E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja e ngërçit me forcën e ligjit

Që nga dispozitat e para të Kodit Zgjedhor kuptohet qartë, se organet e përfshira në procesin elektoral duhet të përmbushin të gjitha detyrat ... e parashikuara në këtë Kod, me qëllim përgatitjen, zhvillimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve, për t’u garantuar një rezultat real, në përputhje me bindjet dhe preferencat e zgjedhësve. Një rezultat i tillë duhet të arrihet me çdo kusht, edhe nëse shfaqen dukuri migratore nga njëra anë në tjetrën dhe, kështu, balancat fillestare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të prishen në favor të njërit apo tjetrit subjekt politik. Për ilustrim të këtij perceptimi aspak të sforcuar, mjafton të përmendet përmbajtja e disa neneve, që parashikojnë se, komisionet zgjedhore i përmbushin funksionet e tyre në përputhje me ligjin, në mënyrë të paanshme dhe transparente (neni 3); se anëtari i zgjedhur i KQZ, përpara ushtrimit të funksioneve të caktuara betohet në nderin e tij që të angazhohet me të gjitha forcat e veta për realizimin e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike në Republikën e Shqipërisë, të sigurojë e të mbrojë integritetin dhe fshehtësinë e votës, të ruajë paanësinë dhe të tregojë profesionalizëm në kryerjen e detyrës (neni 13/4). Pra, në të dyja këto dispozita bëhet fjalë për paanshmëri, moral, transparencë, profesionalizëm. Këto tipare të detyrës së çdo komisioneri zgjedhor, pa dyshim edhe të anëtarit të KQZ, e detyrojnë atë që për sa kohë ushtron funksionin, për të cilin është zgjedhur dhe e ka pranuar, domosdoshmërisht duhet të “divorcohet” nga çdo lloj bindjeje, influence apo preference politike, duke u varur kështu nga ligji dhe vetëm nga ligji. Njëherazi, kjo varësi - jo ajo nga muskujt - u takon edhe forcave politike, për të mos u diktuar prej kapriçove të tyre, për sa kohë kanë shprehur konsensualisht vullnetin që Kodi të bëjë parashikimet e caktuara. Mirëpo, me largimin e LSI–së nga koalicioni qeverisës, mazhoranca parlamentare (realisht e tillë deri përpara muajit prill), domethënë, Partia Demokratike i dha fund konsensusit të afro një viti më parë, e zhbëri vullnetin e treguar me miratimin e ligjit nr.74/2012, nëpërmjet të cilit synohej që shfuqizimet dhe ndryshimet që i bëheshin ligjit të mëparshëm nr.10019/2008 të ndikonin për t’ia nënshtruar gjithë procesin zgjedhor nxjerrjes tek e fundit të një rezultati të ndershëm dhe objektiv. Ndonëse ishte ajo mazhorancë, e cila gjatë diskutimit dhe miratimit të amendimeve të Kodit Zgjedhor në korrikun që shkoi nuk shprehu asnjë rezervë të veçantë, për të parashikuar situata politike variabile dhe të papritura, që nuk gjetën vend në asnjë dispozitë të Kodit, as nuk u nënkuptuan në frymën e tij. Dhe ndodhi ajo që dihet tashmë fare mirë. Por, këto radhë nuk kanë format të palimituar, për të shpjeguar edhe “argumentet” e përdorura apo të deklamuara nga kryeministri, që e mpleksën institucionin qendror të administrimit zgjedhor në një ngërç, i cili komprometon rëndë tërë procesin elektoral për zgjedhjet e pritshme të 23 qershorit, duke mos u vënë veshin as shqetësimeve dhe rekomandimeve nga vende aleate dhe organizma ndërkombëtare, rëndësia dhe roli reciprok i të cilave është theksuar, madje inkurajuar, midis të tjerash, në Dokumentin e Kopenhagenit të Konferencën për Dimensionin Njerëzor (1990), rreth bashkëveprimit ndërshtetëror dhe shkëmbimit të informatave e të ekspertizave, si pjesë integrale e qasjes së balancuar për sigurinë dhe bashkëpunimin në Europë. Prandaj, më mirë është t’i hedhim një vështrim të shpejtë situatës faktike. Pra, pa u ndalur këtu te tentativa e qeverisë qendrore, për ta trajtuar faktin e shkarkimit të një anëtari të KQZ (i propozuar për këtë funksion nga LSI), si presion ndaj palës kundërshtare dhe në shkelje të hapur të një ligji të miratuar me shumicë të cilësuar, të atij ligji që titullohet: Kolegji Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë. Pa u ndalur, gjithashtu, në faktin se si dhe pse tre anëtarë të tjerë të propozuar fillimisht nga opozita dhanë dorëheqjen. As mungesën e bazës ligjore të anëtarëve