Marrin mësim nga Amerika

Dymbëdhjetë futbolliste kosovare do ta kenë mundësinë të fitojnë përvoja të reja rreth këtij sporti, pas vizitës tri javore që do ta bëjnë në disa vende të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Ampehrst, Boston e New York, nga 8 deri më 28 prill të këtij viti.
Futbollistet e zgjedhura nga qytete të ndryshme të Kosovës do ta kenë mundësinë të edukohen dhe të marrin mësim nga futbolli amerikan, për t’i zbatuar më pas ato projekte në Kosovë, duke filluar nga vera e këtij viti. Këtë eksperiencë, respektivisht pjesëmarrjen në programin ‘Futbolli për femra dhe gra në Kosovë’, futbollisteve kosovare do t’ua mundësojë Departamenti i Shtetit Amerikan.
“Do të udhëtojnë 12 futbolliste nga mbarë Kosova, nga mosha 16 deri në 32. Është një projekt rreth edukimit, i cili do të zgjasë rreth 20 ditë. Qëllimi kryesor i udhëtimit është njohja me metodat e punës në futbollin amerikan dhe marrja e njohurive. Pastaj përvojat që do t’i marrin në SHBA futbollistet, do të mundohen t’i implementojnë me projekte këtu. Natyrisht, edhe ne do të mundohemi të japim atë çka dimë”, ka thënë Afërdita Fazliu, udhëheqëse e futbollisteve në SHBA dhe përfaqësuese e Departamentit të Sportit.
Futbollistet kosovare do ta kenë mundësinë ta shohin se si funksionon futbolli amerikan në projektin e parë të një lloji të tillë. Nga atje, delegacioni kosovar do të marrë më shumë njohuri rreth funksionimit të këtij sporti, punës me futbolliste të reja nga mosha 7 deri në 12 vjeç, rreth themelimit të klubeve të reja dhe menaxhimit të tyre.
“Është kënaqësi për ne që të jemi pjesë e këtij projekti, ngase do të marrim përvoja nga një ligë e fortë botërore, nga njerëz me përvojë. Do të mundohemi ta mësojmë programin dhe më pas ta implementojmë këtu në Kosovë. Kjo është një mundësi, sidomos për futbollistet e reja, sepse tek ne mungojnë kuadrot e reja”, deklaroi Albina Rrahmani, njëra prej futbollisteve që do të udhëtojë në SHBA.
Edhe Sanije Krasniqi, e cila do të mundohet të mësojë rreth punës së trajneres, këtë e sheh si një mundësi ideale për t’u zhvilluar futbolli i femrave në Kosovë.
Të pranishëm në takimin me futbollistet në Ambasadën amerikane në Kosovë ishin edhe Paul Engelstad, udhëheqës i sektorit për marrëdhënie me publikun në ambasadë, Michael Murphy, ndihmës i shefit të misionit të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Visar Peja, koordinator i organizatës CCPA.
Të tre, njëzëri menduan se kjo eksperiencë do t’u shërbejë shumë futbollisteve kosovare në të ardhmen dhe uruan që ato të marrin sa më shumë informata nga futbolli amerikan, për t’i shpalosur më pas ato përvoja në Kosovë.
Përpos trajneres Sanije Krasniqi, në kontingjentin kosovar do të marrin pjesë edhe trajnerja tjetër, Lumturije Muhadri, pastaj futbollistet: Rina Gjana, Albulena Ibrahimi, Ezana Kacamakovic, Sara Merovci, Blerina Musa, Albina Rrahmani, Arlinda Saliu, Nora Selmani, Liridona Syla dhe Fatjona Sylejmani.