E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë presim në qershor?

Pyetja e vendosur si titull i këtij komenti do të bënte që shumëkush ta lidhte atë me ndeshjen Shqipëri– Norvegji, që do të luhet në Tiranë më 7 qershor ...Për më tepër, se ballafaqimi në fjalë është në prag dhe se tashmë “fushata” për të është bërë ngulmuese dhe tepër pompoze, sa ndonjëherë ia kalon edhe asaj të zgjedhjeve të 23 qershorit. Por, me sa shihet, qershori do të ketë nevojë për të marrë më shumë përgjigje se kaq, kur jemi duke përjetuar ndërkohë edhe ngjarje të tjera, që ashtu të acaruara siç janë dhe me gjasa për të vazhduar të tilla edhe për shumë kohë, na bëjnë shpesh që t’i hedhim pas shpine edhe ato që dikush i quan si më të rëndësishme, përfshi këtu edhe ndeshjen e 7 qershorit. Në këtë vend, besoj se jo të gjithëve iu rreh mendja tek futbolli, madje as atyre të pushtetshmëve të këtij vendi, sepse mbi të gjitha, ata po mendojnë si gjithmonë për të ruajtur karriget e tyre. Ky është problemi kryesor tani për tani, çka po shihet e përjetohet përmes çirrjeve dhe ulërimave të të gjitha palëve, që, në vend të rolit si mesazherë të të mirave ndaj këtij populli, ngjajnë më tepër me ca mashtrues e sharlatanë që s’bëjnë gjë tjetër veçse vazhdojnë të vënë të njëjtin disk të regjistruar me fjalime demagogjike përpara zgjedhësve, të çorientuar e pa ide të sakta në kokë! I gjithë ky gatim i papërtypshëm që vihet re në këtë hapësirën tonë të vogël, nuk ka se si të mos ndikojë edhe në oreksin e futbollit tonë, gjithashtu të prishur, paçka se ata, më optimistët e këtij vendi, besojnë se mund të fitojmë më 7 qershor ndaj nordikëve të vështirë. Sidoqoftë, është vetëm një ndeshje futbolli, që nuk do të thotë gjithçka. Nëse fitohet, natyrisht ajo dhuron një shpresë, veç jo një biletë të sigurt për në Brazil. Sepse, histori edhe më të ngatërruara pritet që të ndodhin, kur të luajmë në tri fusha të huaja, ku njëra do të jetë më e nxehtë se tjetra dhe ku toka mund të na digjet nën këmbë, siç thuhet. Prandaj, gjërat duhen marrë me radhë e me qetësi e jo me atë vrullin e dikurshëm revolucionar, kur vazhdimisht thyenim kokën, duke e përplasur atje ku s’duhej. Në fillim na duhet të tregohemi të kujdesshëm për të kaluar mes fjordeve të ngatërruar norvegjezë, për të dalë pastaj në hapësira ujërash më të qeta, nëse do të ishin me të vërtetë kështu. Por, larg fjalëve të shumta e perifrazimeve të këtij lloji, përgjigjja e pyetjes se, çfarë presim në qershor(?), duhet të marrë parasysh jo vetëm faktin e renditjes së tanishme si të dytët në grup, që na jep shpresë për kualifikim, por të gjithë këtë realitet jo fort të këndshëm që po përjetojmë, konkretisht atë të futbollit brenda vendit, që e kemi më keq se kurrë ndonjëherë tjetër. Ndërkohë që duhen parë edhe veprimet amatoreske që po bëhen këto ditë në prag të ndeshjes, prej drejtuesve të këtij futbolli, që si kolonizatorët dikur, janë sulur në çdo cep të botës për të gjetur e sjellë në ekipin përfaqësues lojtarë të çfarëdo lloji e kategorie qofshin, vetëm që ata të kenë gjak shqiptari! Në fakt duket një operacion jo fort shpresëdhënës, kur ekipi duhej të ishte formatuar me kohë, por qofsha i gabuar në këto “kalkulime të dyshimta”, që dikujt mund t’i ngjajnë atyre sondazheve shumë e për lumë që bëhen zakonisht në prag zgjedhjesh. Kur presim që ëndrrat të na bëhen realitet, zelli i De Biazit për të mbledhur lojtarë me “gjak shqiptari” sa andej-këtej, madje duke i quajtur disa prej tyre, (edhe pse fare të panjohur deri më tani!), si pretendentë të mundshëm për të zëvendësuar që në këtë ndeshje përcaktuese për fatin e ardhshëm të Kombëtares sonë, titullarë të tillë si Lorik Cana, i cili do të mungojë faktikisht, kjo duket e tepruar, për të mos thënë jashtë çdo logjike për një trajner profesionist. Nuk besoj se është kjo mënyra dhe koha e duhur për të “sfiduar” yje të tillë si Xherdan Shaqiri, që, pasi nuk arritën t’i kthejnë në shtëpinë e tyre, për shkak të matrapazllëqeve të shumta, të deklaruara edhe nëpërmjet “ish”-mbrojtësit të Kombëtares - Kristi Vangjeli, tani po përpiqen që anonimatit t’i japin rolin e protagonistit!? E ndërsa ndonjëri prej atyre që u quajt “tradhtar”, (sepse nuk iu bind interesave dhe presioneve dredharake të disa batakçinjve që gjenden mes nesh), arriti deri në finalen e Ligës së Kampionëve të Europës, në “Wembli”, të tjerë janë ata që pa asnjë meritë e vlerë të konfirmuar priten të vijnë e të bëhen këto ditë pjesë e rëndësishme e një ekipi përfaqësues, që kërkon të ndryshojë historinë. Ngjan si një përrallë, çka De Biazit i është përqasur deri tani, por nuk e dimë nëse këtë herë ajo do ta ketë përsëri atë fundin e saj të lumtur.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›