komplikuar përpjekjet e vendeve të tjera që kërkojnë të garantojnë hyrjen në fuqi të traktatit në janar të vitit të ardhshëm.

Një sondazh i agjencisë "Median" tregoi se 65 % e çekëve e mbështesin kërkesën e Klausit. Tre të katërtat e të anketuarve u shprehën se Klausi nuk duhet të japë dorëheqje, nëse ai përfundimisht refuzon të nënshkruajë dokumentin evropian.

Familjet e gjermanëve që u dëbuan pas luftës kanë kërkuar që çekët të pranojnë se përdorimi i parimit të fajit kolektiv për dëbimin e tyre ishte një gabim. Shumica e gjermanëve në atë kohë mbështesnin Gjermaninë e Hitlerit dhe shumë prej tyre u zhvendosën në disa zona të Çekosllovakisë nën Marrëveshjen e Munihut të vitit 1938.

Ndërsa kryeministri çek Jan Fischer deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se kërkesa e Klausit në minutën e fundit po e dëmtonte seriozisht republikën.

Në fakt, të dyja dhomat e parlamentit e kanë miratuar traktatin dhe qeveria ka hyrë në negociata me presidentin për të arritur një marrëveshje për kërkesën e tij. Më pas qeveria do të negociojë me partnerët e BE-së, nëse Klaus do të premtojë se do ta nënshkruajë traktatin. Deri tani Klausi nuk ka bërë asnjë zotim.

Pjesa më e madhe e avokatëve dhe vetë qeveria mendojnë se shqetësimet e Klausit janë pabazë dhe analistët kanë thënë se Klausi, i cili prej kohësh e ka kundërshtuar traktatin, po bëhet thjesht obstruksionist.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›