E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Shqiperise rrezikon jeten ne Vlore futbollisti

Vetëm pak ditë pasi një futbollist rrezikoi jetën në Kupën e Anglisë dhe një tjetër e humbi atë në Indi, një rrezik na erdhi pranë në një tjetër ndeshje, këtë herë në atë të Shqipërisë. Erando Karabeci i Tiranës u përplas dhe u godit aspak lehtë në gjysmëfinalen e djeshme në Vlorë mes Flamurtarit dhe kryeqytetasve, por ndihma mjekësore u vonua.
Kjo pasi Tirana nuk kishte stafin e duhur mjekësor në stadiumin “Flamurtari” dhe, pavarësisht se nuk ndodhi asgjë e keqe, situata mund të quhet thjesht tepër e rrezikshme dhe e papranueshme.
Aq i tronditur ishte Karabeci në momentin e goditjes saqë as nuk dëgjonte që të zëvendësohej, pavarësisht vendimit të stafit teknik.
Menjëherë pasi zëvendësimi u krye, futbollisti i Tiranës u dërgua në spitalin e Vlorës ku u kryen kontrollet e rastit dhe për fat të mirë nuk u gjet asnjë problem shqetësues.
Sa për rezultatin teknik, Tirana fitoi lehtësisht 3-0 në Vlorë me gola të shënuar nga Dushku, Cikalleshi dhe Tusha duke qenë praktikisht e kualifikuar për në finale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›