E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi thyhet dhe nëEvropë, arbitrat janë sërish armiq

ANGLI- Evropa duket se është një tabu për Çelsin, që pavarësisht përpjekjeve të shumta dhe ëndrrës së Abramoviç, e sheh veten sërish thuajse të eliminuar nga kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube. Blutë e Londrës janë mundur 0-1 nga Mançester Junajtid, në takimin çerekfinal të zhvilluar mbrëmë në "Stemford Brixh" dhe tashmë janë me një këmbë jashtë Champions. Sfida më e fortë e kësaj faze të Ligës së Kampioneve ka përfunduar me fitoren e "Djajve të Kuq", falë një goli të Uejn Runit në minutën e 24-t. Sulmuesi anglez u tregua sërish deciziv atëherë kur skuadra kishte nevojë dhe tashmë ekipi nga "Old Traford" ka një shans të madh për të avancuar më tej. Por, për t'u theksuar fakti se në humbjen e Çelsit ndikoi jo pak edhe gjyqtari spanjoll Undiano Majenko. Tepër i njohur për rreptësinë e tij, Majenko mbrëmë ka lejuar lojën dhe ka qenë perfekt për pjesën më të madhe të kohës, por mjaftoi një moment deciziv që ndeshja e tij të njollosej. Në minutën e parë shtesë, Ramires u pengua me të dyja këmbët në zonën e Mançester Junajtid, ndërsa gjyqtari spanjoll, pak metra pranë
aksionit, nuk akordoi asgjë. Një moment që tregoi se edhe prania e 5 arbitrave, 2 prapa portës, nuk është një zgjidhje ideale për të shmangur momentet e diskutueshme. Pamjet treguan se penalltia e Ramires ishte mëse e qartë, megjithatë gjyqtari lejoi vazhdimin e lojës, duke fituar në fund fishkëllimat e tifozëve të zhgënjyer londinezë.

NDESHJA
Takimi i mbrëmshëm nisi me një Çelsi deri diku superior përsa i përket lojës. Didier Drogba ka qenë më i rrezikshmi për blutë e Ançelotit. Sulmuesi afrikan pati rastin e parë të mirë, por goditja e tij potente u grushtua nga Van der Sar.
Kur pritej goli i Çelsit, është Mançesteri që realizon.Një aksion i nisur nga Kerrik, gjen Rajan Gigs në të majtë dhe uellsiani e dërgon topin në qendër të zonës, aty ku Runi nuk fal, duke mposhtur Petr Çeh me një goditje precize, që prek shtyllën dhe përfundon në rrjetë. Më pas, Çelsi hidhet i gjithi në sulm dhe në minutat e fundit të pjesës së parë ishte shumë pranë barazimit. Një kros nga e majta u shoqërua nga Fernando Torres, topi më pas i shkoi Lampard, që me Van der Sar të shtrirë, nuk arriti të shënonte dot. Në fraksionin e dytë, Junajtid ka kontrolluar lojën, duke u mbrojtur me kujdes, megjithatë Çelsi i ka patur rastet. Në fillim është Drogba që kroson për Ramires, por goditja me kokë e këtij të fundit përfundon jashtë. Më pas, Torres provon një parabël me kokë, por portieri holandez grushton për mrekulli. Drogba ka provuar edhe me një rrofeshatë, por sërish pa sukses. Në minutat shtesë erdhi edhe episodi më i dyshimtë i takimit,kur Ramires pengohet në zonë dhe gjyqtari Majenko nuk akordon asgjë.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›