E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy minorenë plagosin me thikë shokët e tyre

12/11/2009  Ngjarjet në Korçë dhe Fier, dy të lënduarit jashtë rrezikut për jetën

Në Korçë, i plagosuri ngacmoi një vajzë, çka irritoi shokun e tij 13-vjeçar

KORÇE- Një nxënës i klasës së tetë, i shkollës 9-vjeçare në fshatin Vloçisht të rrethit Korçë, ka lënë të plagosur shokun e tij të klasës, duke qëlluar ketë të fundit me thikë, të cilën e kishte pasur me vete. Fatmirësisht i plagosuri është transportuar në spitalin e qytetit të Korçës, ku ai vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve, tashmë jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, policia e këtij rrethi, ndaj nxënësit me inicialet V.Ç ka filluar veprimet procedurale. Në lidhje me këtë ngjarje, burime pranë Drejtorisë së Policisë së qarkut Korçë, pohuan se “ngjarja kishte ndodhur rreth orës 12.00, tek shkolla 9-vjeçare në fshatin Vloçisht të Korçës, gjatë një konflikti që ka pasur shtetasi V. Ç, i datëlindjes 13.12.1995, lindur dhe banues në fshatin Vloçisht, nxënës i klasës së tetë, i cili ka goditur me mjete të mprehta (thikë) shokun e tij të klasës, shtetasin E. M, të datëlindjes 14.03.1996, lindur dhe banues po në fshatin Vloçisht. Një ngjarje e njëjtë është regjistruar dhe në një shkollë 9-vjeçare të qytetit të Fierit. Dy adoleshentë 13-vjeçarë banorë të lagjes "1 maj" janë plagosur me thika gjatë një zënke banale. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16 të ditës së djeshme në afërsi të lagjes "1 maj" të qytetit të Fierit kur 2 adoleshentët 13-vjeçarë me inicialet A.K dhe B.D janë zënë fillimisht me fjalë të ashpra dhe më tej zënka ka agravuar në plagosje me thika. Adoleshenti A.K ka qenë i armatosur me armën e ftohtë dhe gjatë sherrit në lagjen e tyre i ka ngulur thikën shokut të vet në brinjë. Sipas burimeve jozyrtare, marrë nga policia sherri mes 2 adoleshentëve ka ardhur për shkak të ngacmimit të një vajze, moshatare të tyre nga ana e të lënduarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›