E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi merr kualifikim përmes drithërimash

CELSI-BENFIKA 2-1
GOLAT: Lampard 21′ (P), Meireles 90+2′/ Havi Garsia 85′
ÇELSI (4-2-3-1): Çeh, Ivanoviç, Luiz, Terri (Kahill 59′), Kol, Ramirez, Mikel, Lampard, Kalu, Torres (Drogba 88′), Mata (Meireles 79′) Trajner: Roberto Di Mateo
BENFIKA (4-3-3): Moraes, Maksi Pereira, Havi Garsia, Emerson, Kapdevija, Vitsel, Matiç, Bruno Sezar (Rodrigo Moreno 72′), Aimar, Kardozo (Oliveira 57′), Gaitan (Djalo 61′) Trajner: Horge Hezus
KARTONË TË VERDHË: Ivanoviç 38′, Ramirez 44′, Mikel 79′/ Kardozo 19′, Bruno Sezar 21′, Maksi Pereira 21′, Aimar 27′
KARTONI I KUQ: Maksi Pereira 40′
ARBITËR: Damir Skomina (Slloveni)

Çelsi është në gjysmë finalet e Ligës së Kampioneve. Kjo, falë rezultatit 2-1 që arritën mbrëmë në “Stamford Bridge” dhe 1-0 që siguruan në Lisbonë. Anglezët do të sfidojnë kampionët në fuqi të Barcelonës. Në Londër golat i shënuan Lampard në pjesën e parë me penallti (festoi dhe prezencën e tij të 550-të me fanellën e klubit), Havi Garsia shënoi 5 minuta nga fundi dhe rihapi ndeshjen, por ishte Raul Meireles që shmangu surprizën e mundshme dhe u hakmor ndaj ish-rivalëve të tij.
Avantazh dhe një superioritet numerik – Di Mateo bëri 2 ndryshime nga formacioni që luajti në Lisbonë. Lampard dhe Ivanoviç startuan titullarë. Blutë e Londrës, me në krye italianin Roberto Di Mateo, shfrytëzojnë eksperiencën e veteranëve të shumtë që kanë në fushë për të fituar një ndeshje më pak se të shkëlqyer në fushë. Ishullorëve u jep edhe një dorë arbitri slloven Skomina, kur u akordon një penallti në minutën e 20-të pas një ndërhyrjeje të Havi Garsias ndaj Eshli Kolit dhe pastaj i jep të dytën e verdhë kapitenit Maksi Pereirës në minutën e 40-të (të parin për protestën pas penalltisë dhe të dytin për një ndërhyrje me takë). E kështu anglezët, pavarësisht një Benfike më të lëvizshme dhe falë shpëtimit të një goli të sigurt të Territ në vijën fatale, e shohin veten në pushim të ndeshjes superiorë në rezultat dhe forca numerike në fushë.
Shpërdorohet pa fund — Në pjesën e dytë rastet për gol nuk kanë fund. Çelsi del shumë kollaj përpara porte, duke shfrytëzuar dhe superioritetin numerik. Ramirez nuk shtyn vetëm topin drejt portës, ndërsa Torres rikthehet si në kohët e vjetra, duke humbur raste pa fund. Kalu është ndër më aktivët në sulmin e vendësve, por edhe ai e ka të vështirë të jetë pragmatist përpara Moraesit. Ndërsa Drogba qëndron në stol deri në minutën e 87-të. Në prapavijë Çeh tregohet në nivelin e duhur kur shpëton portën nga dy gola të sigurt të Kardozos dhe Oliveirës, kurse i sapofuturi Diao nuk përfiton dot nga disa raste të mira.
Goditje-kundërpërgjigje – Ndeshja mbetet e hapur deri në fund. Shfaqet forcë karakteri nga portugezët, por edhe eksperiencë nga anglezët. Dhe kur Havi Garsia godet me kokë dhe e çon topin në rrjetë, Çelsi dridhet. Por Benfika beson dhe harron se luan me 10 vetë. Hidhet përpara dhe humbet një tjetër rast për të shënuar. Por është kujtuar vonë, sepse Raul Meireles i sapohyrë në fushë lëshon një silurë nga një kundërsulm në shtesë dhe mbyll llogaritë njëherë e mirë. Nuk mund të vinte një gol më i hidhur nga një “armik” (Raul është lindur dhe rritur në Porto, rivalen historike të Benfikës). Ky gol ka vlerën e kualifikimit për blutë, që tani kanë shansin të hakmerren ndaj spanjollëve për atë eliminim të pamerituar në vitin 2009. Ndeshja e parë do të luhet më 18 prill në “Stamford Bridge”. E kthimit, më 24 në “Kamp Nou”.

“E dinim që do ishte e vështirë me portugezët”
Eshtë një Di Mateo i sfilitur pas ndeshjes me Benfikën, por trajneri i Çelsit nuk e fsheh kënaqësinë e kualifikimit në gjysmëfinale. “I kisha paralajmëruar lojtarët e mi se sa e vështirë është kjo skuadër. Portugezët e kanë treguar në të shkuarën. Kështu ndodhi edhe në fushën tonë. Ajo çka na mungoi gjatë 90 minutave ishte goli i dytë, që do mbyllte çdo gjë. Dhe ai erdhi fatmirësisht, ndonëse në minutat shtesë, por ne vuajtëm emocionet. Me 1-0 e dinim që ata ishin ende në lojë”, – deklaroi pas ndeshjes ish-zëvendësi i Andre Vilas Boasit. Italiani nuk hezitoi të bënte dhe një parashikim për sfidën me Barcelonën: “Spanjollët janë një nga klubet më të forta të botës, për të mos thënë më i miri. Por ne jemi të motivuar dhe duam të shkojmë në Mynih”.

“Nuk jam i zhgënjyer, luajtëm më mirë se ata”
Horge Hezus tha në përfundim të ndeshjes se Çelsi i tij nuk e meritonte të humbiste në “Stamford Bridge. Trajneri portugez i “shqiponjave” u shpreh se ishte krenar për paraqitjen e ekipit të tij dhe faktin që arritën deri në çerekfinalet e këtij sezoni: “Morëm një humbje që nuk e merituam aspak. Unë jam shumë krenar për lojtarët e mi. Mirëpo kështu e ka futbolli. Ne ishim më shumë skuadër se Çelsi, por ata fituan. Jemi tepër të kënaqur me nivelin në të cilin e kemi ngritur skuadrën. Kemi bërë një rrugë të gjatë për të ardhur deri këtu dhe nuk kemi përse të ndjejmë zhgënjim. Kemi eliminuar skuadra më të forta se londinezët, por do ta provojmë sërish sezonin e ardhshëm”, – tha luzitani, i cili nuk i kontestoi vendimet e gjyqtarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›