E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë viti po lëmë pas

TIRANE- Kur na kanë mbetur edhe tri ditë nga përfundimi i 2010-ës, duket sikur po presim me ankth që ai të largohet sa më shpejt. Në mënyrë që ta lëmë pas sikur të duam ta harrojmë, sikundër kërkojmë të harrojmë çdo gjë që nuk na lë mbresa, madje na ka mërzitur e bezdisur duke mos na sjellë asgjë të re. Sepse ishte i trishtuar 2010-ta, na u duk dyfish i gjatë edhe pse prodhoi ngjarje e zhvillime, kriza e përmbytje, korrupsion e varfëri, lëvizje të lirë e festivale këngësh. Por ngaqë i jetuam trishtueshëm edhe festat edhe mortet, edhe përmbytjet edhe krizat, viti që po lëmë pas, gjithsesi mbetet dyfish i mërzitshëm dhe pa pikë lezeti. Ndoshta sepse u konsiderua si më i keqi në këto gjashtë vitet e fundit të qeverisjes së demokratëve. Ndoshta sepse ishte më i ujshmi dhe si i tillë na zvarriti nga një përmbytje në tjetrën për 12 muaj me radhë, duke na burgosur brenda shenjës së ‘Ujorit’. Brenda asaj shenje ku uji të futet gjithkund: në një sallë parlamenti, në një gjykatë kushtetuese, nëpër korridoret e një selie partie opozitare, brenda një solidariteti hipokrit me atë që u përmbyt vërtet në veri, apo me atë tjetrin që rrëshqiti në jug. Po lëmë pas kështu një vit kalendarik ndoshta nga më kontradiktorët e këtij dhjetëvjeçari të fundit. Një panair i madh kotësie, në skenën e të cilit poupetta-t e politikës dhanë për 365 ditë shfaqjen e mërzitshme të radhës, herë brenda tuneleve hipotetikë që do të bashkonin varfërinë tonë, e në të shumtën e rasteve në skenën monstruoze të parlamentit mjeran. Duke mos harruar për asnjë moment të hiqnin maskën si për të fshehur zgërdhitjen e radhës. Pamë edhe në këtë vit se si u bë gjasme politikë, se si u bënë disa gjasme rrugë e investime publike sepse tek e fundit, në përfundim të tyre ne u gjendëm po aq të varfër sa një vit më parë, apo po kaq të pashpresë në ëndrrën se do të jemi pak më mirë se ky vit që po lëmë pas.
E futur në mandatin e dytë të qeverisjes, e djathta e Berishës filloi të fuste ujë për së pari në shtëpitë e shkodranëve demokratë e më pas në sallën e Kuvendit, në restorantin “Krokodil”, në një festim fshatarak vizash apo në buxhetin e shpuar e të ujshëm të vitit ku do të hyjmë pas pak. Sepse 2010-ta, përveçse ishte një vit i trishtuar pasi nuk ndodhi asgjë ose për faktin se gjërat që ndodhën ishin të trishtuara, mbetet edhe si viti i dështimit politiko-ekonomik i ngrehinës institucionale të vendit, që u dominua nga figurat politike të një të djathte në krizë. Besoj se askush nuk do të donte të shikonte edhe përgjatë 2011-ës një sharlatanizëm në drejtimin e parlamentit shqiptar, apo komeditë e tipit Berisha në seancat e pafundme të Kuvendit. Viti që po lëmë pas ishte stina më e mërzitshme në “Olimpin” e ekzekutivit të Tiranës. Për aq kohë sa perënditë nuk patën ç’të thoshin, por u morën javë pas jave, një herë në kor e herë të tjera veçmas me këmishat dhe mbathjet e liderit të opozitës, me pallatet dhe bizhutë e femrave të PS-së apo me gossipet politike të neveritshme, të fabrikuara në zyrat e ekzekutivit apo në oborret e selive të partive. Një trishtim i vërtetë, i denjë për një fshat periferik, ku kryeplaku i tij merret nga mëngjesi në darkë me gratë e fshatit ngjitur, pa e parë se shtëpia e tij ka filluar të fusë ujë nga të gjitha anët. Viti që po lëmë pas kulloi ujë dhe trishtim edhe për opozitën e Edi Ramës, duke e tërhequr atë nga një bojkot në tjetrin, nga një protestë e filluar tek një tjetër protestë e vazhduar për t’u ndërprerë e për të rifilluar atje ku u ndërpre protesta e kaluar. Pa një formë politike, pa një identitet me një gjysmë moral, si dhe me një vizion të turbullt, opozita bëri punën e saj siç mund të bëhet një punë me ujëra nëpër këmbë. Orakujt thonë se “projekti Rama” me ujëra nëpër këmbë duket se do të dështojë edhe në 2011-ën që po mbërrin, por edhe në 2013-ën, sepse Partia Socialiste po drejtohet në mënyrë ekstrapartiake e autoritariste nga lideri i saj drejt një zhbërjeje të paqtë pa zhurmë e kërcitje, sikundër ndodhin zhbërjet brenda pellgjeve me ujë. Sepse viti që po lëmë pas e certifikoi opozitarizmin e majtë si një fëmijë autik që belbëzoi dhe lëvizi ngadalë, hutueshëm nga një kërkesë e pazëshme tek një presion me silenciator, nga një miting i lënë përgjysmë tek një bojkot i shuar si një cigare në ujë. Përveçse ky vit që po ikën ishte i trishtuar, ai kulloi edhe gjak. Duke na e bërë më të pasigurt jetën tonë në këtë shtëpi të përbashkët që quhet atdhe. Të dhënat zyrtare treguan edhe këtë vit se sa me lehtësi e rrëmbejmë pushkën për të vrarë, sepse dikush na pa shtrembër apo se një tjetër na parakaloi në semafor. Edhe për këtë vit që po lëmë pas ne të Tiranës kemi qenë më me “fat”, pasi nuk e lëshuam vendin e parë për pasigurinë e jetës duke e çuar në 18% rastet e të gjitha vrasjeve me dashje madje edhe në mes të ditës bash në kohën kur nga selia e tij kryeministri deklaronte se mbetemi vendi me siguri më të lartë në rajon e më gjerë.
Viti që po lëmë pas na përplasi në fytyrë dyer të mbyllur të Evropës si për të na treguar se ne jemi mirë tani për tani brenda provincës sonë, atje ku i pari i fshatit na ka garantuar se do të merret edhe përgjatë 2011-ës me gratë e fshatit tjetër,atje ku gjyqësori vazhdon të jetë një pazar i pistë dhe ku parlamenti do të mbetet të paktën edhe për tri vjet të tjera një lokal i shëmtuar periferie ku në vend të ligjeve fabrikohen lajme të një politike rozë. Sepse nuk mund të ndodhë ndryshe për aq kohë sa ndryshe nuk ndodhi në vitin që po lëmë pas. Ndaj dhe nuk ka arsye të ndodhë tjetër sepse skena do të jetë po ajo,po ata do të jenë marionetat mbi të duke luajtur komedinë e radhës edhe në këtë vit të ri që po troket në derë. Ndodhet për këtë arsye nuk kemi asnjë entuziazëm që po na ikën ky vit i trishtë pasi e dimë,madje kemi filluar ta prekim trishtimin e radhës, atë që do të sjellë viti që po vjen gjatë së cilit sërish nuk do të ndodhë asgjë ose gjithçka që do të ndodhë do të jetë po kaq vrastarisht e mërzitshme dhe pa ngjyrë.

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›