të mbetur të KQZ, për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin e kolegut të tyre, edhe pse Kodi urdhëron për përcjelljen e këtij propozimi qenien e votave ‘pro’ të jo më pak sesa 5 prej tyre. Sikurse nuk po zgjatemi të tregojmë me detaje se si këta anëtarë të mbetur të këtij Komisionit të mpakur, duke mos përfillur ligjin, as nuk janë dyzuar hiç fare ta lëshojnë erë betimin e tyre për paanshmëri, moral, transparencë dhe profesionalizëm (nëse vërtet ndërgjegjja ua ka ofruar qoftë edhe për ndonjë çast të vetëm tipare të tilla). Le të ndalemi te situata aktuale, kur fushata zgjedhore formalisht sapo ka filluar dhe, pavarësisht ndonjë paqartësie të Kodit, për të zhvilluar zgjedhjet e pritshme nuk mund të ketë asnjë rrugë tjetër të zhbllokimit të ngërçit, përveç arritjes me urgjencë të konsensusit politik të palëve rreth rikonstituimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një arritje e tillë është e domosdoshme, sepse një KQZ e tkurrur nuk mund ta çojë këtë proces elektoral në një finish të pakontestueshëm. Ndërkohë që ka edhe opinione, si ai i shprehur nga eksperti Bylykbashi, opinion që duhet vënë në dyshim dhe marrë me rezerva, edhe për faktin që ky person nuk është thjesht një teknicien, por drejtor i kabinetit të kryeministrit Berisha, që e ka futur edhe emrin e Bylykbashit në listën proporcionale të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Sipas Bylykbashit, KQZ-ja funksionon edhe nëse mbetet me 4 anëtarë dhe, nëse për të marrë vendime që kërkojnë minimalisht 5 vota, zgjidhja duhet kërkuar te Kolegji Zgjedhor. Madje, nuk tutet ta justifikojë këtë zgjidhje edhe pasi të shpallet nga KQZ-ja rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Mirë, por shpallja apo certifikimi i rezultatit përfundimtar kërkon domosdoshmërisht miratim me shumicë të cilësuar, përndryshe
vendimet e këtij organi konsiderohen nul. Në këtë kuptim, mbi çfarë baze ligjore do të bëhen ankimet e mundshme te Kolegji Zgjedhor?
Si mundet ky Kolegj ta detyrojë KQZ të mbetur me 4 anëtarë që të marrë vendime, për të cilat, sipas nenit 24/1 të Kodit kërkohet vota ‘pro’ e jo më pak se 5 anëtarëve? Më tej, a mundet ky Kolegj të marrë një profil të përzier, të dyfishtë: pra edhe administrativ, edhe gjyqësor? Duke e ballafaquar problemin nga pikëpamja ligjore, mund të ndalesh edhe te neni 145 i Kodit. Pika 1 e këtij neni, vërtet që legjitimon subjekte zgjedhore, por edhe individë dhe parti politike, që u është refuzuar kërkesa për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore, të ankohen pranë Kolegjit Zgjedhor
kundër vendimeve të KQZ, të cilat cenojnë interesat e tyre. Në këtë rast nuk parashikohet që vendimet e ankimuara të organit qendror të zgjedhjeve t’i jenë nënshtruar një kurumi të caktuar dhe një vendimmarrjeje me shumicë të cilësuar. Ndërsa pika 2 e nenit 145 na shpalos një
tablo tjetër, ku palët e interesuara ankimojnë te Kolegji Zgjedhor mosmarrjen e vendimeve përkatëse nga KQZ. Por, Kolegji nëse pranon kërkesën ankimore nuk e zgjidh në themel çështjen, veçse e detyron KQZ që ta bëjë një gjë të tillë. Ndërsa, KQZ nuk mund të respektojë urdhërimin e Kolegjit, pasi nuk posedon votat e mjaftueshme që kërkohen shprehimisht nga neni 24/1. Atëherë nuk mund të ndërhyjë as vetë Kolegji Zgjedhor për ta zgjidhur problemin, sepse Kodi nuk ia jep këtë tagër, përveç rasteve të parashikuara në germat a, b, c, ç, të nenit 24/1, kur në përjashtim të nenit 145/2, Kolegji pranon ankimin dhe e zgjidh në themel çështjen. Pa i humbur kohë lexuesit me referenca të tjera apo me interpretime të pafundme, edhe me kaq sa u ilustrua mbase ka dalë në pah pasaktësia e opinionit të mësipërm. Sikurse, mund të kuptohet disi domosdoshmëria e uljes së tensioneve politike, për ndërhyrje serioze në strukturën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërhyrje me forcën e ligjit dhe jo me forcën e politikës. E thënë ndryshe, për të çarë sa më shpejt, me vullnet dhe profesionalizëm, pritën e ngritur në mënyrë diletante në pellgun e madh të votave, që të bëhet më në fund e mundur të vërshojnë ato si uji në drejtimet e dëshiruara.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›