Çështje imazhi!
Fillimisht u blenë zgjedhësit me premtime e gënjeshtra, me para në dorë ose me një thes miell. Më pas u shitblenë komisionerët e votimeve bashkë me KZZ-të dhe KQZ-në…Pastaj u gjetën deputetë të gatshëm për t’u shitur që të emërohej Topi President i Republikës. Pastaj u kërkuan të huaj (Xhon Megou, Doris Pack, Tom Ridxh, etj, etj), madje edhe disa diplomatë ndërkombëtarë që të bëjnë “lobing”…Pastaj u blenë parti të vogla me kapar 20% e karrigeve të qeverisjes për të ngritur të ashtuquajturin “koalicion qeverisës”, përndryshe, “maxhorancë legjitime”…Ndërkohë, si te e majta dhe te e djathta vazhdon të lulëzojë suksesshëm tregu i shitblerjes së gjësë së gjallë, jo i gjedheve, po i mercenarëve për postet drejtuese në nivele më të ulëta, nëpër parti, dogana, borde, media, Këshilla Bashkiakë, Akademi, bashki, komuna, polici, komisionerë, ushtri e gjykata, etj, për të përfunduar së fundmi me “procesin demokratik” të shitblerjes, d.m.th të vënies nën kontroll total të shumicës së institucioneve të pavarura.
Në këtë qerthull lëvrijnë interesat dhe synimet e sherr-politikës tonë, të krerëve më të lartë, fati i të cilëve nuk varet dhe aq nga programet, idetë e platformat, se sa nga sasia dhe cilësia e besnikëve, syleshëve dhe kamikazëve të rekrutuar (të blerë) në pazarin e sotëm politiko-mediatik…”Kultura e pandëshkueshmërisë”, për të cilën flitet aq shumë, përveç ringjalljes së frikës dhe të pasigurisë te qytetarët e pafajshëm ( njëlloj si në diktaturë, kur edhe ai që pushkatohej thërriste: “rroftë partia dhe shoku Enver”!) e bën të domosdoshëm kontrollin mbi të gjitha institucionet; ky është sistemi që kemi ngritur e që me përkëdheli quhet tranzicion për të krijuar ndoshta përshtypjen e rremë se kjo periudhë e vështirë nuk do ta ketë të gjatë, se ndoshta do të vijë dita kur të instalohet demokracia e vërtetë që edhe ne shqiptarët të gëzojmë shtetin e së drejtës…Por teksa flitet për reforma, për integrim, për standarde dhe ritme të larta zhvillimi, në këto ditë të acarta ngjajnë të natyrshme pyetjet: përse qeveria këmbëngul të përvetësojë edhe INSTAT-in, pikërisht tani kur po akuzohet se kërkon të pushtojë e të vërë në hyqëm të gjitha pushtetet dhe institucionet e larta, deri edhe postin e Presidentit dhe të kryeprokurores? Përse Berisha e kërkon toptan INSTAT-in në vartësi direkte të tij tani, kur edhe kështu si është ndërtuar/emëruar/organizuar ky institucion (ashtu si zotërohen RTSH-ja, KKRTSH-ja, KLSH-ja, KLD-ja, etj), INSTAT-i, edhe pa urdhër nga lart, detyrohet të japë, sa herë është e nevojshme, njëlloj si Banka Kombëtare, shifra ilustruese e iluminuese për fjalimet e kryeministrit tonë sukses/zulmëmadh?
Sigurisht, kjo nuk është një tahma e kotë, një vetëdehje nga instinkti i natyrshëm i të gjithë autokratëve për të ushtruar pushtet të kudondodhur e të pakontrolluar. Nevoja për të vënë nën thundër jo vetëm drejtuesit, po edhe institucionet, është rrjedhojë urgjente për të krijuar, me shifra fiktive, iluzionin e mrekullisë shqiptare, nevojë që diktohet edhe prej situatave të nesërme, të paparashikueshme e të vështira në të cilat mund të vihen nesër krerët…Por edhe pse tregu i aseteve intelektuale e politike herë pas here ka pësuar çarje, paqëndrueshmëri, rrjedhje, sa herë gjendemi në prag të një ndryshimi të mundshëm të pushtetit…Kështu, ata që sot janë ithtarë të zjarrtë, nesër shpallen kundër; kameleonizmi është provuar si metodë e suksesit jo vetëm kur u përmbys komunizmi, por edhe në këto 21 vjet….A gjendet sot, qoftë edhe një ish komunist fanatik që të jetë vetëshpallur antikomunist fanatik e të mos ketë bërë karrierë?
