Çitaku: Nuk do t'i kërkojmë falje Gjermanisë
Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për rrethanat në të cilat u arrestuan tre agjentët gjerman në Kosovë por nuk do të kërkoj falje për arrestimin.
Zv/ministrja e Jashtme, Vlora Çitaku në një intervistë për të përjavshmen gjermane Welt am Sonntag, ka thënë se arrestimi ka qenë vërtet një "incident fatkeq". Megjithatë sipas saj, qeveria e Kosovës nuk do të kërkojë falje duke shtuar se "nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë" pasi edhe nëse është bërë ndonjë gabim "nuk ka qenë faji i qeverisë së Kosovës".
Çitaku përjashton mundësinë që "lojtarë tjerë të rajonit" të kenë pasur interesim të destabilizojnë raportet midis Kosovës dhe Gjermanisë. "As shpërthimi me bombë e as zhvillimet pastaj nuk kanë qenë në interes tonin", ka thënë Çitaku. Tre pjesëtarë të shërbimit sekret gjerman u arrestuan pas shpërthimit të një bombe në selinë e EULEX-it në Prishtinë. Ata u liruan me kusht nga gjykatës ndërkombëtarë, përderisa mediat raportonin për presion të qeverisë gjermane ndaj Prishtinës zyrtare për lirimin e tyre.