Vietnami i ri, ekonomia në duart e grave
Gjatë luftës, nëna dhe babai i Nugen Thi Than Huyen, punonin në një fabrikë në periferi të vendit. Ndërtesa, e themeluar në vitin 1946, merrej me prodhimin e uniformave për ushtrinë vietnameze. Babai i Huyen vdiq në vitin ‘72 kur B-52 amerikanët bombarduan një impiant, ndërsa e ëma vdiq në vitin 1984. Huyen sapo kishte mbaruar shkollën e mesme në atë kohë, por sipas rregullave të kolektivizmit në atë kohë, ndërmarrja i ofroi një vend pune. Sot, Huyen është 44 vjeçe dhe ka dy fëmijë të rritur. Shkallë pas shkalle u ngjit derisa u bë numri një i kësaj ikone industriale të Hanoit që tani mban emrin "Garment 10". Trupvogël si shumë të brezit të saj që kanë provuar urinë e luftës dhe atë pas fitores, Huyen bëri një kthesë të rëndësishme në jetë. Braktisi uniformat dhe u përqendrua te prodhimi për ndërmarrje të tjera si "Pierre Cardin", "Alain Delon", dhe "Camel" për Evropën; "Van Heusen", "Gap", apo "Old Navy" për Amerikën. Një punëtor këtu paguhet 0.28 euro për orë dhe veshjet dalin nga fabrika me një kosto 5.2 euro. Të cilat shpesh kanë stampa ku shkruhet edhe në italisht. Por si ka arritur të hyjë në bisedime me klientët amerikanë. "I shoh se si punojnë dhe si mendojnë dhe pastaj mësoj. Për të bërë tregti duhet të kesh miq dhe neve këtu na pëlqen të ecim përpara", tregon duke qeshur. Dikush mund ta quajë kapitalizmi i grave, ndoshta të fshehur nga socializmi. Gjatë luginave të kryeqytetit, motorët e vegjël të adoleshentëve, që kanë kopjuar "GI"-të amerikane të viteve ‘70-të, ecin me shpejtësi poshtë skulpturave të mëdha, të ndërtuara sipas hijes staliniane, ku gdhenden qartë fshatari dhe ushtari, punëtorë që mbajnë në dorë drapërinj dhe çekanë apo yje të kuq të mëdhenj. Por ndryshe nga e kaluara që duket se frymëzon akoma, pas tavolinave të punës dhe kompjuterëve të "tigrit të fundit aziatik", qëndrojnë kryesisht gra. Sigurisht jo në qeverinë e partisë së vetme, që ka vetëm një grua në një post sekondar, terreni i tyre është sektori privat, ai që po njeh një rritje të paparë. Në një OJQ që drejtohet nga një inxhinier që ka studiuar në Kiev në kohën e Brezhnjevit, burrat i sheh vetëm në rolin e rojeve dhe portierëve të derës. Ndërsa të tjerë, nuk shkojnë më tej se shoferët që ngasin makinat e punës. Vinamik është grupi më i madh në vend për vlerën në bursë, ka një drejtuese dhe pjesën më të madhe të këshilltareve femra. "Ree Corp", shoqëria e parë e kuotuar në bursë, drejtohet nga një ish-infermiere, që brenda një kohe të shkurtër u bë një nga njerëzit më të pasur në vend. Investitorë të huaj, që në çdo vend të botës drejtohen nga meshkuj si "Coca cola", "Unicredit‘, këtu janë tërësisht në dorë të femrave. Drejtori i bankës "Sydney Anz", është i vetmi drejtor në një vend pune të rëndësishëm. "Do të merrja edhe meshkuj në punë, sigurisht nëse i plotësojnë kriteret", tregon një presidente e një firme imobiliare. Problemi i administratores së deleguar të bankës "Sydney Anz‘ në Hanoi qëndron në atë që është ndoshta sindromi i vetëm i Vietnamit të pasluftës, i denjë për skenarët e filmave hollivudianë. Në qendër të kryeqytetit, rrallë sheh ndonjë burrë që i ka kaluar të 55-at, por