E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelet Samiti, Berisha paralajmëron për pasojat, në rast se Maqedonia lihet jashtë

Është çelur dje në Bukuresht samiti më i madh në 59 vjet histori të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i është drejtuar që në mëngjes Forumit të Atlantistëve të Rinj, ku marrin pjesë të rinj dhe të reja nga vendet anëtare dhe ato partnere. Më pas do të vazhdohet me një prezantim të një filmi dokumentar “Security Our Future” në Muzeun Historik Kombëtar të Bukureshtit. Në këtë Samit janë të pranishëm 54 drejtues të lartë shtetesh dhe qeverish nga 26 vende anëtare të NATO-s dhe 23 vende partnere. Mes tyre dhe Presidenti i SHBA-së Xhorxh Ë. Bush, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ai Francës, Nicolas Sarkozy, Kancelarja Angela Merkel, Kryeministri Gordon Broën, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, etj. Sesioni i parë i punimeve të Samitit do të fillojë në mbrëmje me një darkë për drejtuesit e lartë të delegacioneve, ku në fokus do të jetë zgjerimi i Aleancës me tre vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipërinë, Maqedoninë, Kroacinë.Debati formal për anëtarësimin e tre vendeve do të mbahet të enjten në mbledhjen e Këshillit të NATO-s, që do të hapet me fjalën e Presidentit të Rumanisë, Trajan Basescku dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer. Vendimi i liderëve të Aleancës për zgjerimin do të komunikohet në një konferencë për shtyp nga sekretari Scheffer, e cila është programuar të mbahet po të enjten në ora 12:35. Në sesionin e pasdites, Kosova dhe Afganistani do të jenë në qendër të bisedimeve të Këshillit të Partneritetit Euro-Atlantik, ku veç anëtarëve të NATO-s marrin pjesë edhe drejtues të 23 vendeve partnere. Debati do të përqëndrohet në kapacitetet dhe eficencën e aktiviteteve operacionale të NATO-s në situata krize. SHBA i ka kërkuar aleatëve të saj që të shtojnë trupat e tyre në jug të Afganistanit, ku është vërejtur një rritje e akteve terroriste dhe e grupeve të Al Kaedës. Përsa i takon Afganistanit dhe Kosovës, Samiti synon të japë mesazhin se NATO do të qëndrojë prezent aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Gjatë Samitit do të mbahen dhe takimet mes NATO-Rusi dhe NATO-Ukrainë. Shumica e shteteve anëtare janë në favor të zgjerimit të aleancës drejt vendeve në kufi me Rusinë, si Ukraina dhe Gjeorgjia. Ndërkaq, Presidenti Bush e filloi turin e tij në Europë me vizitën zyrtare në Kiev, ku shprehu mbështetjen e SHBA-së për aspiratat e Ukrainës në NATO. Samiti do të japë sinjale pozitive edhe për tre vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke i motivuar që të plotësojnë kushtet e anëtarësimit. Ndërsa marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO për Shqipërinë dhe Kroacinë është tashmë e sigurt, Maqedonia ka ende mbi kokë veton e Greqisë, e cila kërkon siguri para aprovimit të ftesës së Maqedonisë. Kjo e fundit duhet të zgjedhë një emër që nuk cënon dhe krijon probleme për Greqinë. Burime jo zyrtare thanë dje se bisedime të drejtëpërdrejta mes dy vendeve po zhvillohen edhe në Bukuresht për të gjetur një zgjidhje për emrin e ri të Maqedonisë.
Berisha: Përjashtimi i Maqedonisë nga ftesa do krijojë premisa për trazira në rajon/Shtyrja e ftesës së anëtarësimit në NATO për Maqedonisë mund të inkurajojë qarqet radikale që të destabilizojnë mbarë rajonin e Ballkanit. Me këtë deklaratë lëshuar dje pasdite për agjensinë e lajmeve Rojter në Bukuresht, kryeministri Berisha ka këshilluar palët që të përpiqen të arrijnë një kompromis të çasteve të fundit para se samiti të shpallë verdiktin final mbi atë se kush do të marrë ftesën e aderimit në organizatën më të madhe politike-ushtarake në botë. Sipas Rojter, kryeministri Berisha ishte informuar në mënyrë konfidenciale nga kanale diplomatike se ftesë për Shqiëprinë është e sigurtë, ndërsa ai tha se shpresonte që një gjë e tillë të ndodhë edhe për Maqedoninë. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se shtyrja e ftesës për Maqedoninë do të ishte një “problem vërtet serioz” për mbarë rajonin e Ballkanit. “Stabiliteti për fqinjin tonë është thelbësor për Shqipërinë, Kosovën, Greqinë, Bullgarinë dhe gjithë vendet e tjera të rajonit”- deklaroi Berisha. “Frika ime është se radikalët e të gjithë etnive në Maqedonisë mund të shkaktojnë trazira. Të dyla palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët. Unë jam i bindur se të dyja vendet kanë disa arsye për ta bërë këtë. Ndaj shpresoj shumë se do të arrihet një kompromis”- përfundoi Berisha. Nëpërmjet një letre drejtuar vendeve anëtare kryeministri grek Kostas Karamanlis ka deklaruar se për shkak të çështjes së