Çelet Panairi i 12-të Kombëtar i Librit
TIRANE- U çel dje në mbrëmje në ambientet e Pallatit të Kongreseve Panairi i 12-të Kombëtar i Librit "Tirana 2009". Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, mes shumë pjesëmarrësve, shkrimtarë, miq të librit, përkthyes e botues, libri shqiptar u vlerësua prej mjaft emrave të njohur të letërsisë. Pas fjalës përshëndetëse nga Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve, panairi u përshëndet edhe nga zv/ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zana Turku, e cila tha se "Panairi, si event mbarëkombëtar ka një rëndësi të veçantë për kulturën dhe diskutimet në fushën e letrave". Ndër të tjera, ajo tha se ky vit koincidon me 110-vjetorin e lindjes së ikonës emblematike të poezisë shqiptare, Lasgush Poradeci. "Në këtë kuadër, ministria ka marrë përsipër të botojë veprën e plotë poetike të Poradecit", - tha zv/ministrja, duke përgëzuar organizatorët e panairit dhe duke falenderuar pjesëmarrësit, shkrimtarë e botues. Më tej, çelja e panairit u përshëndet edhe nga shkrimtari dhe përkthyesi Amik Kasoruho, i cili pasi u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, tha se larmia e këtij panairi kundërshton thënien "I druhem njeriut që ka lexuar vetëm një libër". "Ky eveniment tregon kulturën e gjerë. Ju siguroj që të huajt mbeten gojëhapur nga një event i tillë me kaq shumë pjesëmarrës". Kasoruho tha se 1000 tituj të rinj për një vend të vogël siç është Shqipëria, tregojnë një kulturë të gjerë ndaj botës së librit. "Panairi bën që të moshuarit të krahasojnë e të rinjtë të informohen. Qoftë porta e këtij organizimi, një portë që nuk mbyllet kurrë", - përfundoi shkrimtari dhe përkthyesi Amik Kasoruho. Ndërsa shkrimtari, kritiku dhe përkthyesi shqiptar nga Maqedonia, Ali Aliu në fjalën e tij tha se "kjo festë e librit na lë të kuptojmë se ka një hapësirë të gjerë kulturore". "Dikur librat nuk kalonin dot disa dogana, që edhe tani shfaqen cenuese të librit shqip. Por, fakti që ka 1000 tituj shqip në këtë panair dhe një numër të madh shtëpish botuese, na bën ta shohim me një tjetër sy librin shqiptar", - theksoi Aliu. Sipas tij, libri ynë është përpara sfidave të mëdha, edhe pse efekti i tij ka shumë rëndësi. Ai i mëshoi shumë idesë se botimet duhen të mbështeten nga shteti, mbështetje e cila deri tani është e papërfillshme. Madje, ai deklaroi se herë-herë shteti është pengues, duke pasur parasysh këtu pikërisht taksat. "Ne e kemi shumë qejf shprehjen 'një komb, një gjuhë', por nga ana tjetër, i njëjti libër shfaqet me kopertinë të ndryshme nga shtëpi të ndryshme botuese", - përfundoi Aliu. I ftuari i këtij panairi është Frederiko Moca, autor i dy librave të botuar, të cilët janë bërë edhe skenarë filmash. Në këtë rast do të promovohet edhe një çmim i ri, "Miqtë e Kulturës".
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)