Për këtë arsye “tregu” i shitblerjes së mercenarëve po përsoset ngultas që të shmangen gabimet e bëra deri më tani, kur jo një, po disa krerë të përzgjedhur, me kritere klientelizmi nga Berisha, (që ikën prej tij në 1997-tën e shkuan te Nano e pastaj kur ky ra u kthyen te Berisha), ose si p.sh Topi, si Spahiu i KLD-së apo si të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm, të cilët, pasi janë çimentuar në post, janë bërë “mosmirënjohës”, duke dalë madje edhe kundër tij. Prandaj operacionet që kryhen herë pas here me hetime parlamentare ndaj drejtuesve bukëshkalë të institucioneve, fillimisht shërbejnë për t’i bombarduar mediatikisht tradhtarët e sotëm e të nesërm, të cilët duhet ta dinë se edhe po ra Saliu nga pushteti të gjitha institucionet përfshi edhe organet e drejtësisë do të jenë të rrëmbushur me “ushtarët “ e tij... Sepse kush pushton një institucion, nuk ka si të mos ketë në dorë gjithë administratën e tij; kush të ka blerë, kush të ka emëruar, kush ka dosjet në dorë, kush të ka kallur datën, kush të ka rrahur e pastaj të ka punësuar/pasuruar/graduar, nuk mund të anashkalohet, as të harrohet…Kjo është në traditën e shoqërive ballkanike…Pra, nuk mjafton vetëm përzgjedhja dhe “emërimi” selektiv i të bindurve, i të pavlerëve, i anonimëve në poste të larta, pasi këta mund të dalin nga vatha e mund të shiten e të blihen nesër nga kundërshtari potencial, madje edhe mund të dëshmojnë në seanca gjyqësore kundër, nëse institucionet janë realisht të pavarura, ndaj për të qenë më të sigurt duhet vënë nën kontroll, me ligj të posaçëm, çdo institucion që të lëkundurit, këta “mosmirënjohës”, potencialisht planprishës e besëprerë, të mos kenë asnjë mundësi “ta dredhin bishtin”…
Pikërisht kjo e bën të domosdoshme dhe urgjente të instalohet edhe me ligj “vartësia institucionale”, që do të thotë: instalim “ligjor” i sistemit të allishverishit, i bindjes pa kushte, i diktatit vertikal, i përunjësisë para të drejtës ligjore të Njëshit për të emëruar/shkarkuar/dënuar cilindo, që nga maja më e lartë e piramidës deri në nivelin e një polici trafiku…Ky zinxhir i administratës është kapur për fyti, ndaj do të jetë e vështirë të çmontohet nesër, kushdo të vijë në pushtet, edhe po të mos jetë Berisha…Merita kryesore e kësaj qeverie është se ka krijuar tashmë një aparat nëpunësish pa pikë përgjegjësie e morali, pa din e pa iman, “sistem” që nuk e çmonton dhe nuk e zhbën dot kurrkush. Kurrkushët e bërë dikush nuk ngurrojnë të hedhin firmat në tendera korruptive, madje të përdorin edhe armët, po qe se janë të veshur me uniformë…Të gjithë duhet t’ia dinë për nder Berishës, tamam si ata skllevër që gdhihen të nesërmen skllavopronarë…Para këtij muri të ndërtuar me “mamurrsa” je i detyruar të dorëzohesh pa bërë as gëk as mëk, edhe nëse je prokuror i përgjithshëm, kryetar i SHISH-it, President i Republikës!...Mos duhen prova të tjera për t’u bindur për këtë?
***
Aq e deformuar është nëpunësia e sotme sa edhe drejtësia nuk varet më nga ligjet, as nga ndershmëria dhe pavarësia e gjykatësve, se sa nga çmimi, shpërblimi, frika e kërcënimi për ato krime të rënda që e kanë burimin nga politika, si vrasjet e Gërdecit apo 21 janari…Sot mund të dënohet një mësues apo një mjek që merr ryshfet 100 euro, po kurrsesi nuk mund të ndëshkohet një zyrtar i lartë, që vret apo që vjedh disa milionë euro…Kemi ndërtuar një shoqëri që e pranon këtë gjëmë morale si të natyrshme. Nuk e ka fajin vetëm korrupsioni, si kujtojmë, por detyrimi partiak, klanor, nepotik e kriminal ndaj atij që të ka vënë në një post…Sot quhet tejet e rrezikshme të shfaqesh njeri me integritet, i ndershëm, i drejtë, normal, sepse korruptimi në administratë, e sidomos në gjyqësor e ka tejkaluar fuqinë e vet; tanimë rreshtimi në një krah të politikës ka marrë ngjyresa mafioze, ndaj i dobëti dhe i pambrojturi, ende pa shkuar në gjykatë, e di që do të jetë i humbur!