grumbuj njerëzish të mbijetuar nga lufta i ngjyrosin flokët njëri-tjetrit ose shesin mish qeni, ose gaforre të gjalla. Por, këtu gratë janë gati të manovrojnë levat e ekonomisë në boom-in e madh të globalizimit. "Gjatë luftës, burrat luftonin, ndërsa ne bënim që vendi të funksiononte. Ishte si një bekim. Neve nuk na u desh të përballonim betejat e evropianëve, kur lindi Vietnami modern, e kishim marrë në dorë pushtetin". Nga ajo kohë, vendosën të mos largoheshin më. Gjyshja e To Minh Huong, 34-vjeçarja administratore e deleguar e bankës "Gateway Securities- morgan Stanley", në kohën e luftës mori në dorë frenat e një ndërmarrjeje tekstilesh me 2000 punëtorë si një detyrë patriotike. Nga brezi në brez, të gjitha gratë e familjes së saj kanë kontribuar në kohën e luftës, pastaj në socializmin gjithmonë e më të përzier me kapitalizmin thuajse që nga zanafilla. Një vajzë kujton se kur ishte dhjetë vjeç kuptoi se diçka po ndryshonte. "Lexova në ‘Gazetën e Popullit‘, komentet e së dielës të bëra nga Kryeministri i asaj kohe. Ishte një gjuhë e re". Nuk ka qenë e lehtë gjithmonë në Hanoin ku sot Lamborxhinit presin jashtë restoranteve moderne dhe në lumin e kuq të ardhurit nga fshati jetojnë në kasolle përkrah vendeve ku hidhen mbeturinat. Në fakt, këtu simbolet me drapër e çekan që duken kudo madje edhe në statujën e Leninit në një park të Hanoit nuk flasin për ideologjinë, por për atdheun. Për këtë arsye pranohen edhe ata që u përkasin periudhave të tjera të historisë. Anne Tristine Ngyuen, 26 vjeç drejtoreshë e "VinaCapital", edhe kjo një bankë me punonjëse vetëm femra, u largua nga Ho Chi Minh City në vitin 1992. Babai i saj kishte luftuar në Jugun filo-amerikan dhe vetëm pasi humbi një këmbë nga një minë i kishin ndaluar edukimin e njerëzve të tjerë të familjes. Por Anne, që ishte larguar para se kjo të ndodhte studioi në Harvard, pastaj arriti të merrte edhe një pasaportë amerikane, madje të hynte edhe në Departamentin e Shtetit. "Pas katër vjetësh u ktheva në Hanoi. Sigurisht që fitoj shumë herë më pak, po doja të isha pjesë e këtij bumi". Një "rrugë" që ngjan krejtësisht me atë të Tran Thi Honi Anh, që e takoi për herë të parë të atin në moshën gjashtë vjeç, në vitin 1974. Një inxhinier në ushtrinë e Veriut, ai kishte jetuar gjithmonë mes Gjermanisë Lindore, Kinës, Rumanisë dhe Rusisë. Nga fëmijëria, Anh, kujton bombat e B-52, ikjet e të ëmës natën për në sallën e operacionit, pasi ishte një anesteziste, apo historitë e librave që lexonte në rusisht. 20 vjet më vonë, Anh e kalon jetën mes Milanos, Parisit, Nju Jorkut dhe Ho Chi Minh City, një nga modelet e Balenciagës, Marc Jacobs dhe shumë firmave të tjera të mëdha. Rruga e saj në jetë është krejt ndryshe nga ajo e Hoang Thu Huong, një mësuese liceu që në vitin 1988 hapi një dyqan të vogël ushqimor për të pasur një punë tjetër pasdite. Tani është shndërruar në një firmë prej qindra milionë dollarësh që ka mundur edhe konkurrencën shtetërore që ka një seli madhështore. Mbrapa saj një mur i vjetër ku vitet e luftës ‘45-‘75 janë gdhendur me të verdhë, ndërsa poshtë është shkruar: "Do të fitojmë, sepse besojmë te njerëzit". Kjo është edhe motoja e njerëzve të këtij vendi.