emrit, Greqia nuk mund të pranonte anëtarësimin e Maqedonisë në aleancë. Kryeministri Berisha ndodhet në Bukuresht për të marrë pjesë në Samitin 3 ditor të NATO-s, në të cilin do të diskutohet për zgjerimin e NATO-s dhe ku Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia pritet të marrin ftesën për anëtarësim. Në këtë Samit marrin pjesë Kryetarë shtetesh dhe qeverish të 26 vendeve anëtare, ndër të cilët Presidenti i SHBA-ve George Ë Bush, Presidenti Francez Sarkozi, Kancelaria gjermane Angela Merkel, Kryeministri britanik Gordon Broën, Kryeministri turk Erdogan, Kryeministri Grek Kostas Karamanlis, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të mëdha ndërkombëtare. Delegacioni shqiptar përbëhet nga presidenti i Shqipërisë, zoti Bamir Topi, Kryeministri Berisha, Ministri i Jashtëm Basha, Ministri i Mbrojtjes Oketa, Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Znj Leskaj, Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë demokratike, zoti Astrit Patozi, ambasadori shqiptar në NATO zoti Artur Kuko, Koordinatori Kombëtar për Integrimin në NATO zoti Glori Husi, etj. Ditën e enjte, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në Panelin e Organizuar nga Këshilli i Atlantikut Të ShBA-ve për Atlanticistët e Rinj dhe më pas në punimet e Samitit. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi do të marrin pjesë në punimet e sesionit të organizuar me pjesëmarrjen e Krerëve të Shteteve dhe Përfaqësuesve të Lartë të NATO-s në Sallën e Parlamentit. Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të jetë pjesëmarrës në disa aktivitete kulturore të organizuara nga Presidenti rumun Traian Basescu dhe Kryeministri rumun Tariceanu.
Greqia: Shqipëria, është pjesë e familjes euroatlantike, Maqedonia nuk përmbush kriteret e fqinjësisë së mirë/Athina ka deklaruar dje se Kroacia dhe Shqipëria janë vendet që meritojnë të marrin ftesën e anëtarësimit në NATO-s. Sipas një deklarate zyrtare të Ministrisë së Jashtme greke theksohej se Maqedonia nuk mund të marrë anëtarësimin pasi ajo nuk përmbush kriteret e fqinjësise së mirë. Në këtë kontekst diplomatët grekë pritet të kundërshtojnë anëtarësimin e Maqedonisë në Samitin e Bukureshtit. Ndërkohë totalisht i ndryshëm është qëndrimi i Greqisë ndaj Shqipërisë dhe Kroacisë. “Shqipëria është pjesë e familjes sonë dhe ne do ta mbështesim anëtaresimin e saj” - ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme. Gjithashtu mësohet se një arsye me ndikim negativ në anëtarësimin e Maqedonisë është porblemi me shtetin grek. Tashmë pjesa më e rendësishme për Shqipërinë dhe Kroacinë pritet të jetë ditën e nesërme, ku dy vendet kanë shumë mundësi të marrin ftesën.
Basha: Jemi të sigurt për marrjen e ftesës së anëtarësimit/Ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka deklaruar sot në Bukuresht se Shqipëria është e sigurt për marrjen e ftesës ditën e nersërme. Në një deklaratë për mediat, ministri i Jashtëm i Shqiperise është shprehur se data 3 prill pra dita e sotme do të shënohet si një ditë historike për vendin. “Nuk ka qenë e lehtë për të arritur këtu, megjithatë kemi arritur të gjejmë konsensusin mes paleve për anëtarësimin në NATO” - ka thënë Basha. Teksa ndodhet se bashku me delegacionin shqiptar në Bukuresht ku edhe po zhvillohet Samiti i NATO-s, ministri Basha ka thënë se “jemi të sigurt për marrjen e ftesës ditën e neserme”. Kjo deklarate e ministrit shqiptar ka ardhur pas njoftimit se mbi zgjerimin e NATO-s për vendet kandidate si Shqiperia, Kroacia dhe Maqedonia, do të diskutohet ditën e sotme në samit.
Shefer: Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia duhet të hyjnë në NATO/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Schefer, ka deklaruar dje në Samitin e Bukureshtit se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia duhet të hyjnë në NATO. “Vlerësoj se të 3 vendet e Kartës së Adriatikut duhet të hyjnë në NATO, mundohem që kjo të ndodhe” - ka deklaruar Schefer. Kjo deklaratë ka ardhur si përgjigje e pyetjes së deputetit maqedonas dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, Vllatko Gjorçev, në Forumin Transatlantik në Bukuresht. Gjithashtu Schefer u shpreh se kontesti greko-maqedonas është çështje e komplikuar për të dy vendet. Sipas tij çështja e emrit të Maqedonisë nuk është çështje e NATO-s dhe për këtë nuk duhet të fajësohet Aleanca. “Nuk mundem direkt të ndikoj, mundem vetëm indirekt, kurse koha kalon. Nuk do të dorezohëm. Pa dyshim do të flasim për këtë çështje shumë të rëndësishme e cila është në kompetencë të OKB-së dhe ndermjetesuesit Nimitz”’- deklaroi Sekretari i Përgjithshem i NATO-s, Jap De Hup Shefer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›