Përfytyroni p.sh një doganier që nuk pranon të marrë ryshfet; ai do të denoncohet nga kolegët e vet si i paaftë, pse jo do të quhet edhe i rrezikshëm, një sy e një vesh që nesër mund të bëjë gjëmën, derisa nuk pranon “të punojë si ne”. Përfytyroni p.sh nëpunësin e serverit të Kryeministrisë të pohojë në gjykatë, për hir të ndershmërisë, se kush e urdhëroi të fshijë regjistrimet, ashtu si edhe një nga gardistët të thotë se kush dha urdhër të qëllojnë mbi demonstruesit. Përfytyroni një prokuror apo një gjykatës që guxon të japë dënime për Bashën, për Mediun, le më të thërresë makar si dëshmitar Berishën, se si do të kryqëzohej e do t’i terrorizohej familja jo vetëm nga telefonatat “anonime”…Të gjithë këta mund të pranojnë të bëjnë edhe burg, të ndyjnë emrin e mbiemrin, se sa të mbrojnë të vërtetën! Prandaj mosbesimi te ligjet, te drejtësia, te nëpunësia, te nderi dhe te bashkësia ka shkatërruar kombe më të mëdha, madje edhe perandori…
Ky sistem deledash, as diktaturë e as demokraci, i quajtur sa për sy e faqe demokratik që po funksionon prej 21 vjetësh me metoda të mirëfillta të majëkrahut e të vetëgjyqësisë është duke u përsosur e duke u bërë më i frikshëm përditë e më shumë, pavarësisht se kush është në pushtet…E vetmja gjë që ndryshon kohë mbas kohe është çmimi, oferta, kocka e hedhur te zagarët, d.m.th mënyra e pagesës/shpërblimit/emërimit të tyre, të cilat rriten e përcaktohen sipas kushteve, personave, interesave, shkallës së postit dhe rrethanave politike… Gjithnjë e më tepër bëhet e vështirë të gjesh një vend pune që nuk shitet e blihet, në mos me para, me shërbime që shkojnë deri te sakrifica e “kokës së turkut”…Është e qartë, udhëheqësi që e zhvillon më mirë këtë treg (kupto: allishverish) qëndron më gjatë në pushtet. Së jashtmi duket sikur tregun e trafikimit të posteve, të vlerave e antivlerave, të horrave dhe të burrave, të ofiqeve dhe të ofiqarëve, si dhe të institucioneve e kanë në dorë zgjedhësit, vullneti dhe vota e “sovranit”; teorikisht pas kësaj vijnë partitë dhe forumet e tyre, “mazhorancat legjitime”, Kuvendi, konkurrenca e lirë, meritat etj, shpikje të asaj që quhet në letër “demokraci funksionale”…Kurse në fakt tregun e vlerave dhe të antivlerave kombëtare e kanë monopol dhe e kontrollojnë kryetarët përkatës të partive, pasi pikërisht këtu qëndron fuqia, jetëgjatësia dhe gjithëpushtetshmëria e tyre…Vini re shumicën e ish anonimëve “të listave” si ligjërojnë, si debatojnë, si veprojnë e si votojnë në Kuvend e në ekrane, duke pranuar ta bëjnë surratin blozë, për hir të besimit që duan të mbjellin te kryetari…(“Do të të var te palma e Kryeministrisë”!), Sot duket e natyrshme që kudo, në qeverisje, në administratë, në gjykata, në OJF-ra, në media, nëpër institucione të varura e të pavarura të ketë nëpunës, ministra e deputetë bashibozukë, të gatshëm të hedhin firmat mbi tendera korruptiv, por edhe mbi dëshmi të rreme, edhe kur bëhet fjalë për krime e vrasje…Sa më sipër vlen për të kuptuar që edhe fjala Reformë, aq e përdorur kohët e fundit për organet e Drejtësisë, ngjan e kotë dhe e pashpresë, për të sjellë ndryshimin e kërkuar, sa kohë partitë janë po ato dhe liderët e tyre po ata….
Ku po shkojmë kështu? Apo mos ka ardhur koha të këndojmë me iso: “Këtu e tatëpjetë, si ka qenë, do të jetë”?!