E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i biletave, Basha: S’do ketë rritje arbitrare

TIRANE- Asnjë operator që operon në linjat urbane të qytetit të Tiranës nuk mund të ndryshojë çmimin e biletës në mënyrë të njëanshme dhe çdo vendim i tillë do të çojë në marrjen e masave penalizuese, deri në anullimin e kontratës së operatorit, ripërsëriti sot për mediat Kryebashkiaku Lulzim Basha.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë rritje arbitrare të çmimit. Çdokush që do të tentojë të rrisë në mënyrë arbitrare çmimin, do ballafaqohet me konseguencat ligjore nga penalizmi deri në heqjen e kontratës. Nëse ka vend për rishikim të strukturës së çmimeve, kjo duhet bërë në mënyrë shkencore, të pavarur, transparente ndaj publikut dhe vetëm atëherë mund të ecim para me çfarëdo propozimi, pasi publiku të jetë pjesë e shqyrtimit dhe vendimmarrjes”, deklaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kërkesa e Shoqatës së Transportit Qytetas për të rritur çmimin e biletës së autobusëve deri në 70 lekë, do t’i nënshtrohet një analize, pasi, sipas Bashës, "askush nuk ka të drejtën të propozojë një shifër hamëndësie”.

Sipas tij, rishikimi i tarifës është një çështje komplekse, ku Bashkia e Tiranës ka një rol pjesor, pasi veç mbështetjes së interesit publik, përfshin edhe institucionet e tjera të qeverisjes qendrore.

Shoqata e Transportit Qytetës kërkon rritje të çmimit të biletave dhe aboneve në transportin publik në Tiranë. Çmimi i biletës, sipas shoqatës, duhet të shkojë deri në 70 lekë, nga 30 që është aktualisht. Ndërsa ata që përdorin abonetë do të përballen me një rritje dyfish të çmimit të saj, nga 1300 lekë në 2600 lekë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›